Të mbijetuarat në protestë për dëmshpërblimin: Shteti na ka harruar
Një vit nga tragjedia e Himarës, homazhe në Universitetin e Elbasanit
Elbasan/Qirinj të ndezur lutje pa fund dhe buqeta me lule, këto kanë qenë homazhet e zhvilluara ditën e djeshme në ambientet e Universitetit të Elbasanit për të kujtuar 11 studentet që humbën jetën tragjikisht një vit më parë në një nga humnerat e Himarës. Ndërsa u bë plot një vit nga tragjedia e cilësuar si një ndër më të rëndat në Shqipëri, 26 studentet e mbijetuara kanë protestuar ditën e djeshme për dëmshpërblimin, duke deklaruar se kompania e udhëtimit Agjencia Llixha 2001 është tallur me dhimbjen e familjeve që kanë humbur fëmijët e tyre në tragjedinë e Himarës.
Ditën e djeshme më lot në sy e me dhimbje të papërshkrueshme studentet e mbijetuara nga autobusi i aksidentit të Himarës kanë bërë homazhe për shoqet e tyre para dyerve të universitetit. “Nuk patëm mundësi të shkonim në Himarë, pasi gjendja jonë vazhdon të ketë probleme dhe nuk mund të udhëtojmë aq gjatë. Vendosëm që homazhet ti bënim këtu bashkë me shoqet tona dhe studentët që na mbështesin”, thotë Dorina Kumria, e mbijetuar nga autobusi i aksidentit. “Shprehim ngushëllimin familjeve që humbën vajzat e tyre dhe për ne është një ditë zie”, thotë Ticiana Hysa, tjetër studente e mbijetuar. Sipas studenteve të mbijetuara dhe familjarëve të tyre, viktimat e Himarës jo vetëm që nuk janë dëmshpërblyer ashtu siç u takon me ligj, por janë harruar totalisht edhe nga institucionet shtetërore.
Dëmshpërblimi
Ende edhe sot studentët e mbijetuar apo ata që humbën jetën, nuk kanë marrë dëmshpërblimin e plotë të përcaktuar me ligj nga instancat vendore dhe ato qendrore. Ndërkaq, në profilet e tyre në rrjetin social, Facebook ,vajzat postojnë foto të mikeshave të tyre që tashmë nuk janë më. Dhimbje e madhe dhe për Besjana Xhenetin, e cila humbi të fejuarin në këtë tragjedi. Fotot e Armand Halilagës vazhdojnë të mbushin profilin e saj. Eriola Xhoi, një prej viktimave, ka lënë pas hidhërimin për shoqen e saj të ngushtë, Dorina Kumria. Ndërsa edhe në vendin e aksidentit në Himarë ditën e djeshme janë kryer homazhe nga të afërm dhe banorë të zonës si dhe është vendosur një pllakate përkujtimore me emrat e viktimave. 26 studentet e mbijetuara të këtij aksidenti kanë qëndruar në Elbasan në pamundësi për të udhëtuar drejt Himarës për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore dhe psikologjike.
Në homazhe edhe PS me Arvizu
Homazhet kanë vijuar gjatë të gjithë ditës së djeshme ndërkohë që viktimat janë përkujtuar dhe nga pedagogë e qytetarë të ndryshëm të qytetit të Elbasanit. Buqeta me lule në nder të viktimave kanë vendosur edhe anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Socialiste. Ndërkaq, dhimbjes për këtë ditë i është bashkuar edhe Ambasadori i SHBA-së në vendin tonë, Aleksandër Arvizu. Në rrjetin social Twitter Arvizu shkruan: Sot ne përkujtojmë humbjen tragjike të një viti më parë të studentëve. Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e viktimave dhe miqtë e tyre,- përfundon mesazhi. Më 21 Maj 2012 në Himarë, ndodhi një aksident i rëndë automobilistik rreth orës 16:30 të asaj dite autobusi me studentët e universitetit të Elbasanit doli nga rruga, 13 persona humbën jetën dhe 22 u plagosën shume rëndë. Ekspertiza e fundit ishte se shkak i aksidentit u bë tejkalimi i shpejtësisë nga ana e drejtuesit të mjetit.