Vendime dhe projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave
- Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi vendimet dhe projektligjet si mëposhtë:
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR. 1282, DATË 23.12.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KUOTËN E PRANIMIT DHE TARIFËN E SHKOLLIMIT NË PROGRAMET E CIKLIT TË TRETË, TË STUDIMEVE SPECIALIZUESE AFATGJATA, NË FAKULTETIN E MJEKËSISË, TË UNIVERSITETIT TË TIRANËS, PËR VITIN AKADEMIK 2009-2010”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 26, pika 1.3.2, 34, 35 dhe 75, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 1 e vendimit nr.1282, datë 23.12.2009, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Kuota e pranimit në programet e ciklit të tretë, të studimeve specializuese afatgjata, në Fakultetin e Mjekësisë, të Universitetit të Tiranës, të jetë 446, e ndarë në specialitete, sipas shtojcës nr.1/1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.”.
2. Kuotat e paplotësuara rishpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
3. Efektet financiare, për zbatimin e këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Universitetit të Tiranës, pa efekte buxhetore shtesë.
4. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Universiteti i Tiranës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.140, DATË 17.2.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FINANCIMIN E SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE SPITALORE NGA SKEMA E DETYRUESHME E SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 4, pika 2, shkronja “c”, e 26, të ligjit nr.7870, datë 13.10.1994, “Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë“, të ndryshuar, të nenit 26 të ligjit nr.9106, datë 17.7.2003, “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 5, të ligjit nr.10355, datë 2.12.2010, “Për buxhetin e vitit 2011”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave.
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.140, datë 17.2.2010, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a. Fjalia e parë e pikës 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Buxheti për shërbimet spitalore, për vitin 2011, jepet me hollësi, sipas shtojcës 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.”.
b. Pika 17 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“17. Spitalet dhe Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor janë të detyruar të llogarisin koston e çdo shërbimi, në përputhje me standardet e caktuara nga Ministria e Shëndetësisë, brenda 6-mujorit të parë të vitit 2011.”.
c. Pika 20 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“20. Numri i përgjithshëm i punonjësve të spitaleve, për vitin 2011, të jetë i pandryshuar, krahasuar me vitin 2010.”.
2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave dhe Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë, botohet në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2011.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E TARIFËS DHE TË RREGULLAVE PËR PAGIMIN E SAJ NË NJË PROCEDURË ANKIMI NDAJ PROCEDURAVE TË ANKANDIT PUBLIK APO VENDIMEVE PËR PËRJASHTIM NGA TO, PRANË KOMISIONIT TË PROKURIMIT PUBLIK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 42, pika 9, të ligjit nr.9874, datë 14.2.2008, “Për ankandin publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ankesa e paraqitur në rrugë elektronike, pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KKP), nga çdo person që ka ose ka pasur një interes të ligjshëm në një procedurë ankandi, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në ligjin nr.9874, datë 14.2.2008, “Për ankandin publik”, të ndryshuar, duhet të përmbajë dokumentin bankar që vërteton pagesën paraprake të tarifës përkatëse.
2. Përjashtimisht, kur legjislacioni në fuqi parashikon një mjet tjetër komunikimi, ankesa e paraqitur pranë Komisionit shoqërohet me dokumentin bankar, që vërteton pagesën paraprake të tarifës përkatëse, në numrin e llogarisë së KPP-së.
3. Tarifa për shqyrtimin e ankesës nga KPP-ja është 0.5% e vlerës së fondit limit të procedurave të ankandit që ankimohet.
4. Parapagimi i tarifës nga ankuesi përbën element të domosdoshëm për paraqitjen e ankesës, ndërsa moskryerja e saj përbën shkak për mospranimin e ankesës nga KKP-ja.
5. Pagesa e tarifës i kthehet ankimuesit kur, në fund të procesit të ankimit, ankesa e tij pranohet.
6. Kur ankesa nuk pranohet, të ardhurat e arkëtuara nga tarifa e ankimimit derdhen 100% në buxhetin e shtetit.
7. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Komisioni i Prokurimit Publik për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E AUTORITETEVE DHE TË PËRGJEGJËSIVE PËR MENAXHIMIN E DECENTRALIZUAR TË ASISTENCËS SË BASHKIMIT EUROPIAN NË KUADRIN E IPA-SË, KOMPONENTI II: BASHKËPUNIMI NDËRKUFITAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 6 e 8, të “Marrëveshjes kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Komuniteteve Europiane për rregullat e bashkëpunimit për asistencën për Shqipërinë, në kuadër të zbatimit të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA)”, të ratifikuar me ligjin nr.9840, datë 10.12.2007, me propozimin e ministrit të Integrimit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Autoritetet dhe strukturat përgjegjëse për komponentin II të IPA-së: bashkëpunimi ndërkufitar janë:
1. Autoritetet
1.1 Koordinatori Kombëtar i IPA-së (NIPAC)
NIPAC-ja/Ministri i Integrimit është përgjegjës për koordinimin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në programet ndërkufitare.
