E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtuar detit...

Sfida ndaj artit të rrugës, komercialitetit që gjithnjë e më shumë po zbeh vlerat artistike ka marrë jetë me çeljen e një ekspozite pikture në Durrës, në një nga zonat bregdetare më të frekuentuara gjatë sezonit turistik. Me pjesëmarrjen e piktorëve të mëdhenj si Omer Kaleshi, Pashk Përvathi, Buron Kaceli, Kujtim Buza etj., salloni i quajtur “Arte” ka pritur “Koloninë e piktorëve në ditën e detit” Arti sjell Omer Kaleshin në Durrës

Në Ditën e Detit, Durrësi ka pritur piktorë të mirënjohur shqiptarë brenda dhe jashtë vendit me punimet e tyre dedikuar detit dhe peizazheve që ofron ai. Sfida ndaj artit të rrugës, komercialitetit që gjithnjë e më shumë po zbeh vlerat artistike ka marrë jetë në çeljen e një ekspozite pikture në një nga zonat bregdetare më të frekuentuara gjatë sezonit turistik. Përmes artit figurativ dhe së bukurës që ai ofron, organizatori i kësaj ekspozite të parë është udhëhequr edhe nga dëshira e kultivimit të shijeve dhe ofrimit të një salloni arti për të gjithë pushuesit, vendas e të huaj, turistë ditorë dhe të qëndrueshëm. Të sfidosh erën e qebapit, e muzikës tallava dhe zhurmës duke ofruar art të mirëfilltë figurativ. Ky është synimi kryesor i çeljes së sallonit “Arte” në plazh në të njëjtën ditë që në Durrës tradicionalisht ka shënuar hapjen e sezonit të plazhit. Ekspozita është çelur në ambientet e sallonit “Arte” në plazhin e Durrësit ku mes emrave të njohur të pikturës spikat ai i Omer Kaleshit, piktorit nga Kërçova e Maqedonisë që jetën artistike e zhvillon në një nga kryeqytetet e artit botëror, në Paris. “Kolonia e piktorëve në ditën e detit” ka mbledhur në plazhin e Durrësit 38 piktorë me afro 80 punime që mbështeten në tematikën e përzgjedhur nga ideatori dhe administratori i këtij aktiviteti artistik dhe sallonit “Arte”, piktori çaush Vathi, i cili tregon për “Shqip” sfidën e tij dhe atë të shumë piktorëve që duan të përçojnë te njerëzit artin e vërtetë, veçanërisht në një zonë turistike siç është Durrësi dhe plazhi i tij.

Pse kjo koloni e piktorëve në Durrës?

Kolonitë artistike organizohen nga shoqata apo individë dhe përbëjnë një praktikë të njohur botërore që së fundmi po praktikohet edhe në vendin tonë. Janë 38 piktorë më lejoni të përmend disa prej tyre: të madhin Omer Kaleshi, Pashk Përvathin, Buron Kacelin, Kujtim Buzën, Agim Shamin, Nikolin Ivanajn, Musa Qarrin, Agim e Zhaneta Kadillarin etj. Nga Ulqini i Malit të Zi vjen Mehmet Aloja, ndërsa nga Kosova Zymer Mulliqi. Ata sjellin punime të ndryshme të realizuara në akrilik, vaj, akuarel, pastel dhe grafikë dhe të gjithë i bashkon tema e kolonisë, Dita e Detit. Në këtë ekspozitë, piktorët paraqiten me mbi dy punë. Ekspozita “Kolonia e piktorëve në Ditën e Detit” është e para e sallonit “Arte”.

Si kontaktuat me piktorin shqiptar të përmasave botërore, Omer Kaleshi?

Përmes piktorit Buron Kaceli. Kaleshi ka mbaruar shkollën me Sadik Kacelin, të atin e Buronit. Ai është quajtur piktori i kokave, pasi gjithmonë pikturon kokat, portretin e njerëzve atë që më së miri shfaqet në të.

çfarë risie synon të sjellë çelja e këtij salloni me emër domethënës në atmosferën e një sezoni turistik?

Së pari, vlerësimin që i bëhet qytetit bregdetar antik për vlerat piktoreske që mbart, njohja e piktorëve me to, por edhe e turistëve përmes artit të piktorëve, skulptorëve. Në plazhin e Durrësit gjatë sezonit turistik lulëzon një art i keq që cenon rëndë shijet për të bukurën. Ka një ndërthurje të shëmtuar muzikore që lokalet e shumta ta ofrojnë dhe kur nuk je ulur në to. Nuk ka gjë më të bukur se t’u ofrosh turistëve, pushuesve Durrësin artistik.

Si lindi ideja e hapjes së këtij salloni?

Fillimisht e hapa si një punishte arti dhe deri te çelja e sallonit një ndihmesë, mbështetje të madhe më ka dhënë piktori dhe miku im, Pashk Përvathi. Sot në këtë sallon që ofron mbështetje, material pune dhe ekspozim e menaxhim të artit të tyre janë afro 50 anëtarë, artistë nga treva të ndryshme të vendit dhe atyre shqiptare në rajon. Unë kam punuar si piktor për disa vjet në Itali dhe më pak në Greqi. E njoh shumë mirë trajtimin ose më mirë shfrytëzimin që u bëhet piktorëve tanë jashtë, ashtu si dhe vështirësitë e shumta që hasin artistët në vendin tonë. Puna si piktor në Itali më dha mundësi dhe të mirënjihem me praktikat botërore të artit dhe menaxhimit të tij. Në përgjithësi, piktorët përballen me shumë vështirësi dhe nuk stimulohen në artin e tyre aspak nga shteti. Sapo një artist merr një ambient me qira menjëherë në derën e tij mësyjnë tatimorët pa i dhënë mundësi që të ushtrojë qetësisht artin e vet për një periudhë të caktuar e më pas të përballet me këto. Në këtë kuadër lindi dhe ideja e çeljes së një salloni që besoj se do të jetë një mundësi shumë e mirë për anëtarët e sallonit dhe piktorë të tjerë që do të afron, por edhe për qytetarët e turistët.

Sa do të qëndrojë e hapur ekspozita “Kolonia e piktorëve…”?

Punimet do të vazhdojnë të ekspozohen për një kohë të pacaktuar në sallon duke u dhënë mundësinë artdashësve, por edhe qytetarëve e pushuesve vendas e të huaj të njihen me Durrësin, detin dhe peizazhin e tij përmes artit figurativ dhe pse jo të zbukurojnë me këtë art ambientet ku jetojnë e punojnë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›