Zhvillohet mbledhja e Këshillit të Ministrave
-Dy janë zhvillimet më të mëdha të këtij viti, zgjedhjet vendore dhe sezoni turistik. Për një sezon të suksesshëm do të ngrihet Komiteti Ndërministror, i cili do të drejtohet nga Kryeministri.
-Çdo ministër duhet të marrë përgjegjësinë për një zonë të caktuar turistike e të bashkëpunojë me drejtuesit e pushtetit vendor, për të evidentuar problemet në këto zona
-Kryeministri propozon përjashtimin e taksave, për 5 vjet, për të gjitha investimet që do të bëhen për zhvillimin e turizmit malor
Si çështjen themelore, me të cilën hapi sot mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha cilësoi sezonin turistik dhe përgatitjet për vitin 2011.
Duke theksuar se dy janë evenimentet më të mëdha të këtij viti, zgjedhjet vendore dhe sezoni turistik, Kryeministri shprehu bindjen se përpjekjet do të jenë të mëdha jo vetëm për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm që shqiptarët do të votojnë të lirë, si gjithë qytetarët evropianë, por edhe për një sezon të ardhshëm turistik sa më të suksesshëm e se pikërisht për këtë është e domosdoshme ngritja e një Komiteti Ndërministror, i cili do të drejtohet nga Kryeministri e do të nisë të funksionojë që nga kjo javë.
Kryeministri theksoi se në një kohë të tillë, kur drejtuesit vendorë janë më të përqendruara tek zgjedhjet vendore, çdo ministër duhet të marrë përgjegjësinë për një zonë të caktuar turistike e të bashkëpunojë me drejtuesit e pushtetit vendor, për të evidentuar problemet në këto zona, me qëllim që në kohën e sezonit turistik qeveria të mos gjendet para asnjë befasie.
Shqipëria, theksoi më tej kryeministri, duhet të jetë në të gjitha paraqitjet e saj Shqipëria turistike. Segmentet rrugore, që çojnë drejt parqeve dhe zonave arkeologjike të vendit, duhet të kenë përparësi absolute dhe brenda muajit qershor të jenë të përfunduara.
Kryeministri kërkoi gjithashtu që t’i jepet përparësi zhvillimit të turizmit malor pasi Shqipëria ka potenciale të mëdha në këtë drejtim.
Duke u ndalur gjatë në këtë çështje Kryeministri kërkoi përgatitjen e një plani i ri me qëllim që të gjitha investime në zonat malore për 5 vjet të jenë të përjashtuara nga taksat. Kryeministri kërkoi gjithashtu që të shfrytëzohen të gjitha turet, udhëtimet e pelegrinazhit, të organizohen çdo lloj gare, të dërgohen ftesa, të bëhen promovime që Shqipëria të jetë në lartësinë që meriton.
Më gjerë në fjalën e tij, kryeministri u shpreh:
Zotërinj ministra,
Zonja ministre
Çështjet themelore që doja të sillja sot në vëmendjen tuaj është sezoni turistik dhe përgatitet për vitin 2011, të cilat fillojnë nga kjo mbledhje. Dy janë evenimentet, zhvillimet më kapitale të këtij viti, zgjedhjet vendore dhe sezoni turistik.
Përpjekjet tona do të jenë totale, për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershme dhe unë jam i vendosur, por dhe i sigurt, se qytetarët shqiptare do të votojnë të lirë, si gjithë qytetarët evropianë. Por duhet të pranojmë se zgjedhjet lokale, komplikojnë në një masë të caktuar përgatitjet për sezonin turistik, pasi është e pa shmangshme që përqendrimi më madhor i të gjithë qeverive vendore, por edhe i drejtuesve qendror të partive politike, të jetë tek fushata më shumë se në çdo gjë tjetër.
Unë nuk mund të them se qeveritarët do të mund të kenë kohën e mjaftueshme për t’u përqendruar në parapërgatitjen për sezonin turist të vitit 2011, i cili do të jetë dhe më i shkëlqyeri, më i madhi, që ka njohur ndonjëherë Shqipëria.
Lajmet për Shqipërinë turistike, dy vitet e fundit janë lajme, të cilat superojnë të gjithë problematikën tjetër të marrë së bashku. Vetëm nga njoftimi i Lonely Planet për turizmin, për turizmin në Shqipëri është shkruar nga mbi 52 mijë burime dhe vazhdohet, në mënyrë të përditshme të shkruhet në të gjithë mediat e botës. Ndërsa klikimet kanë arritur në mbi 4.8 milionë, vetëm gjatë muajve të fundit.
