E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliajt i shtohet një tjetër akuzë, dyshohet për futjen e sendeve të ndaluara në qeli

Rëndohet pozita ligjore e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Prokuroria e Posaçme dyshon se ka kryer edhe një tjetër vepër penale, atë të futjes së sendeve të ndaluara në qeli, që e kryer në bashkëpunim parashikon një dënim nga pesë deri në dhjetë vjet.

Për herë të parë që nga momenti kur është arrestuar e më pas i është komunikuar masa shtrënguese e lirisë, Erion Veliaj u mor në pyetje nga SPAK.

Brenda ambienteve të institucionit antikorrupsion, Kryetari i Bashkisë qëndroi rreth një orë e 30 minuta, teksa ishte në prani të dy avokatëve të tij, Ermir Beta dhe Artur Selmani.

Vizion Plus mësoi se kjo akuzë e re për të cilën SPAK do ta hetojë Erion Veliaj ka të bëjë me përdorimin e celularit të gardianit të burgut gjatë transportimit të tij në Gjykatën e Posaçme të Apelit, kur kryebashkiaku kishte ankimuar masën e arrestit në burg.

Nën hetim për të njëjtin rast përfundoi edhe polici i burgut, i cili dyshohet se i ka dhënë atij telefonin dhe pasi u mor në pyetje pretendoi se diçka të tillë e ka bërë nga frika.

Vepra e re për Erion Veliajn e parashikuar nga Neni 324-a: Futja Ose Mbajtja e Sendeve të Ndaluara në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve me Burgim, e çon në tre numrin e akuzave për të cilat hetohet kryebashkiaku i Tiranës.

Më herët, Gjykata e Posaçme e më pas edhe ajo e Apelit e la në burg Erion Veliajn për korrupsion pasiv dhe pastrim të produkteve të veprës penale, kryer në bashkëpunim me disa biznesmenë dhe gruan e tij, Ajola Xoxa./vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›