E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, 1600 mësues rrezikojnë vendin e punës

Kontratat e përkohshme
 

 
Mijëra arsimtarë do ta humbasin vendin e punës, për shkak se kontrata e tyre ka qenë e përkohshme
 
 
Marsel LELA
TIRANë – Vendimi për largimin nga puna të arsimtarëve që punojnë me kontratë të përkohshme do të prekë mbi një mijë arsimtarë të sistemit parauniversitar.
Si pasojë e këtij vendimi, 1600 mësues rrezikojnë të humbasin vendin e punës, për arsye se janë me kontrata të përkohshme. Mirëpo kjo ka rënë në kundërshtim me sindikatat e arsimit, pasi sipas tyre, këta mësues po e humbasin vendin e punës vetëm për shkak të bindjeve politike të drejtuesve të shkollave.
Nga ana tjetër, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, e ka justifikuar vendimin për largim nga puna të këtyre mësuesve me faktin se në shumë shkolla janë evidentuar një numër i lartë nëndrejtorësh dhe shumë mësues në shkolla me kapacitet të ulët nxënësish.
Do të jenë mijëra arsimtarë, të cilët do ta humbasin vendin e punës, për shkak se kontrata e tyre ka qenë e përkohshme dhe nuk është bërë rinovimi i saj për këtë vit. Ka qenë një vendim i qeverisë të disa ditëve më parë, sipas të cilit, numri i mësimdhënësve që punojnë më kontratë të përkohshme në institucionet arsimore parauniversitare, do të ulet nga muaji shkurt deri në qershor të këtij viti.
Kështu, duke iu referuar numrit të mësimdhënësve që aktualisht punojnë me kontratë të përkohshme, sipas këtij vendimi do të shkurtohen 1 mijë e 307 punonjës që punojnë me një kontratë të tillë në sistemin arsimor parauniversitar.
Gjatë muajve shkurt-qershor të këtij viti, ky numër do të reduktohet në 704 punonjës mësimorë me kontratë të përkohshme. Vendimi u mor gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave disa ditë më parë, pas propozimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, për reduktimin e numrit të këtyre punonjësve.
Përkatësisht, Këshilli i Ministrave vendosi gjatë kësaj mbledhjeje që numri i punonjësve mësimorë me kontratë të përkohshme, për sistemin arsimor parauniversitar të vitit shkollor 2009-2010 për muajin janar të jetë 2 mijë e 11 veta. Ndërsa për periudhën 1 shkurt deri 30 qershor, numri i punonjësve arsimorë të sistemit parauniversitar të reduktohet në 704 punonjës.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, numri i punonjësve me kontratë të përkohshme, sipas Drejtorive Arsimore Rajonale dhe Zonave Arsimore, si dhe afati kohor i kontraktimit të punonjësve jepen sipas tabelës që do t’i bashkëngjitet vendimit të qeverisë.
Në lidhje me kualifikimin e personave që do të punojnë si mësimdhënës në sistemin arsimor parauniversitar, për këtë vit, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka përcaktuar që këta të fundit të kenë 5, 10 deri 20 vjet vite punë në arsim.
Për trajnimin dhe kualifikimin e mësuesve për vitin 2010 MASH-i pat urdhëruar vitin që shkoi të gjithë sektorët e kualifikim-trajnimit në DAR-të dhe sektorët e ZA-të, mbështetur në përvojat pozitive të punës së kopshteve-pilot, për marrjen e të gjitha masave për programimin dhe realizimin e veprimtarive kualifikuese.
 
 
 
