Velo: Pazari i Korçës, në duart e amatorëve
Restaurimi i Pazarit të Korçës shkakton reagime tek specialistët e monumenteve. Arkitekti, Maks Velo, thotë se restaurimi që po bëhet në mënyrë jo profesionale, "ka një neglizhencë të jashtëzakonshme nga Këshilli Bashkiak dhe kryetari i Bashkisë së Korçës, të cilët shohin interesat lokale për zgjedhje ose për problemet e tyre personale"
Një bllok ndërtesash të Pazarit të Korçës i janë nënshtruar procesit të restaurimit. Dhe kjo do të ishte një nismë e mirë nëse procesi do të zhvillohej siç duhej.
Sipas arkitektit Maks Velo, ky restaurim nuk po bëhet mbi baza shkencore. Ai, së bashku me specialistë të Monumenteve të Kulturës, Artan Shkreli dhe Auron Tare, kanë udhëtuar drejt Korçës për të protestuar ndaj kësaj ndërhyrjeje.
Arkitekti tregon se njerëzit që po merren me restaurimin e këtij blloku ndërtesash nuk janë specialistë dhe rrezikojnë dëmtimin e mëtejshëm të Pazarit të Korçës. Velo thotë se, nëse nuk ndërhyhet menjëherë në këto ndërtesa, Pazari i Korçës rrezikon të zhduket. Më tej, ai tregon disa nga problemet e këtij restaurimi dhe pasojat.
Z. Velo, ju sapo jeni kthyer nga Korça. Mund të na tregoni se në çfarë gjendjeje është pazari i këtij qyteti, pas fillimit të restaurimit?
Puna aty po bëhet në mënyrë antishkencore, jo profesionale, krejtësisht amatore. Punëtorët po thyejnë tullat që të lehtësojnë bërjen e kornizave, suvaja nuk është në të njëjtin nivel me kornizat e gurit që janë nëpër dritare. Për më tepër, ata nuk shkuan në çati dhe pa ndërhyrë në çati nuk mund të bëhet kjo punë. Ka një seri gjërash që nuk po bëhen ashtu siç duhet.
E para, duhet të hiqen familjet që janë aty. E dyta, duhet të hiqen tezgat e tregtarëve dhe pastaj të fillohen operacionet e tjera. Restaurimi duhet bërë në mënyrë shumë shkencore, duke filluar që nga strukturat mbajtëse. Sepse nuk është puna për të bërë një arnë jashtë me suva ose me lyerje.
Duhet parë gjithë struktura e muraturës, çatia, sistemi i mbajtjes. Konkretisht, ministria ka dhënë një shumë prej 4 milionë lekësh për të restauruar një bllok, një kuadrat me ndërtesa, gati gjashtë dyqane.
Përse po vihet dorë vetëm mbi këtë bllok ndërtesash?
Është një bllok që nuk është zënë nga romët, është i lirë. Nuk është i vetmi vend i lirë, por me sa duket, ai blloku ishte i vogël, ishte i pazënë dhe ata mund të punonin.
Ka një neglizhencë të jashtëzakonshme nga Këshilli Bashkiak dhe kryetari i Bashkisë së Korçës, të cilët shohin interesat lokale për zgjedhje ose për problemet e tyre personale. Dhe në vend që Korça të jepte shembullin si qytet i kulturës dhe i shkollës së parë shqipe, ajo është në fund.
Kush po e realizon restaurimin?
Dega e Institutit të Monumenteve në Korçë. Është tenderuar një skuadër private, e cila po bën këto punime. Ata nuk dinë se çfarë është monumenti, janë ndërtues të thjeshtë që përpiqen. Ministria, Instituti i Monumenteve, kanë bërë gjithë ato kurse, specializime, kanë ardhur të huaj pafund dhe kur vjen puna për praktikë, ia lënë në dorë një ekipi pa përvojë.
Në cilën fazë është restaurimi?
Ata po vazhdojnë punën dhe besoj se do ta përfundojnë brenda këtyre 10 ditëve. Gjithë problemi është që, nëse Pazari i Korçës do të vazhdojë të restaurohet në këtë mënyrë, ai do të marrë fund.
Unë kam shkuar në Pazarin e Manastirit, të Janinës dhe të Ohrit, dhe kam parë që aty është bërë një punë perfekte në të gjitha drejtimet, në mënyrë që ato pazare të jetojnë shumë gjatë. Kanë bërë punime të sakta dhe jo sa për të kaluar radhën dhe për të gënjyer njëri-tjetrin.