Ne duhet të bëjmë këtë vit përpjekjet më të mëdha, për një sezon turist më të suksesshëm. Është e domosdoshme, që një komitet ndërministror i drejtuar direkt nga kryeministri, të funksionojë duke filluar nga kjo javë. Zotërinj ministra, secili prej jush do të ndajë me përgjegjësi të plotë, një zonë turistike, në komunë turistike, në një qytet turist të vendit. Kjo ka si qëllim, që të mos gjendemi para asnjë befasie, të mos ndodhë siç ndodhi vjet, që kanalet që derdhen në det u zbuluan në mesin e sezonit turistik. Këto të mos ndodhin më! Të mos ndodhë siç ndodhi vjet me ndonjë problematike tjetër! Ne jemi ekzekutivi dhe këto duhet t’i zgjidhim ne!
Ndaj dhe do të behët një ndarje me ministrat, të cilët do të kenë një detyrë, një bashkëpunim të ngushtë me qeverinë vendore. E bëjmë këtë për faktin se qeveria vendore është në zgjedhje dhe ai që kërkon të rizgjidhet, natyrisht do të ketë turizmin si një axhendë të rëndësishme, por do të ketë dhe probleme të tjera ndaj dhe ai ka nevojë të orientohet e të ndihmohet. Ndaj, secili ministër do të ketë në ngarkim një zonë turistike.
Javën që vjen të nisim menjëherë punën me grupin e punës e me autoritetet vendore. Të mos mendojnë se këtë apo atë problem do e zgjidhim me ushtri. Ushtria ka detyrat e veta ligjore, kur ndërhyn dhe si ndërhyn. Ne kemi të gjitha potencialet e tjera. Le të nisë e të përfundojë brenda dy javësh studimi i të gjithë problematikës!
A mund t’i japim ne zgjidhje të përkryer të gjithë problematikës? Kjo është e vështirë por ne mund t’i japim zgjidhjen më të mirë. Do t’ju citoj shkrimin e një gazetari, por dhe turisti, “Në Shqipëri- thotë ai- nuk gjen klub, kafe, restorant, jo të pastra dhe kjo është një e vërtetë tjetër. Problemi janë rrugët, kanalet etj”. Atëherë, duke shprehur besimin më të madh për të gjithë pronarët e lokaleve, sepse është e vërtetë, kudo ka vetëm lavdërime, nuk gjen një kritike për shërbimin dhe lokalin e tyre, kërkojmë që kjo të rrezatohet dhe në mjedisin përreth me çdo kusht.
Disa specialistë më kanë sugjeruar se mund të blihet, dhe këtë duhet ta shohë zoti Mediu me përparësi, një seri insineratorësh të përmasave modeste. Në qoftë se vendosim, duhet të vendosim sa më shpejt. Kjo sipas këtyre specialistëve është një praktikë e zakonshme që ndiqet dhe përdoret për komunitete të vogla dhe këtë duhet ta konsiderojmë seriozisht nëse ne duhet të blejmë disa prej tyre. Me insinerator të vogël nuk mund të zgjidhet problemi i Vlorës, i Durrësit apo i Golemit, por mund të zgjidhet i komunave të tjera të vogla, të cilat kanë brigje më të gjata se qyteti dhe problematikën e pastrimit e kanë serioze.
Ndaj dhe ta shqyrtojmë këtë mundësi. Të bëjmë sa më shpejt rialokimet e nevojshme, të procedojmë me të gjitha komunat. Ne kemi një seri investimesh të mëdha, në drejtim të përfundimit të ujërave të zeza e në drejtim të furnizimit me ujë. Këto të përshpejtohen me aq sa është e mundur të realizohet gjatë këtyre muajve.
E domosdoshme është, që Ministria e Turizmit të merret me të gjithë parapërgatitjet dhe t’i raportojë në mënyrë të vazhdueshme këtij Komiteti Ndërministror progresin e këtyre përgatitjeve. Pro zoti Xhaferri, Shqipëria në të gjithë paraqitjen e saj, duhet të jete Shqipëria turistike, me sinjalistikën turistike e me çdo gjë.
Zoti Olldashi! Segmentet rrugore që çojnë drejt parqeve dhe zonave arkeologjike të vendit, duhet të ketë përparësi absolute. Do të bisedohet me Fondin Shqiptarë të Zhvillimit dhe në këto zona, në këto rrugë, ne duhet të shpejtojmë punimet me çdo kusht në mënyrë që t’i bëjmë disponibël ku është e mundur, që brenda muajit qershor të jenë të përfunduara.
E domosdoshme është që të ndikohet ,në organizmin më të mirë të tureve turistike brenda vendit, çfarë mund të bëjmë ne zoti Xhaferri ,bashkë me Ministrinë e Transportit dhe agjensitë turistike në mënyrë që në këtë vend gjeografikisht të vogël, turisti të këtë mundësi të shohë sa më shumë.