Normat mësimore
 
Kundërshtojnë sindikatat: është i padrejtë, nuk janë konsultuar arsimtarët
 
TIRANë - Pas hartimit të normës së punës mësimore për arsimi parauniversitar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka reaguar Konfederata e Sindikatave. Përfaqësuesit e kësaj konfederate kanë shprehur shqetësimin për rritjen e ngarkesës së mësuesve të arsimit të mesëm dhe atij 9-vjeçar.
Sipas kryetarit të Sindikatës, Kol Nikollaj, urdhri i Ministrisë së Arsimit, ku udhëzohet për rritje të normës mësimore, është i padrejtë, pasi nuk janë bërë më parë konsultime me arsimtarët. Nikollaj u shpreh se rritja e normës është bërë për shkak të shkurtimit të fondeve për arsimin. Gjithashtu, ky i fundit shprehu edhe shqetësimin për largimet nga puna, duke i konsideruar ato si antiligjore. Ndërkohë, kreu i sindikatës u shpreh se, nëse nuk do të përmirësohen kushtet, atëherë arsimtarët do të futen në grevë.
Sipas planit të hartua nga MASH-i për normat e punës mësimore të arsimit parauniversitar, mësuesit që drejton bibliotekën dhe punon me librin në shkolla, i ulet norma mësimore tri orë në javë. Ndërsa mësuesit e shkollave të mesme profesionale që ngarkohen me drejtimin e bazave prodhuese të mëdha, kanë gjysmën e orëve mësimore. Kryetarit të sindikatës së arsimit në një rreth që ka numër më të madh anëtarësh, do t’i ulet, sipas këtij udhëzimi, norma 8 deri në 10 orë në javë.
Në rastet kur sindikata ka më shumë se 1000 anëtarë, mund të  punojë edhe një anëtar i kryesisë së sindikatës të rrethit me 6-8 orë mësimor në javë më pak. Në shkollat e mesme veterinare, mjekëve veterinerë që drejtojnë sektorë në klinikën veterinare pranë shkollës, u ulet ngarkesa me 4 orë javore.
Mësuesit të shkollës 9-vjeçare që kryen punën e sekretarit të shkollës për amzën dhe organizimin e inventarit, i ulet norma sipas këtij plani: katër orë më pak në shkollat deri 300 nxënës; gjashtë orë më pak në shkollat me 301-700 nxënës. Sipas udhëzimit të MASH-it, mësuesit të shkollës 9-vjeçare me mbi 700 nxënës që kryen punën e sekretarit të shkollës për amzën dhe organizimin e  inventarit, i ulet norma mësimore 8 orë ose mund të ketë një sekretare pa ngarkesë. Për llogaritje të punonjësve mësimorë, udhëzimi parashikon si të nevojshëm marrjen parasysh të planit mësimor dhe normës mësimore javore.
Ndërsa në ciklin e ulët të shkollës 9-vjeçare do të llogaritet për çdo klasë një mësues. Orët suplementare të ciklit të ulët, në klasat kolektive do të llogariten mbi ngarkesën javore, 24 orë për efekt pagese. Kjo, kur klasa kolektive ka mbi 10 nxënës dhe mbi ngarkesën javore 26 orë, kur klasa kolektive ka nën 10 nxënës.
Në ciklin e lartë, ora suplementare për mësuesit e klasave kolektive do të llogaritet mbi ngarkesën javore 22 orë. Sipas udhëzimit, drejtorit të shkollës që zhvillon mësim në ciklin e lartë me klasat kolektive, orët suplementare do i llogariten mbi ngarkesën javore, 14 orë dhe jo më shumë se tri orë suplementare në javë.
Për plotësimin e normës mësimore, mësuesi i shkollës 9-vjeçare ngarkohet edhe me orë mësimore jashtë profilit, pa cenuar cilësinë e procesit mësimor dhe kompetencën profesionale.
 
           
 
Matura
 
Formulari A2, metoda e aplikimit sipas profileve
 
Maturanti kandidat duhet të zgjedhë dy prej lëndëve që gjenden të renditura në formularin A2, sipas preferencës së tij
 