1.2 Koordinatori i Bashkëpunimit Ndërkufitar (BNK)
a) Koordinator BNK emërohet zëvendësministri i Integrimit, me urdhër të brendshëm të NIPAC-së;
b) Koordinatori BNK ka përgjegjësinë e përgjithshme për të siguruar:
i. koherencën dhe koordinimin e programeve ndërkufitare, komponenti II i IPA-së;
ii. Koordinimin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në programet ndërkufitare, si me shtetet anëtare të BE-së ashtu edhe me vendet e tjera përfituese, si dhe në programet transnacionale, në kuadër të instrumenteve të komunitetit.
1.3 Drejtuesi i Strukturës Operuese (DSO)
a) Drejtues i Strukturës Operuese emërohet sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Integrimit, me urdhër të brendshëm të NIPAC-së;
b) DSO-ja ka këto funksione:
i. Koordinon dhe mbikëqyr funksionimin e njësisë BNK dhe të Agjencisë Zbatuese, të kryesuar nga Zyrtari i Programit i Autorizuar (ZPA);
ii. Siguron funksionimin e duhur të SO-së dhe raporton tek ZKA-ja dhe NIPAC-ja/Ministri i Integrimit.
1.4 Përgjegjësi i Njësisë së Bashkëpunimit Ndërkufitar (PNJBNK)
a) Përgjegjësi i sektorit të bashkëpunimit rajonal, në Ministrinë e Integrimit, emërohet përgjegjës i njësisë BNK, me urdhër të brendshëm të ministrit të Integrimit;
b) PNJBNK-ja ka këto funksione:
i. Merr vendimet operative në lidhje me programimin dhe monitorimin, në nivel programi;
ii. Është përgjegjës për vendimmarrjen e Shqipërisë në lidhje me funksionet e Komitetit të Përbashkët Monitorues (KPM), të përcaktuara në nenin 142 (5) (shkronjat b-d dhe g-h), të rregullores zbatuese IPA;
iii. Garanton kontrollin dhe mbikëqyrjen adekuate të Sekretariatit të Përbashkët Teknik (SPT) në asistimin e Strukturës Operuese dhe KPM-së në kryerjen e këtyre funksioneve.
1.5 Zyrtari i Programit i Autorizuar (ZPA)
a) Agjencia Zbatuese (DFFK) kryesohet nga Zyrtari i Programit i Autorizuar (ZPA);
b) ZPA-ja ka këto funksione:
i. Është përgjegjës për ligjshmërinë, rregullsinë dhe menaxhimin e shëndoshë financiar të çdo transaksioni zbatimi, kryesisht, të kontratave dhe të pagesave;
ii. Merr vendimin përfundimtar për qëndrimin e vendit përfitues në Komitetin e Përbashkët Monitorues (KPM) pas konsultimit me anëtarët e tjerë të KPM-së nga Shqipëria, dhe, konkretisht, me njësinë BNK, për shqyrtimin, miratimin dhe rishikimin e kritereve për përzgjedhjen e operacioneve që do të financohen nga programet BNK, në zbatim të nenit 142 (5), shkronjat “a” dhe “f”, të rregullores zbatuese IPA;
iii. Ka autoritetin dhe përgjegjësinë të ushtrojë mbikëqyrje të sistemeve që përdoren nga aktorët, sidomos nga SPT-ja, të cilët fillojnë ose verifikojnë transaksione financiare përpara vendimit të tij/saj;
iv. Ka autoritetin dhe përgjegjësinë të përcaktojë modalitetit procedurale se si do të bëhet mbikëqyrja e sistemeve të lartpërmendura.
1.6 Zyrtari Kombëtar i Akreditur (ZKA)
a) ZKA-ja është drejtues i Fondit Kombëtar (FK);
b) ZKA-ja mban përgjegjësi për menaxhimin e përgjithshëm financiar të fondeve të Bashkimit Europian në Shqipëri. Ai është përgjegjës për ligjshmërinë, rregullsinë e transaksioneve që lidhen me këto fonde, në përputhje me nenin 25 (2), shkronja “a”, të rregullores zbatuese IPA;
c) ZKA-ja do të ushtrojë të njëjtat kompetenca që përcaktohen në vendimin nr.719, datë 18.6.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e funksioneve, të përgjegjësive dhe të marrdhënieve ndërmjet autoriteteve dhe strukturave të menaxhimit të decentralizuar të IPA-së, komponenti I”.