Kjo ndërhyrje po i ndryshon pamjen Pazarit të Korçës?
Problemi është që ky restaurim nuk duhet të vazhdojë më. Është si një i sëmurë që kurohet keq. Ai vazhdimisht dëmtohet, në vend që të shërohet. Mua më shqetëson fakti që bëhen veprime pa përgjegjësi, kur ne kishim pritur kaq vite që të fillojë restaurimi dhe më së fundi fillon në mënyrën më skandaloze.
Sa herë të tjera është ndërhyrë në këto ndërtesa?
Janë bërë punime gjatë periudhës së diktaturës dhe ka qenë një nga ansamblet që është ruajtur më mirë, që është studiuar në mënyrë të plotë dhe që i janë bërë disa restaurime.
Gjendja në të cilën është tani erdhi pas viteve '90-të, kur atje u vendosën romët. Pastaj gjithë pazari filloi të mbushej me tezga. Objektet pak ishin të degraduara dhe këto vitet e fundit është në gjendje të keqe.
Unë do të thosha që pazari mund të shpëtohet në qoftë se ka dëshirë të vërtetë për ta shpëtuar.
Cila është vlera e Pazarit të Korçës?
Mua më pëlqen, sepse ka një racionalizëm. Megjithëse është një arkitekturë mesjetare, e fundit të Mesjetës, sheh që ata mjeshtrit kanë qenë jashtëzakonisht racionalë në kompozim, në detaje. Kanë qenë shumë të saktë. Shpreh një kulturë të jashtëzakonshme. Ky Pazar e pasuron jashtëzakonisht Korçën, në kuptimin e qytetit, i cili merr një dimension tjetër.
Në qoftë se vihet të funksionojë ai Pazar për shërbime sociale, tregtare, artizanale turistike, do të ishte një gjë e shkëlqyer. Do të fillonin punë shumë njerëz, do stimulohej artizanati, gatimet lokale, fjetja nëpër hane, etj.
Femra në pikturën e Hasan Nallbanit
Piktori Hasan Nallbani prezanton sot, në orën 19:00, në Galerinë Kombëtare të Arteve, ekspozitën vetjake "2006-2009". Në këtë ekspozitë paraqiten 68 piktura, të cilat kanë në fokus realitetin urban. Më së shumti Nallbani është ndalur në figurën e femrës në shoqërinë e sotme.
"Për mua subjekti më prezantues, më karakterizues i jetës sonë, është femra. Ajo përcjell më shumë problematikën e kohës, në aspektin familjar dhe shoqëror", - u shpreh Nallbani. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 16 qershor 2009.
Një dokumentar për shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë
Me rastin e Festës Kombëtare të Izraelit, sot, në orën 18:30, në Muzeun Historik shfaqet filmi dokumentar, "Nëse të gjithë do të ishin sjellë si shqiptarët".
Realizimi i këtij dokumentari është pjesë e një kërkimi pasuniversitar i spikeres dhe gazetares së kanalit televiziv "Top Channel", Monika Stafa, e cila tenton të shpjegojë se çfarë ngjau me hebrenjtë në Shqipëri gjatë luftës, duke identifikuar dhe përzgjedhur burime të shumëllojshme, si dhe të dhëna gojore të mbledhura prej trashëgimtarëve të familjeve që patën një rol protagonisti në gjithë këtë histori.
Shfaqja e këtij dokumentari bëhet e mundur në sajë të Konsullatës së Nderit të Izraelit dhe shoqërisë "Art-link".
"Angels & Demons" në Millenium
Pak ditë pas premierës botërore, filmi "Angels and Demons" vjen në Tiranë. Filmi fillon të shfaqet nesër në kinema Millenium. Përshtatja kinematografike e librit me të njëjtin titull të shkrimtarit Dan Brown, është konsideruar vijim i filmit "Kodi i Da Vinçit".
Edhe ky film mban firmën e regjisorit Ron Howard, i cili ka zgjedhur sërish për protagonist aktorin Tom Hanks. Profesor Langdon këtë herë duhet të zbulojë se çfarë fshihet pas një vrasjeje misterioze dhe të parandalojë një atentat me bombë në zemër të Vatikanit.