Vendbanimi i Vashtmisë, një nga qendrat më të rëndësishme të prehistorisë shqiptare

Vendbanimi i Vashtmisë në bashkinë Maliq është cilësuar si vendbanimi më i hershëm në fushë pellgun e Korçës.
Arkeologu, Florenc Cenolli thotë se në këtë rezultat kanë arritur pas kryerjes së analizave c14 ku rezultoi se ky vendbanim ishte më i hershëm se ai i Podgories.
“Vendbanimi i Vashtmisë është më i vjetri, kështu kemi konstatuar gjatë gërmimeve arkeologjike në vitet 2009-2010 nga pala shqiptaro-amerikane që gërmoi këtu. Kemi të bëjmë me një qeramikë monokrome”, tha Cenolli.
Cenolli thotë më tej se vendbanimi i Vashtimisë i përket neolitit të hershëm.
“Kemi të bëjmë me vendbanimin më të hershëm në rajonin e Korçës. Kemi të bëjmë me një vendbanim të periudhës së neolitit të hershëm, një nga fermat më të hershme në rajonin e Shqipërisë, por edhe mbare europian”, tha ai..
Në fushën e Maliqit, arkeologu Frano Prendi ka bërë disa studime, të cilat janë të botuara tek libri “Studime Arkeologjike”, një botim i Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë.
/rtsh.al/