2. Strukturat
2.1 Struktura Operuese (SO) për zbatimin e komponentit II të IPA-së: bashkëpunimi ndërkufitar
a) SO-ja është përgjegjëse për programimin, menaxhimin dhe zbatimin e programeve BNK, IPA, në përputhje me praktikat më të mira të parimeve të menaxhimit financiar, dhe e kryen funksionin e vet në pajtim me nenin 28, të rregullores zbatuese IPA;
b) SO-ja për programet BNK përbëhet nga dy njësi:
i. Njësia BNK
i/1. Njësia BNK përfaqësohet nga sektori i bashkëpunimit rajonal, në Ministrinë e Integrimit;
i/2. Njësia BNK mban përgjegjësinë për programimin dhe monitorimin, në nivel programi;
ii. Agjencia Zbatuese (AZ)
ii/1. Agjencia Zbatuese është Drejtoria e Përgjithshme e Financimeve dhe Kontraktimeve, në Ministrinë e Financave (DPFK);
ii/2. Agjencia Zbatuese (DPFK) është përgjegjëse për zbatimin financiar të programeve të bashkëpunimit ndërkufitar. Ajo ka përgjegjësinë për tenderimin dhe kontraktimin, pagesat, aspektet e kontabilitetit dhe të raportimit financiar që lidhen me prokurimin e shërbimeve, të mallrave, të punimeve e të granteve për pjesën e programeve të bashkëpunimit ndërkufitar;
ii/3. Agjencia Zbatuese (DPFK) do të kryejë të gjitha funksionet, siç përcaktohet në vendimin nr.719, datë 18.6.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e funksioneve, të përgjegjësive dhe të marrëdhënieve, ndërmjet autoriteteve dhe strukturave të menaxhimit të decentralizuar të IPA-së, komponenti I”.
2.2 Strukturat e përbashkëta të menaxhimit (SPM) për zbatimin e komponentit II të IPA-së: bashkëpunimi ndërkufitar
a) Për çdo program BNK, Shqipëria merr pjesë në Strukturën Operuese Shqiptare dhe Strukturën/at Operuese pjesëmarrëse në programe BNK që do të ngrenë SPM-të;
b) SPM-të do të mbikëqyrin zbatimin e programit përkatës BNK;
c) Për çdo program BNK, ku Shqipëria merr pjesë, SPM-të do të përbëhen nga dy struktura:
i. Komiteti i Përbashkët Monitorues (KPM)
i/1. KPM-ja i programit përkatës BNK ngrihet bashkërisht nga Struktura Operuese Shqiptare dhe struktura operuese që përfaqëson vendin përfitues pjesëmarrës në programin BNK;
i/2. KPM-ja, bashkë me strukturat operuese, siguron cilësinë e zbatimit të programit përkatës BNK;
i/3. KPM-ja është organi vendimmarrës i programit përkatës BNK;
i/4. KPM-ja përbëhet nga përfaqësues të autoriteteve kompetente kombëtare, rajonale dhe vendore, nga partnerë ekonomikë dhe socialë, si dhe nga çfarëdo organi që përfaqëson shoqërinë civile, në zbatim të nenit 142(3) dhe të nenit 87, të rregullores zbatuese IPA;
i/5. Përfaqësuesit e Strukturës (ave) Operuese, që marrin pjesë në programin përkatës BNK, janë anëtarë të KPM-së përkatëse;
i/6. Detyrat e KPM-së parashikohen në nenin 142, të rregullores zbatuese IPA dhe rregullohen me rregullore të brendshme, të miratuar me vendim të tij.
ii. Sekretariati i Përbashkët Teknik (SPT)
ii/1. Struktura Operuese Shqiptare dhe Struktura Operuese Pjesëmarrëse në programin përkatës BNK, do të krijojnë një SPT për të asistuar KPM-në përkatëse dhe strukturat operuese në kryerjen e përgjegjësive të tyre;
ii/2. KPM-ja është organi administrativ i programit BNK përgjegjës për menaxhimin e përditshëm;
ii/3. Detyrat e SPT-së rregullohen nga rregullorja e brendshme e tij;
ii/4. Rregullorja e brendshme e SPT-së do të hartohet bashkërisht dhe do të miratohet nga strukturat operuese pjesëmarrëse në programin përkatës BNK;
ii/5. SPT-ja mund të ketë një antenë, të vendosur në secilin shtet pjesëmarrës në programin BNK, e cila ka të njëjtat përgjegjësi dhe funksione si dhe SPT-ja;
ii/6. SPT-ja, bashkë me antenën, menaxhohet bashkërisht nga strukturat operuese pjesëmarrëse në programin përkatës BNK.
