Vëllai i Arben Frrokut: Policia po më përgjon, ndihem i kërcënuar
Sapo ka dalë nga komisariati i policisë vëllai i Arben Frrokut i shoqëruar një natë më parë, ka hedhur një sërë akuzash për policinë dhe për drejtësinë shqiptare. Një ditë pas ndalimit të automjetit të tij, Mark Frroku, vëllai i biznesmenit të dyshuar për vrasjen e ish-kryekomisarit Dritan Lamaj, deklaroi për mediat se polica e shtetit i ka vendosur pajisje përgjimi në automjetin e tij. Sipas Mark Frrokut policia po vepron nën ndikimin e politikës ndërsa po ushtron represion ndaj tij. “Pajisjet e përgjimit janë montuar në makinën time, kur është mbajtur për 3 ditë herën e parë. Janë montuar në pjesën e përparme të makinës dhe aty kanë qëndruar për rreth dy muaj. Zbulimi erdhi fare rastësisht. Sa herë binte telefoni ose unë doja të telefonoja jepte një zhurmë. Këto pajisje përgjuese i përkasin policisë. Akoma nuk jam ankuar, por do ta bëjmë ankesën. Ndihem i rrezikuar dhe i kërcënuar jo vetëm unë si person por e gjithë familja e vëllait tim Arben Frroku. Por ne jemi duke pritur që në fund të muajit, ta nxjerrim të pafajshëm atë. Kjo ka qenë deklarata e bërë për mediat nga Mark Frroku i cili së bashku me vëllain e tij janë në listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Lezhës për Partinë Social Demokrate.
Deklarata
Në deklaratën e tij para mediave Mark Frroku tha se: Një ditë më parë makina ime është marrë dhe është mbajtur me dhunë, në polici vetëm e vetëm për të montuar pajisje të tjera në makinë”- tha Frroku. Nga ana tjetër i pyetur për mediat lidhur me akuzat ndaj Arben Frrokut dhe pretendimit të prokurorisë për prova të cilat inkriminojnë drejtë për drejtë 44 vjeçarin, avokati mbrojtës tha se nuk ka asnjë provë të tillë. “Janë që të gjitha aludime dhe nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me këtë. Nuk ka asnjë provë shkencore që të vërtetojë ndonjë implikim të mundshëm të Arben Frrokut me atë ngjarje”- tha avokat Tonin Prendi teksa dilte nga Komisariati i Policisë.
Precedenti
Ngjarja e ndodhur mesnatën e një ditë më parë, për sekuestrimin e automjetit dhe ndalimin e vëllait të Frrokut mendohet se është bërë për një verifikim të thjeshtë. Vetë Frroku, pas lënies së lirë nga autoritetet e policisë ka sqaruar se në momentin e shoqërimit ai ndodhej në zyrat e Partisë Kristian Demokrate dhe se nuk i është dhënë asnjë arsye për ndalimin. Kur u shoqërova isha në zyrat e partisë, makina ishte e parkuar. Më është kërkuar me forcë të jap çelësat e makinës. Policia nuk më ka dhanë asnjë arsye për ndalimin tim, pasi gjithçka ishte në rregull dokumentacioni dhe çdo gjë tjetër. Mark Frroku tha më tej se po përballet me një presion policor e shtetëror, me një kërcënim të hapur për veten dhe familjen e vëllait të tij të cilin policia do ta fajësojë medoemos. Ndodhemi para një represioni policor shtetëror. Policia të mbajë larg duart nga Partia Kristian Demokrate, pasi fillimisht e nisi me vëllain tim duke e burgosur e duke i veshur një sërë akuzash të kota dhe tani që më vënë në makinën time përgjues. Strukturat e policisë të mbajnë larg duart nga familja ime, deklaroi më tej Frroku.