E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëllezërit Miliband, në garë për kreun e laburistëve britanikë

Lidershipi Konfirmojnë pjesëmarrjen në garën që do të zhvillohet në shtator

Ed Miliband ka konfirmuar se ai do të marrë pjesë në konkurrimin për lidershipin e Partisë Laburiste kundër vëllait të tij më të madh, David, që ishte edhe sekretari i jashtëm gjatë qeverisë së fundit laburiste të Braunit. Ish-ministri i Energjisë ka deklaruar synimin e tij në një fjalim të një organizate të qendrës së majtë. Ai tha se Partia Laburiste duhet që ta rinovojë tërësisht veten dhe mbi të gjitha ajo duhet që të jetë e qartë dhe e ndershme në lidhje me shkallën e humbjes së fundit në zgjedhjet e përgjithshme. Ai tha se do të ishte shumë i gatshëm që të shërbente edhe nën drejtimin e David Milibandit, vëllait të tij të madh, nëse ky i fundit do t’i fitonte zgjedhjet brenda partisë. Ndërkohë, premtoi që i gjithë garimi do të ishte i civilizuar. Dy vëllezërit, Ed dhe David, janë dy personat e vetëm që deri më tani kanë njoftuar për pjesëmarrjen e tyre në konkurrimin për vendin e kreut të Partisë Laburiste. Aktualisht lideri i partisë është Gordon Braun, i cili ka deklaruar pasi partia humbi zgjedhjet, se do të dorëhiqet në mbledhjen e radhës që do të zhvillohet në shtator. Ed Miliband, 40 vjeç, mbajti një fjalim me këtë rast të shtunën dhe në të ai tha se në thelb partia kishte humbur kontaktin me vlerat që dikur i kishin shoqëruar si një forcë progresiste në politikë, si dhe me vetë njerëzit që duhet të përfaqësonin në Parlament. Ai tha se laburistët duhet të kishin guximin të përballeshin me faktin se kishin humbur besimin e njerëzve në mënyrë katastrofike si në rastin e luftës në Irak, ashtu edhe në rastin e skandalit të shpenzimeve të paligjshme të parlamentarëve. Ndër të tjera, sipas tij, laburistët nuk duhet që t’ia lejonin vetes që të ndaheshin. “Ne duhet të lemë pas gjithë çështjet e së shkuarës Brel/Braun dhe të ecim përmes ideve të reja”, ka deklaruar ai. Ndërkohë, edhe ish-ministra të tjerë të kabinetit të Braunit kanë konfirmuar se janë duke u menduar për të hedhur kandidaturat e tyre për kreun e partisë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›