2.3 Fondi Kombëtar (FK)
a) FK-ja është përgjegjës për përmbushjen e funksioneve të menaxhimit financiar të asistencës IPA, siç është parashikuar në nenin 26, të rregullores zbatuese IPA;
b) FK-ja është nën përgjegjësine e ZKA-së, i cili është kryetari i NF-së, në përputhje me nenin 25 (2), shkronja “a”, të rregullores zbatuese IPA;
c) Fondi Kombëtar do të kryejë të gjitha funksionet siç përcaktohet në vendimin nr.719, datë 18.6.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e funksioneve, të përgjegjesive dhe të marrëdhënieve, ndërmjet autoriteteve dhe strukturave të menaxhimit të decentralizuar të IPA-së, komponenti I”.
II. Ndarja e detyrave ndërmjet organeve individuale, që përbëjnë Strukturën Operuese, do të bëhet me një rregullore të brendshme, në përputhje me dispozitat e përcaktuara në rregullat zbatuese të IPA-së. Rregullorja e brendshme do të miratohet nga ZKA-ja, pas konsultimeve me NIPAC-në/ ministrin e Integrimit.
III. Ngarkohen Ministria e Integrimit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT PËR ZBATIMIN E PËRBASHKËT TË PROGRAMIT NDËRKUFITAR IPA ADRIATIK, NË KUADËR TË KOMPONENTIT TË DYTË TË INSTRUMENTIT TË NDIHMËS SË PARAADERIMIT (IPA 2007-2013), BASHKËPUNIMI NDËRKUFITAR PËR SHQIPËRINË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, dhe të ligjit nr.10 152, datë 28.9.2009, “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Komuniteteve Europiane, për programin e bashkëpunimit ndërkufitar Adriatik, të Instrumentit të Ndihmës së Paraaderimit, IPA, komponenti II - bashkëpunimi ndërkufitar për Shqipërinë”, me propozimin e ministrit të Integrimit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së bashkëpunimit për zbatimin e përbashkët të programit ndërkufitar IPA Adriatik, në kuadër të komponentit të dytë të bashkëpunimit ndërkufitar nën Instrumentin e Ndihmës së Paraaderimit IPA (2007-2013), bashkëpunimi ndërkufitar për Shqipërinë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.618, DATË 7.9.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË DOKUMENTACIONIT DHE MASËS SË PËRFITIMIT TË PAGESËS PËR PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUAR”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës , të neneve 11, pika 1, e 20, pika 3, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, dhe të nenit 15, të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I
Paragrafi i fundit i pikës 17, të vendimit nr.618, datë 7.9.2006, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Pagesa për personat me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre, paguhet nga shërbimet bankare ose Posta Shqiptare, pranë njësive të qeverisjes vendore ku ka vendbanimin përfituesi.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2011.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.277, DATË 18.6.1997, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRFITIMET NGA STATUSI I TË VERBRIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I
Paragrafi i tretë, i pikës 4, të vendimit nr.277, datë 18.6.1997, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Pagesa e aftësisë së kufizuar, për të verbrit dhe kujdestarët e tyre, paguhet nga shërbimet bankare ose Posta Shqiptare, pranë njësive të qeverisjes vendore ku ka vendbanimin përfituesi.”
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2011.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.31, DATË 20.1.2001, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRFITIMET NGA STATUSI I I INVALIDIT PARAPLEGJIK DHE TETRAPLEGJIK”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 15, të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Statusi i invalidit, paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Paragrafi i dytë , i pikës 4, të vendimit nr.31, datë 20.1.2001, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Pagesa e aftësisë së kufizuar, në masën e përcaktuar në paragrafin e parë të kësaj pike, paguhet nga shërbimet bankare ose Posta Shqiptare, pranë njësive të qeverisjes vendore ku ka vendbanimin përfituesi.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2011.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.78, DATË 7.2.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MASËN, KRITERET DHE PROCEDURAT E PËRFITIMIT TË NJË PAKETE TË VEÇANTË HIGJIENO - SANITARE, PËR INVALIDËT PARAPLEGJIKË DHE TETRAPLEGJIKË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 9, të ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pika 2, e vendimit nr.78, datë 7.2.2007, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2.Pagesa shtesë, që përfitohet sipas pikës 1, të këtij vendimi, paguhet nga shërbimet bankare ose Posta Shqiptare, pranë njësive të qeverisjes vendore ku ka vendbanimin përfituesi.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2011.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.869, DATË 18.6.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ZBATIMIN E LIGJITNR.7889, DATË 14.12.1994, “PËR STATUSIN E INVALIDIT””, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të nenit 7, të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I
