E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre fierakët, në gjyq për trafik droge

Akuzohen se tentuan të trafikonin në drejtim të greqisë 100 kg marijuanë



TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, përfundoi hetimet dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të pesë të pandehurve fierakë të akuzuar për "trafik të lëndëve narkotike" dhe "moskallëzim krimi" në bashkëpunim.


Sipas kërkesës për gjykim, që "Shekulli" ka siguruar një kopje, mësohet se i pandehuri Ervin Hoxha, ka tentuar që me anë të katër "korrierëve", Klevin Tomorri, Andi Nazeraj, Shkëlzen Lamçe dhe Ervin Saliaj, të kalojë në Greqi 101 kg hashash në rrugë tokësore.


"Nga aktet e hetimit paraprak rezulton se më datën 8 dhjetor 2008 në vendin e quajtur Ceçem, në anë të rrugës Vrisera - Llongo të komunës Dropull në Gjirokastër, është gjetur i braktisur një automjet, tip "Nissan Mikra" me targa "TR 8710 L".


Automjeti është gjetur i braktisur dhe brenda tij janë gjetur katër çanta me lëndë narkotike të llojit hashash, ku pas peshimit të saj ka rezultuar se sasia në total kap 101 kg lëndë narkotike",-thuhet në kërkesën për gjykim.


Sipas kësaj dosjeje, mësohet se pas sekuestrimit të kësaj makine dhe lëndës narkotike, është kryer kontroll i makinës, ku brenda saj është gjetur akt-shitja e makinës, ku si blerës rezulton i pandehuri Ervin Hoxha.


Me gjetjen e këtyre dokumenteve, policia ka zbarkuar në banesën e të pandehurit Hoxha, të cilin nuk e kanë gjetur aty dhe e kanë shpallur në kërkim. Më pas, në rrugë operative, policia ka identifikuar katër të pandehurit e tjerë, Klevin Tomorri, Andi Nazeraj, Shkëlzen Lamçe dhe Ervin Saliaj.


Pas identifikimit dhe arrestimit të tyre, të pandehurit kanë treguar "pazarin" e bërë me të pandehurin Hoxha, i cili kishte premtuar kundrejt dërgimit të katër çantave hashash matanë kufirit greko-shqiptar një shumë parash prej 1 mijë euro.


"Nga thëniet në cilësinë e personave nën hetim të bëra nga të pandehurit Tomorri, Nazeraj, Lamçe dhe Saliaj, rezulton se i pandehuri Ervin Hoxha, në datë 7 dhjetor 2008, një ditë para ngjarjes, ka takuar të pandehurit e tjerë dhe i ka premtuar se do të shkonin në Greqi më datë 8 dhjetor 2008, dhe gjatë kalimit të kufirit do t'i jepte nga një çantë me hashash për të kaluar kufirin. Si shpërblim ata do të merrnin nga 1000 euro.


Të nesërmen, të katër të pandehurit e sipërpërmendur kanë vajtur në Gjirokastër me automjete të ndryshme dhe kanë pritur në stacionin e furgonave në Gjirokastër që të vinte i pandehuri Hoxhaj. Të katër personat kanë pritur gjatë por Ervin Hoxha nuk ka vajtur, pasi kishte braktisur makinën, meqë kishte pikasur policinë".

Ervin Hoxha (Kalalis), i akuzuar për "Trafikim të narkotikëve"
Klevin Tomorri, i akuzuar për "Moskallëzim të krimit" në bashkëpunim
Andi Nazeraj, i akuzuar për "Moskallëzim të krimit" në bashkëpunim
Ervin Saliaj, i akuzuar për "Moskallëzim të krimit" në bashkëpunim
Shkëlzen Lamçe, i akuzuar për "Moskallëzim të krimit" në bashkëpunim

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›