E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Nënkryetarët e PS vodhën financat e organizatave që drejtonin

 

Kryeministri Sali Berisha i është rikthyer dje akuzave ndaj kundërshtarit të tij politik, Edi Rama, lidhur me kritikat e këtij të fundit për luftën kundër korrupsionit të ndërmarrë nga qeveria. Në vijim të turit të tij të inaugurimeve "Shqipëria po ndryshon", Kryeministri Berisha ka deklaruar nga Komuna Hotolisht në Librazhd se nënkryetarët e PS-së kanë vjedhur financat e organizatave që kanë drejtuar, ndërsa për Ramën deklaroi se ka shpenzuar 2.5 milionë euro për të pastruar karrierën e tij politike. "Njeriu që ka shpenzuar më shumë se 2.5 milionë euro për fushatë për të bërë tualetin e karrierës së tij të politike, që as sallonet e Hollivudit nuk mund ta shpëtojnë dot nga rrënimi, i sulet luftës që ne po bëjmë kundër korrupsionit dhe mobilizon tenderlëpirës dhe gjakbërës apo nënkryetarët e tij, që pasi vjedhin financat e organizatës që drejtojnë, vjedhin edhe kompjuterin e financave, sepse u del vila e vjedhur në shesh.  Kjo është një luftë e pandershme", u shpreh Kryeministri Berisha. Në të njëjtën kohë, kreu i qeverisë, duke iu adresuar kreut të Bashkisë së Tiranës dhe Partisë Socialiste tha se: "Kryetari me korrespondencë i Bashkisë së Tiranës del dhe thotë se, përse Kryeministri iu bën ju thirrje që ta luftojmë korrupsionin. Më lejoni t`i them nga kjo tribunë: Zoti Rama lufta kundër korrupsionit është beteja e jetës time! Asgjë nuk mund të bëj unë më shumë për njerëzit e lirë se sa t`i mbroj ata dhe të luftoj së bashku me ta korrupsionin. Lufta kundër korrupsionit u faktua në këto tre vjet se është leva e Arkimedit për të ndryshuar Shqipërinë. Lufta kundër korrupsionit do të jetë leva e Arkimedit për ta shndërruar Shqipërinë në një vend të zhvilluar dhe modern". Gjatë turit të tij në Librazhd, Kryeministri Berisha përuroi përfundimin e punimeve në shkollën e mesme të Komunës së Hotolishtit, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 12 milionë lekë, përfundimin e punimeve për ndërtimin e rrugës së fshatit Rrajcë, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 20 milionë lekë si dhe përfundimin e punimeve për ndërtimin e ujësjellësit të Komunës së Qukësit në Librazhd, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 27 milionë lekë. Duke nënvizuar se lufta kundër korrupsionit ka krijuar mundësi të mëdha për investime të mëdha, Kryeministri ftoi qytetarët që të vazhdojnë mbështetjen për këtë betejë. Berisha siguroi banorët e kësaj zone se, qeveria do t`u mundësojë atyre që pasuritë e tyre të ecin më shpejt drejt tregut dhe kompanitë e mëdha të investojnë në të gjitha burimet e tyre, turistike, ujore e minerare.        a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›