Pika 3, e vendimit nr.869, datë 18.6.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Pagesa e përfitimit të paaftësisë, për invalidin, paguhet nga shërbimet bankare ose Posta Shqiptare, pranë njësive të qeverisjes vendore ku ka vendbanimin përfituesi.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2011.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.787, DATË 14.12.2005, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE , “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE DHE TË MASËS SË NDIHMËS EKONOMIKE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 19, pika 3, 20, pika 2, 29, pika 10, e 35, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pika 23/1, e kreut III, të vendimit nr.787, datë 14.12.2005, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“23/1. Përfitimi i ndihmës ekonomike, në masën e përcaktuar në pikat 18, 19, 20, 21 dhe 22, të këtij vendimi, paguhet nga shërbimet bankare ose Posta Shqiptare, pranë njësive të qeverisjes vendore ku ka vendbanimin përfituesi.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe e shtrin efektet nga data 1 janar 2011.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KËSHILLIT TË EUROPËS, PËR ZYRËN E KËSHILLIT TË EUROPËS NË TIRANË DHE STATUSIN E SAJ LIGJOR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Europës, për zyrën e Këshillit të Europës në Tiranë dhe statusin e saj ligjor”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KËSHILLIT TË EUROPËS, PËR ZYRËN E KËSHILLIT TË EUROPËS NË TIRANË DHE STATUSIN E SAJ LIGJOR
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Europës, për zyrën e Këshillit të Europës në Tiranë dhe statusin e saj ligjor.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI (ÇOBA)
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE AGJENCISË SË NATO-S PËR MIRËMBAJTJEN DHE FURNIZIMIN (NAMSA), PËR DEMONTIMIN E MUNICIONEVE”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së NATO-s për Mirëmbajtjen dhe Furnizimin (NAMSA), për demontimin e municioneve”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE AGJENCISË SË NATO-S PËR MIRËMBAJTJEN DHE FURNIZIMIN (NAMSA), PËR DEMONTIMIN E MUNICIONEVE
Në mbështetje të neneve 78, 81 pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së NATO-s për Mirëmbajtjen dhe Furnizimin (NAMSA), për demontimin e municioneve.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI (ÇOBA)
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR.7767, DATË 9.11.1993, “PËR ADERIMIN NË KONVENTËN “PËR ELIMINIMIN E TË GJITHA FORMAVE TË DISKRIMINIMIT NDAJ GRAVE””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 83, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I
Propozimin e projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr.7767, datë 9.11.1993, “Për aderimin në konventën “Për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave””, për shqyrtim dhe miratim, me procedurë të përshpejtuar, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.7767, DATË 9.11.1993, “PËR ADERIMIN NË KONVENTËN “PËR ELIMINIMIN E TË GJITHA FORMAVE TË DISKRIMINIMIT NDAJ GRAVE””
Në mbështetje të neneve 78, pika 1, 83 pika 1, dhe 121, shkronja “b”, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Në ligjin nr.7767, datë 9.11.1993, “Për aderimin në konventën “Për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave””, shtohet neni 2, me këtë përmbajtje:
“Neni 2
Pranimin nga Republika e Shqipërisë të ndryshimit të nenit 20, paragrafi 1, i konventës “Për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave”, i cili përcakton se Komiteti për Eliminimin e Diskriminimit ndaj Grave (Komiteti CEDAW) duhet të mblidhet normalisht çdo vit, me qëllim shqyrtimin e raporteve të paraqitura në përputhje me nenin 18, të kësaj konvente.”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI (ÇOBA)
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9668, DATË 18.12.2006, “PËR EMIGRIMIN E SHTETASVE SHQIPTARË PËR MOTIVE PUNËSIMI””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9668, datë 18.12.2006, “Për emigrimin e shtetasve shqiptarë për motive punësimi””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9668, DATË 18.12.2006, “PËR EMIGRIMIN E SHTETASVE SHQIPTARË PËR MOTIVE PUNËSIMI”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9668, datë 18.12.2006, “Për emigrimin e shtetasve shqiptarë për motive punësimi”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 2 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Pika 14 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“14.“Emigrant i rikthyer” është shtetasi shqiptar i rikthyer në Republikën e Shqipërisë, për t’u larguar përsëri ose jo, pasi ka kaluar të paktën një vit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Të tillë janë edhe refugjatët e riatdhesuar, me dëshirë apo me detyrim, viktimat e trafikimit, fëmijët e pashoqëruar, të burgosurit e luftës, si dhe anëtarët e familjes së tyre. Emigrant i rikthyer është dhe shtetasi shqiptar i rikthyer me dëshirë apo detyrim nga vendet pritëse në Republikën e Shqipërisë, për shkak të mosplotësimit të dokumentacionit e të kushteve për hyrjen, praninë apo qëndrimin e rregullt në shtetet pritëse, në zbatim të marrëveshjeve të ripranimit, si dhe anëtarët e familjes së tyre.”.
2. Pika 16 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“16. “Regjistri për emigrantët” është dokumenti zyrtar në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, i cili përmban një bazë të dhënash për shtetasit shqiptarë që dëshirojnë të emigrojnë e për shtetasit shqiptarë që janë kthyer nga emigrimi, të cilët janë fokus i këtij ligji.”.
