Vendet e Evropës Lindore dhe problemet e qeverisjes së mirë
Ndërkohë
që vendet e bllokut lindor, njëri pas tjetrit hodhën poshtë komunizmin dhe
dominimin e ish-Bashkimit Sovjetik, ato kërkojnë t'i bashkohen organizatave si
NATO dhe Bashkimi Evropian. Për disa prej këtyre vendeve, si Polonia, Republika
Çeke dhe Hungaria, kjo ishte relativisht e lehtë, por të tjerë ende përballen
me probleme të qeverisjes së mirë dhe të shoqërisë civile.
Gazetari bullgar, Ilin Stanev, korrespondet i gazetës së përditëshme Dnevnik dhe asaj të përjavshme Kapital, thotë se sfida më e madhe mund të karakterizohet si mungesë kurajoje. Dhe në fakt, thotë ai, të gjithë e dine se çfarë duhet bërë, por mungon vullneti.
"Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë jashtë kontrollit, sepse shoqëria civile nuk kishte forcën e duhur për t'i luftuar. Problemi qëndron në faktin se demokracia në Bullgari nuk është aq e fortë. Kur flet për demokraci, zakonisht mendohet për zgjedhje të lira. Kjo është vetëm pjesa e dukshme e ajzbergut. Nën nivelin e detit duhet të flitet për zbatimin e ligjit dhe shoqërisë civile. Është e pamundur ta detyrosh administratën shtetrore të luftojë krimin e organizuar. Të gjithë e dinë çfarë duhet bërë, por duhet kurajo”.
Në Bukuresht, analistja rumune Suzanë Dobre, drejton një grup pune, që promovon qeverisjen e mirë dhe integritetin në arenën politike. Ajo thotë se nën presionin për plotësimin e kërkesave për anëtarësi në Bashkimin Evropian, Rumania miratoi ligje për të luftuar padrejtësinë dhe korrupsionin, por fatkeqësisht kjo përpjekje nuk është mbështetur.
"Pas 2007-ës, ne vumë re një rënie të vullnetit polik për ta vazhduar atë, një dëshirë për të ngadalësuar reformat e filluara përpara anëtarësimit. Ndoshta, sfida kryesore për Rumaninë është, krijimi i një klase politike, e gatshme të vazhdojë reformat në këtë fushë”.
Por në fusha të tjera ka zhvillime pozitive, thotë Suzan Dobre. Për shembull, media në Rumani është më e hapur. Sidoqoftë, pronësia e mediave të mëdha shpesh është e lidhur me qeverinë ose partitë kryesore politike. Sipas saj, është e vështirë të thuhet sa të sakta dhe të balancuara janë informacionet, që jepen nga këto gazeta dhe rrjete televizive.
Në Bullgari, Ilin Stanev thotë se shtypi është përgjithsisht i lirë, por televizioni është një problem më vete.
"Televizioni publik influencohet nga qeveria, ndërsa kanalet private infuencohen nga politikat, si për shembull liçensimi e kështu me rradhë. Gazetat janë të lira, por ndodh që ato vetë censurohen”.
Gazetarja serbe, Svetllana Vukuviç, autore e programit Peshkanik në stacionin e pavarur Radio-92 në Beograd, thotë se Serbia përfaqëson një rast të veçantë në botën ish-komuniste.
"Vende si Bullgaria dhe Rumani, pas rënies së Murit të Berlinit në 1989, zgjodhën rrugën e demokratizimit dhe integrimit evropian. Por, Serbia zgjodhi nacionalizmin dhe luftën. Shumica e partive dhe financuesit e tyre ishin njerëz që u pasuruan nga lufta gjatë viteve 90-të. Shkatërrimi arriti kulmin me vrasjen e Kryeministrit Zoran Xhinxhiq në 2003. Ai ishte njeriu që këmbëngulte në integrimin evropian”.
Svetllana Vukuviç shpjegon se populli serb i rezistoi stilit të demokracisë evropiano-perëndimore dhe amerikane, pjesërisht për shkak se NATO, siç shpehet ajo, mori Kosovën tonë të çmuar.
"Qeveria e re mbështet plotësisht integrimin evropian, por në rrugë organizohen demonstrata të dhunshme dhe një pyetje e rëndësishme është nëse kjo qeveri do të jetë e aftë të reformojë shoqërinë serbe apo do të kemi zgjedhje të reja. Do të jepi apo jo pjesë e Evropës?
"Tani ne jemi një shoqëri e ndarë rreth këtij problemi”.Gjithashtu, për arsye se media në Serbi i përket partive politike, është është e vështirë që ajo të jetë e pavarur.
Pavarësisht
pengesave, ka njerëz në Serbi, Bullgari dhe Rumani dhe në shtetet e
ish-Jugosllavisë që vazhdojnë të luftojnë për demokraci dhe qeverisje të mirë.
Po shumë analistë perëndimorë besojnë se ndryshimi i vërtetë do të kërkojë që
udhëheqësit politikë të angazhohen për zbatimin e ligjit. //bsa//