Vëllëzër dhe bashkëpunëtorë

Nuk u është dashur të trokasin në dyer të huaja. Bashkëpunëtorin e duhur e kanë gjetur brenda shtëpisë. A do të kishin qenë po kaq të suksesshëm nëse do të kishin punuar me të tjerë? Nuk e dinë. Ajo që pohojnë me bindje të plotë është se, si vëllezër, funksionojnë mirë edhe si bashkëpunëtorë. Një nga disa shembuj të suksesshëm, jane vëllezërit Kondi.
Produkt 2 vëllezërish
Florian dhe Alban Kondi nuk kanë nevojë ta bindin tjetrin me fjalë të tepërta. Mjafton një shikim, pak shije nga ai përbërës me të cilin kanë ndër mend të ngjizin një krijim të ri në studion e tyre muzikore, dhe puna nis për së mbari.
Kështu funksionon prej disa vitesh bashkëpunimi i tyre, me themelet te nuhatja për idetë e tjetrit dhe lidhjes biologjike që ua ka bërë të pathyeshme edhe atë profesionale.
Kur Flori ishte në hapat e parë si këngëtar, me grupin “West Side Family”, kur shkruante tekstet e para, merrte pjesë në festivale për të rinj, por edhe kur vendosi të hapte studion e tij muzikore në vitin 2003 për t’i krijuar vetë këngët për grupin dhe këngëtarë të tjerë, nuk ia priste mendja se Albani, vëllai i tij i vogël, do t’i shndërrohej në bashkëpunëtorin më të besuar.As se ai do të krijonte grupin “Produkt 28” e aq më pak se pikërisht vëllai i vogël do shndërrohej në çelësin e suksesit të studios së tyre, duke realizuar së bashku shumë produksione muzikore , Flori si tekstshkrues, ndërsa Albani si krijues i muzikës dhe orkestrues.
“Studion muzikore e kam hapur në vitin 2003 dhe ndihej nevoja për një studio krijuese. Në Tiranë kishte shumë pak të tilla. Falë asaj studioje, janë krijuar shumë hite në tregun muzikor shqiptar”, tregon Dr. Flori per "Mapo".
Por nuk e krijoi me idenë që ai dhe vëllai i tij Albani të bashkëpunonin. “Në atë kohë Albani ishte i vogël. E kisha vënë re pasionin e tij dhe dëshirën për të kënduar, por nuk kam dashur të ndikoj. Pasioni e bëri të përfshihej dhe e çoi studion një hap përpara”, pohon Flori. Tek Albani dëshira për të bashkëpunuar me të vëllanë ka nisur që herët. “Bashkëpunimi i parë muzikor mes nesh ka lindur me krijimin e grupit “Produkt 28”. Flori shkruante këngët tona. Ka qenë mbështetje e madhe për ne. Grupi ynë kishte lindur nën shembullin e “West Side Family”. Megjithatë, jemi përpjekur, të ndihmuar edhe nga Flori, që të ruajmë individualitetin tonë”, rrëfen Albani.
Pothuajse çdo krijim i grupit “West Side Family” ka dorën e Albanit dhe e njëjta gjë ndodh me “Produkt 28”, që shpesh mban firmën e Florit në tekstet e këngëve. “Me tim vëlla jo vetëm që mund të bashkëpunoj suksesshëm, por edhe mund të besoj se gjithçka mes nesh është e vërtetë, e sinqertë”, përfundon Flori. /Indeksonline/