3. Pas pikës 22 shtohet pika 23, me këtë përmbajtje:
“23. “Grupe vulnerabël” janë kategoria e emigrantëve më të prekshëm për t’u bërë objektiv i trafikimit.”.
Neni 2
Pas pikës 1, të nenit 8, shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Në zyrat përkatëse të punësimit ngrihen dhe funksionojnë sportelet e migracionit, të cilat ofrojnë shërbim informimi për shtetasit shqiptarë që dëshirojnë të emigrojnë, si dhe mbështetje për riintegrimin e emigrantëve të rikthyer.”.
Neni 3
Në pikën 1, të nenit 9, fjalët “... që kanë fituar statusin e emigrantit të rikthyer në shtetin e origjinës ...” shfuqizohen.
Neni 4
Pika 2, e nenit 10, shfuqizohet.
Neni 5
Neni 12 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 12
Regjistrimi i shtetasve
1. Çdo shtetas shqiptar, që kërkon të emigrojë për qëllime punësimi, si dhe shtetasit shqiptarë të rikthyer regjistrohen në “Regjistrin për emigrantët”, pranë sporteleve të migracionit në zyrat përkatëse të punësimit.
2. Regjistri qendror për emigrantët administrohet nga struktura përgjegjëse për çështjet e migracionit, në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
3. Shtetasit shqiptarë të rikthyer, të regjistruar në “Regjistrin për emigrantët”, përfitojnë shërbim informimi dhe referimi në autoritetet shtetërore, përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve për riintegrim.
4. Forma, përmbajtja e regjistrit, dokumentacioni dhe procedurat e regjistrimit përcaktohen me urdhër të ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.”.
Neni 6
Neni 13 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 13
Përfitimi i statusit të emigrantit
1. Përfiton “Statusin e emigrantit” çdo emigrant i regjistruar në “Regjistrin për emigrantët” në zyrat e punësimit dhe që plotëson kushtet e parashikuara në këtë ligj për të përfituar “Dokumentin e statusit të emigrantit”.
2. Statusi i emigrantit krijon mundësinë që mbajtësi/titullari i këtij statusi të përfitojë nga kurset e formimit orientues, pa pagesë, për mësimin e gjuhës, ose të njohurive bazë për profesionet e kërkuara nga shteti pritës, për shtetasit shqiptarë që dëshirojnë të emigrojnë dhe për pjesëtarët e familjes së tyre, si dhe nga programet e nxitjes së punësimit dhe kurset e formimit profesional publik falas, për emigrantët e rikthyer.
3. “Dokumenti i statusit të emigrantit” është dokument identifikues për mbajtësin/titullarin e tij edhe për përfitimin nga shërbimet e tjera specifike, si në fushën e strehimit, të shëndetësisë, të arsimit, të mbrojtjes shoqërore, të investimeve në vend etj.
Kriteret për përfitimin e këtyre shërbimeve nga titullari/mbajtësi i statusit të emigrantit përcaktohen me urdhër të ministrave përgjegjës, sipas fushave që ata mbulojnë.
4. “Dokumenti i statusit të emigrantit” është një dokument identifikimi dhe lëshohet nga zyra përkatëse e punësimit pranë njësisë së qeverisjes vendore.
5. Forma dhe përmbajtja e dokumentit, dokumentacioni përkatës dhe procedurat për përfitimin e statusit të emigrantit përcaktohen me urdhër të ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.”.
Neni 7
Neni 25 shfuqizohet.
Neni 8
Pas shkronjës “d”, të nenit 28, shtohen shkronjat “dh”, “e”, “ë”, “f” dhe “g”, me këtë përmbajtje:
“dh) harton dhe miraton programet aktive dhe pasive të punësimit e të formimit profesional në vend, për emigrantët e rikthyer me probleme ekonomike;
e) bashkërendon procesin e informimit me autoritetet shtetërore përgjegjëse, sipas fushave përkatëse, si dhe informon për çështjet që i përkasin veprimtarisë së ministrisë, shtetasit shqiptarë që dëshirojnë të emigrojnë në mënyrë të rregullt, si dhe ata që rikthehen e dëshirojnë të riintegrohen e të qëndrojnë në Shqipëri;
ë) përgjigjet për bashkërendimin e punës për zbatimin e politikave në fushën e riintegrimit të emigrantëve të rikthyer;
f) bashkërendon punën në procesin e negociatave dypalëshe dhe/ose shumëpalëshe, ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera, për nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në fushën e punësimit e të formimit profesional, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, sipas parashikimeve të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”;
g) në bashkëpunim me Shërbimin Social Shtetëror dhe njësitë e qeverisjes vendore, përgjigjet për sigurimin e shërbimeve të përkujdesit shoqëror, si dhe për mbështetjen për plotësimin e kërkesës për përfitimin e ndihmës ekonomike, për emigrantët e rikthyer.”.
