MOSKË – Rusia cakton negociatorët për bisedimet me SHBA-në për armëpushimin në Ukrainë

MOSKË, 20 mars /ATSH-DPA/- Rusia ka përzgjedhur negociatorët e saj për bisedimet me SHBA-në që do të mbahen të hënën në Arabinë Saudite për të diskutuar zbatimin e mundshëm të një armëpushimi në Detin e Zi.
“Ekipi negociator rus do të udhëhiqet nga diplomati Grigory Karasin dhe agjenti i qeverisë Sergej Beseda”, tha sot Kremlini.
Bisedimet në Riad, që priten fillimisht të dielën, do të përqendrohen në një propozim të SHBA-së për të mbrojtur anijet në Detin e Zi duke zbatuar një armëpushim të kufizuar.
“Yuri Ushakov, këshilltar për politikën e jashtme të presidentit rus Vladimir Putin, shprehu shpresën për negociata produktive”, sipas agjencisë së lajmeve Interfax.
Ukraina nuk është ftuar në takim, por presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi se përfaqësuesit e SHBA-së do të zhvillonin të hënën bisedime të veçanta me zyrtarët ukrainas në Arabinë Saudite përpara se të bisedonin me palën ruse.
Rusia doli nga një marrëveshje e mëparshme e ndërmjetësuar nga Turqia për të lejuar eksportet e grurit të Ukrainës nëpërmjet Detit të Zi.
Ukraina që atëherë ka vazhduar të transportojë grurë përmes Detit të Zi pa asnjë garanci sigurie për anijet.
Në fillim të marsit, një anije që ngarkonte grurë për në Algjeri u godit nga një sulm raketor rus, duke vrarë katër anëtarë të ekuipazhit sirian. //a.i/