Zoti Bode, duhet përgatitur plani i ri bashkë me Ministrinë e Turizmit, që të gjitha investime në zonat malore për 5 deri në 7 vjet ndoshta, të jenë të përjashtuara tërësisht nga taksat. Ne kemi një potencial të jashtëzakonshëm malor. Ka disa ndërtime të mrekullueshme në Llogara që mund të merren model. Ka diçka dhe në Voskopojë, por në zonat e tjera, me gjithë dëshirën e madhe që kam për të numëruar, janë vetëm disa hane të rregulluar në Theth dhe Valbonë. Ndaj në këtë pasuri të jashtëzakonshme duhet të bëjmë çdo gjë që ta vëmë në përdorim e shfrytëzim e ta kthejmë në vlerë. Them të përjashtojmë nga taksat për një 5 vjeçar, sepse turizmi malor në Shqipëri pothuaj nuk ekziston, nuk ekziston as si traditë. Përveç Shishtavecit apo tek -tuk ndonjë fshati në Korçë. Skitë nuk kanë njohur përdorim në këtë vend për shkak të halleve te tjera. Është gjëja më e rëndësishme, më e domosdoshme në këtë stad për të fuqizuar, për t’u angazhuar tërësisht drejt zhvillimit të turizmit malor. Janë të shumta propozimet që më vijnë që të çojmë rrugë në zona të ndryshme, dhe ne mund t’i çojmë rrugët, por problemi është se investimet nuk i bëjmë ne, investimet i bën investitori privat. E të mos mendojmë ne se po të çojmë rrugën, ai do të investoje nëse ne nuk bëjmë edhe disa stimuj të tjerë. Ne këto stimuj duhej t’i organizojmë.
Nuk kam qenë dhe nuk jam për taksa free sepse ne kemi taksat e ulta, por për resortet turistike malore le t’i përcaktojë Ministria e Financave, se cilat do të jenë, sepse zonat turistike malore janë përrallore për nga bukuria e tyre, por për fat, në tërësi zonat e banuara përreth tyre nuk kanë fuqinë e mjaftueshme ekonomike që t’i zhvillojnë ato. Ndaj dhe ne duhet të gjejmë rrugë dhe mënyra për t’i nxitur. Shpresoj që regjimi pa taksa, 5 vjet, në zonat e përcaktuara, të jetë një nxitje për infrastrukturë logjistike turistike, e cila nuk ekziston, ose është inegzistente ose është ajo që ka qenë dhe dy mijë vjet më parë.
Sot janë në një stad të mbuluar me plisa ose me trungje druri dhe janë shumë të pakta ose hiç fare, shtëpitë apo hotelet në këto zona të larta turistike, sepse Thethi, Valbona ,Voskopoja, Dardha, Shishtaveci mund të ketë dhe kanë një investim turistik. Me këtë rast le të bëjmë ne një përpjekje të madhe për ti inkurajuar, por dhe stimuj të tjerë.
Malet janë përfaqësimi i këtij vendi, 2/3 e Shqipëri është male dhe janë male të virgjëra të mrekullueshme, mahnitëse, në bukuritë e tyre. Legjendat më të bukura të këtij kombi dhe më të bukurat në Europë, janë të gjitha të thurura në male. Malet janë të veshura me zana, me të gjitha mahnitë përrallore, ndaj dhe ne duhet të bëjmë, që kombi ti këtë në dispozicion ato. Qytetarët të mos kenë vetëm bregun. Shqipëria është Zvicër me det. E dimë që jemi vonë, të tjerët e kanë filluar qindra vjet më parë, por dhe ne do ta fillojmë me infrastrukturë moderne, me plane shumë të mira. Do të bëhen plane zhvillimore të studiuara.
Tirana ka të gjithë potencialin e vet, Tirana ka Malin e Dajtit, një mal i mrekullueshëm, por është mal pa borë në tërësinë e tij. Por më tej malit të Dajtit janë malet e Bizës dhe majat e Martaneshit, të cilat janë pothuajse gjithmonë me borë, ndaj dhe në duhet ta shohim si përparësi të madhe infrastrukturën rrugore në zonat turistike malore dhe kuadrin ligjore, për ta inkurajuar më shumë turizmin malor duhet të aplikojmë për këto zona taksën free për të gjitha hotelet dhe aktivitete e tjera, që atje do të ndërtohen në kuadrin e turizmit.
Të nxisim turizmin malor, sepse perspektivat janë të jashtëzakonshme. Imagjinoni sa vend të bukur kemi, Shqipëria shpallet destinacioni turistik kryeso në botë duke qenë më e pa njohura në Europë për potencialin e saj turistik malor, i cili duhet të pranojmë se është dhe turizmi kryesor, në bazë të përqindjes është turizmi dominues përveçse këtu tek ne. Ne nuk kemi infrastrukturën e duhur, por ne jemi ata që e ndryshojmë dhe Shqipëria ndryshon. Shqipëria do të jetë në lartësinë që meriton kur ajo të jetë simetrike në lartësinë me brigjet dhe malet e saj.
Të shfrytëzohen të gjitha turet, nga pelegrinazhet, udhëtimet pelegrinazhe që mund të organizohen tek çdo lloj gare dhe turi që bëhet. Të dërgohen ftesa, të bëhen promovime. Dhe njëherë dua të falënderoj më shume mirënjohje, ata të cilët përzgjodhën këtë vend Miss Bota.
19/01/2011