Neni 9
Në nenin 29 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Shkronja “c” shfuqizohet.
2. Shkronja “ç” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ç. Mbledhjen në vendin pritës dhe shpërndarjen e informacionit për legjislacionin e punës dhe të mbrojtjes shoqërore, për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve emigrantë, bazuar në legjislacionin shqiptar, nëpërmjet pajisjes së përfaqësive diplomatike dhe konsullore me materiale publicistike, për publikimin e tyre në mjedise të dukshme, në formën e ekspozitave fotografike dhe temave, në interes të grupimeve të emigrantëve shqiptarë.”.
3. Shkronja “dh” riformulohet, si më poshtë vijon:
“dh) Mbështetjen e shoqatave të emigrantëve shqiptarë dhe sigurimin e informacionit, nëpërmjet shoqatave e grupimeve të emigrantëve shqiptarë, për nevojat që ato kanë për hapjen e shkollave, për mësimin e gjuhës shqipe. Kjo mbështetje realizohet nëpërmjet bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe autoritetet shtetërore përgjegjëse të vendit pritës.”.
4. Pas shkronjës “ë” shtohen shkronjat “ f”, “g” dhe “gj”, me këtë përmbajtje:
“f) bashkërendimin e procesit të negociatave dypalëshe dhe/ose shumëpalëshe, ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera, për nënshkrimin e marrëveshjeve të ripranimit;
g) në bashkëpunim me strukturat e Ministrisë së Brendshme, është përgjegjëse për lëshimin e dokumenteve dhe të lejekalimeve të shtetasve shqiptarë, që kthehen përmes marrëveshjeve të ripranimit, si edhe për informimin për të drejtat dhe detyrimet e tyre;
gj) shpërndarjen e informacionit, për shërbimet që lehtësojnë riintegrimin e emigrantëve të rikthyer nëpër përfaqësitë e Republikës së Shqipërisë, të akredituara jashtë vendit.”.
Neni 10
Në nenin 30 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Në pikën 1 bëhen ndryshimi dhe shtesat e mëposhtme:
a) Shkronja “c” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c. Monitorimin nëpërmjet konsultimit elektronik të regjistrimit dhe kontrollit kufitar për emigrantët shqiptarë, në bashkëpunim me Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme.”.
b) Në fillim të shkronjës “ç” shtohen fjalët “... mbledhjen dhe ...”.
c) Pas shkronjës “ç” shtohen shkronjat “d”, “dh” dhe “e”, me këtë përmbajtje:
“d) informimin e emigrantëve të rikthyer në pikat e kalimit kufitar për shërbimet e riintegrimit në vend;
dh) lehtësimin e kthimit të emigrantëve të rikthyer, nëpërmjet krijimit të kushteve për transport të të kthyerve nga pikat e kalimit kufitar deri në qendrat më të afërta të banimit;
e) sigurimin e nevojave me ushqim, ujë dhe medikamente, për grupet vulnerabël të emigrantëve të rikthyer në pikat e kalimit kufitar.”.
2. Pas pikës 2 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Mënyra e konsultimit, regjistrimit dhe kontrollit kufitar për emigrantët shqiptarë, si dhe mbledhja e shkëmbimi i informacionit për numrin, shtetet dhe kohëzgjatjen e qëndrimit të emigrantëve shqiptarë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 11
Pas shkronjës “d”, të nenit 31, shtohen shkronjat, “dh”, “e”, “ë”, “f”, “g”, dhe “gj”, me këtë përmbajtje:
“dh) hartimin e politikave dhe të legjislacionit, për lehtësimin e riintegrimit të fëmijëve të emigrantëve të rikthyer/ fëmijëve të pashoqëruar në sistemin arsimor shqiptar pas kthimit, dhe njohjen e kualifikimeve të fituara jashtë;
e) hartimin e kurrikulave të veçanta, për mësimin plotësues të gjuhës shqipe nga emigrantët e rikthyer deri në moshën 18 vjeç ose 25 vjeç, nëse është duke ndjekur studimet e larta;
ë) organizimin e shkollave verore për fëmijët e emigrantëve të rikthyer/ fëmijëve të pashoqëruar, për mësimin plotësues të gjuhës shqipe;
f) hartimin e programeve të veçanta në fushën e arsimit për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve të emigrantëve të rikthyer/ fëmijëve të pashoqëruar;
g) përshtatjen e politikave kurrikulare me nevojat e emigrantëve të rikthyer për arsimim;
gj) ofrimin e shërbimit psikologjik në sistemin arsimor ndaj fëmijëve të emigrantëve të rikthyer/fëmijëve të pashoqëruar dhe përshtatjen e tyre me shkollën, në marrëdhëniet ndërmjet komunitetit të nxënësve, si dhe në marrëdhëniet ndërmjet tyre dhe personelit mësimdhënës.”.
