Veliaj siguron të prekurit nga tërmeti te “5 Maji” dhe në “Kombinat”: Bashkë me apartamentet, edhe certifikatat e pronësisë

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Kryebashkiaku Erion Veliaj ka siguruar të gjithë të prekurit nga tërmeti në “Kombinat” dhe lagjen “5 Maji”, se apartamentet që shpërndahen shoqërohen edhe me certifikatat e pronësisë.
Nga mbledhja e sotme e këshillit bashkiak, Veliaj deklaroi se bashkia po ndjek të gjitha hapat deri në shpërndarjen e certifikatave të pronësisë për banorët.
“Në zonën e “5 Majit” deri tani janë shpërndarë 428 apartamente në 7 godina. Parashikohen deri në fund të marsit të ndahen dhe 273 apartamente të tjera në 6 godina të reja. Nesër nisim shpërndarjen e certifikatave të pronësisë. Pra, meraku i parë është të fusim kokën në një shtëpi, meraku i dytë është të kemi letrat për atë shtëpi. Kështu që po i ndjekim hap pas hapi, sa hidhet shorti dhe futen njerëzit fillojmë menjëherë hipotekimin e atyre banesave, që të ketë vlerë dhe t’u shërbejë banorëve për një kredi apo për çfarëdolloj nevoje. Kështu, që nesër nisim edhe shpërndarjen e certifikatave tek “5 Maji””, tha Veliaj.
Ai nënvizoi se edhe në “Kombinat” po vijon me ritme shpërndarja e apartamenteve të reja për të prekurit nga tërmeti.
“Janë miratuar dhe po zbatohen projektet për ndërtimin e 16 objekteve me 6 deri në 8 kate. Sipërfaqe totale e ndërtimit që ne kemi aty është 16, 7800 metra katror. Përfshihen 1064 apartamente, pra ka më shumë zona se është bashkuar edhe pjesa e “Astirit” dhe i gjithë ai pellg tek lagjja e re në “Kombinat”. Shpërndamë 75 apartamente dhe deri në fund të janarit do të ndajmë edhe 85 apartamente të tjera. Pra çdo pallat që kolaudohet dhe merr letrat, futet në proces shorti dhe futen familjarët në shtëpi. Deri në fund të muajit mars ne do të ndajmë edhe 486 apartamente të tjera në “Kombinat”. Kështu që kush përfaqëson njësitë 6, 14, Vaqarr, besoj i ka përgjigjet këtu për mënyrën se si do të procedojmë”, deklaroi Veliaj.
/a.f/r.e/