Marsel LELA
TIRANë - Ndërsa kanë mbetur vetëm pak muaj nga provimi Maturës Shtetërore, të gjithë maturantët janë të interesuar mbi ndryshimet që do të ketë këtë vit procedura e zhvillimit të këtyre provimeve.
Dhe duke qenë se shumë prej këtyre maturantëve do të kandidojnë për të hyrë në universitet, po kaq të rëndësishme janë edhe ndryshimet që mund të ketë pësuar metoda e zhvillimit të provimeve me zgjedhje nga një vit më parë.
Ndërkaq, rregullorja e re e Maturës Shtetërore, si dhe udhëzimi për këtë rregullore kanë përfunduar dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë publike testet krahasuese, bashkë me programet orientuese të provimeve të Maturës Shtetërore.
Për sa u përket ndryshimeve që mund të ketë këtë vit Matura Shtetërore, MASH-i bën të ditur se, koeficienti që do të ketë mesatarja e shkollës së mesme këtë vit, për të hyrë në universitet është i pandryshueshëm nga një vit më parë, pra 20 për qind.  Më saktësisht, për të vazhduar garën për në shkollën e lartë, një student duhet të plotësojë formularin A2, i cili përmban lëndët me zgjedhje. Maturanti kandidat duhet të zgjedhë dy prej lëndëve që gjenden të renditura në formularin A2, sipas preferencës së tij. Nëse maturanti dëshiron të vazhdojë studimet e larta në fakultetet e profilit shkencor, ai duhet të zgjedhë në formularin A2 lëndë të profilit shkencor.
E njëjta gjë vlen edhe për profilin shoqëror. Vlerësimi i maturantëve për pranimin në universitet do të bëhet në bazë të notave që këta të fundit kanë arritur të marrin në katër provimet e Maturës Shtetërore, të cilat më pas do të konvertohen në pikë.
Pas përllogaritjes së mesatareve të provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore, Letërsisë dhe Matematikës, si dhe dy provimeve me zgjedhje, bëhet edhe renditja e kandidatëve që do të fitojnë të drejtën për të vazhduar shkollën e lartë.
Për sa i përket numrit të lëndëve me zgjedhje që listohen në formularin A2, kreu i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës bëri të ditur se do të jetë i njëjti me atë të një viti më parë, pra 12 lëndë me zgjedhje.
Për sa i përket hartimit të tezës së provimit të maturantëve, në provimet e Maturës Shtetërore të një viti më parë ky i fundit pati disa ndryshime. Një prej ndryshimeve që pati ishte numri i fondit të pyetjeve dhe profilizimi i testeve sipas shkollave të mesme. Gjithashtu, ndryshe nga vitet e mëparshme, sipas rregullores së një viti më parë, maturantëve iu dha e drejta që të kërkojnë një rivlerësim të tezës të tyre, nëse ata nuk do të ishin dakord me pikët e marra.
Fondi i pyetjeve të maturantëve të vjetshëm ka qenë më i madh se ai i viteve të mëparshme. Sipas rregullores së Maturës Shtetërore, lloji i testit me anë të të cilit do të provohej secili maturant, varej nga lloji i programit lëndor që ata kishin përvetësuar gjatë shkollës së mesme.
Pra, në përputhje me këto kritere, vjet specialistët hartuan teste në varësi të profilit të arsimit të maturantëve. Hartimi i testeve të provimit të Maturës Shtetërore sipas kësaj skeme, u bë për arsye se edhe programet lëndore edhe ato orientuese për provimet e pjekurisë, ishin të ndryshme për tipa të ndryshme shkollash.
 
 
 
Provimet me zgjedhje
 
Maturantëve, të cilët e kanë dhënë më parë provimin, do t’u njihet rezultati i fituar
 
 
TIRANë - Krahasuar me dy vite më parë, rregullorja e Maturës Shtetërore ka pësuar disa ndryshime, gjë e cila sipas MASH-it pritet ta bëjë më komod procesin e provimeve për maturantët. Një nga ndryshimet e rregullores së re të Maturës Shtetërore është shtimi i lëndëve me zgjedhje, nga 9 lëndë që ishin vjet ,në 12 të tilla. Në listën e lëndëve me zgjedhje maturantët do të mund të zgjedhin edhe lëndën e Gjuhës Italiane.
Pra, maturantët do të kenë në dispozicion katër lëndë të gjuhëve të huaja, nga 12 lëndët e mundshme me zgjedhje.
Gjuhët e huaja të përfshira në listën e lëndëve me zgjedhje do të jenë: Gjuha Angleze, Gjuha Frënge, Gjuha Gjermane dhe Gjuha Italiane, por nxënësit do të kenë mundësi të zgjedhin vetëm njërën prej tyre si lëndë me zgjedhje.
Rregullorja e re e Maturës Shtetërore do të jetë në favor të nxënësve në provimet e lëndëve me zgjedhje, për arsye s, maturantëve që i janë nënshtruar më parë provimit me zgjedhje, do t’u njihet rezultati i fituar.
Gjithashtu, rregullorja e re do t’u njohë maturantëve edhe një tjetër të drejtë që nuk parashikohej në rregulloren e mëparshme.
Bëhet fjalë për njohjen e të drejtës së ankimit, falë së cilës maturantët do të kenë katër ditë në dispozicion për të bërë dorëzimin e kërkesës së rivlerësimit të provimit, kundrejt një pagese. Lidhur me provimet e detyruara, atë të Matematikës dhe të Letërsisë, nuk do të ketë ndryshime. Procedurat e zhvillimit në këto dy provime do të jenë njëlloj si një vit më parë, çdo test do të ketë 25 pyetje, nga të cilat 13 me alternativa dhe 12 me zhvillim. Gjithashtu, ndryshime do të ketë edhe në kategoritë e studentëve që nuk do t’i nënshtrohen provimeve me zgjedhje.
Ndryshe nga vitet e tjera, rregullorja e re e Maturës Shtetërore parashikon që nxënësit që duan të vazhdojnë studimet në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve në Tiranë, Gjirokastër dhe Shkodër, mund të konkurrojnë pa qenë të detyruar të japin provimet e lëndëve me zgjedhje.
 
 
 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›