Neni 12
Pas nenit 31 shtohen nenet 31/1, 31/2, 31/3 dhe 31/4, me këtë përmbajtje:
“Neni 31/1
Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, në zbatim të këtij ligji, ushtron detyrat e përgjegjësitë për:
a) sigurimin e ofrimit të informacionit të nevojshëm për emigrantët e rikthyer për programet sociale të strehimit;
b) hartimin e politikave dhe të legjislacionit për riintegrimin e emigrantëve të rikthyer të pastrehë, nëpërmjet përfshirjes së tyre në programet sociale të strehimit.”.
Neni 31/2
Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, në zbatim të këtij ligji, ushtron detyrat e përgjegjësitë, për:
a) zbatimin e politikave mbështetëse për emigrantët e rikthyer në Shqipëri, të cilët banojnë në zona rurale, sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave;
b) përfshirjen e emigrantëve të rikthyer nga zonat rurale në programet për nxitjen e investimeve në sektorin e bujqësisë, sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave;
c) sigurimin e ofrimit të informacionit të nevojshëm për emigrantët e rikthyer për skemat mbështetëse, sipas shkronjës “a”, të këtij neni.
Neni 31/3
Ministria e Financave, në zbatim të këtij ligji, ushtron detyrat e përgjegjësitë, për :
a) sigurimin e zbatimit të parashikimeve të Kodit Doganor, për përjashtime nga taksat doganore, për mjetet personale dhe veglat e punës për emigrantët e kthyer;
b) sigurimin e ofrimit të informacionit të nevojshëm, për emigrantët e rikthyer për skemat e sigurimeve shoqërore në Republikën e Shqipërisë.
Neni 31/4
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në zbatim të këtij ligji, ushtron detyrat e përgjegjësitë, për:
a) informimin e emigrantëve të rikthyer për hapjen e një veprimtarie ekonomike në Shqipëri, si dhe për programe mbështetëse për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Shqipëri;
b) krijimin e mundësive dhe dhënien e informacionit të nevojshëm për shtetasit shqiptarë investitorë, që jetojnë jashtë kufirit shqiptar, të investojnë në vend në fushat me përparësi për vendin.”.
Neni 13
Në nenin 32 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
1. Në shkronjën “a”, të pikës 1, fjalët “... shtetasit emigrantë ...” zëvëndësohen me “... emigrantët dhe emigrantët e rikthyer ...”.
2. Në pikën 2 pas emërtimit “ ... ministrit të Financave ...” shtohen emërtimet “... ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe ministrit të Shëndetësisë.”.
Neni 14
Në nenin 33 pas emërtimit “... Ministria e Arsimit dhe Shkencës....” shtohen emërtimet “... Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.”.
Neni 15
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI (ÇOBA)
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT PËR BASHKËPUNIMIN DHE MBËSHTETJEN E SEKRETARIATIT TË KONVENTËS SË BASHKËPUNIMIT POLICOR TË EUROPËS JUGLINDORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr. 8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e memorandumit të mirëkuptimit për bashkëpunimin dhe mbështetjen e Sekretariatit të Konventës së Bashkëpunimit Policor të Europës Juglindore.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS PARAPRAKE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË KOMUNËS POTOM, TË QARKUT TË BERATIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 2, 3 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës paraprake të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të komunës Potom, të qarkut të Beratit, sipas lidhjes 1e cila i bashkëlidhet këtij vendimi.
Lista paraprake, sipas kërkesave të këshillit të kësaj komune, është pjesë e listës së inventarit të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që janë brenda juridiksionit, territorial dhe administrativ, të komunës Potom, të qarkut të Beratit, miratuar me vendimin nr.411, datë 22.4.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore në komunën Potom, të qarkut të Beratit”.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe komuna Potom për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË KOMUNËS SYNEJ, TË QARKUT TË TIRANËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 2, 3 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike shtetërore, brenda juridiksionit, territorial dhe administrativ, të komunës Synej, të qarkut Tiranës, që transferohen në pronësi ose në përdorim, të kësaj komune, sipas lidhjes 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Lista e inventarit me 82 (tetëdhjetë e dy) fletë, që i bashkëlidhet këtij vendimi, përfundon me numrin rendor 584 (pesëqind e tetëdhjetë e katër).
2. Ngarkohen ministri i Brendshëm, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë dhe komuna Synej për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË KOMUNËS XHAFZOTAJ,TË QARKUT TË DURRËSIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 2, 3 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike shtetërore, brenda juridiksionit, territorial dhe administrativ, të komunës Xhafzotaj, të qarkut të Durrësit, që transferohen në pronësi ose në përdorim të kësaj komune, sipas lidhjes 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbër&e