Opozita: Tryezë tjetër kryetarësh, jo ekspertësh

Aleatët opozitarë të majtë e të djathtë e shohin si zvarritje një tryezë ekspertësh kur Berisha nuk ka dhënë “ok” për hapjen e kutive. Debate për datën e protestës
Kreshnik KUçAJ
Fronti opozitar i partive të majta e të djathta kërkoi dje publikisht organizimin e një tryeze tjetër negociatore në nivel kryetarësh dhe jo në nivel ekspertësh sikurse kërkon mazhoranca. Pas një takimi informues që zhvilluan me kryenegociatorin e opozitës Edi Rama, aleatët opozitarë thanë se kryeministri Sali Berisha nuk ka dhënë akoma “ok” e tij për pranimin e kushtit të hapjes së kutive të votimit prandaj çdo tryezë ekspertësh do të ishte veçse një zvarritje e negociatave. Duke mbështetur kërkesën për hapjen e kutive të votimit si një kërkesë nga e cila nuk ka kthim mbrapa, aleatët paralajmëruan njëzëri caktimin e datës për protestën e radhës para kryeministrisë. Po ashtu, ata kërkuan që presidenti Bamir Topi të zgjidhë krizën përmes organizimit të një tryeze të dytë Berisha-Rama si dhe të luajë rolin e tij kushtetues për të mundësuar transparencën zgjedhore. “Insistuam që pas negociatave të tjera, ajo që ofron zoti Berisha është krijimi i një grupi pune, ku sipas asaj shprehjes së famshme, se nëse nuk do ta zgjidhësh një gjë, fillo dhe krijo grup pune për çdo punë. Por negociatat nuk janë qëllim në vetvete, por mjet për zgjidhjen e krizës. Nëse negociatat do të dështojnë, do të përgatitemi për protesta. Ajo që ndodhi dje(pardje) ndoshta ishte një fillim i mirë për të ballafaquar nëse deri në 2-3 javët e ardhshme sa të vijë fillimi i marsit nuk marrim përgjigje, por e vetmja butafori e zotit Berisha do të jetë që kutitë nuk hapen, që do të jetë një aksion kundër transparencës dhe kundër drejtësisë, atëherë nuk na mbetet më për të diskutuar të njëjtat gjëra” tha Veliaj pas takimit të djeshëm. Sipas tij, nëse nuk do të ketë zgjidhje eksplicite për hapje kutish, në komision hetimor parlamentar, atëherë takimi tjetër me zotin Berisha s’do jetë më në salla të mbyllura, por në rrugë. Po ashtu, aleati opozitar tha se opozita pret që presidenti Bamir Topi të jetë një pritës i mirë i këtyre negociatave. “Ai ka një shans për të hyrë në histori, ai ka betejën e vet me historinë, pas 10 vjetësh populli do të kujtojë se një president ju bind partisë së vet, ose si një president që ndau periudhën e pandëshkueshmërisë me periudhën e ligjit. Sot presidenti ka barrën që të ndajë dy etapat, pandëshkueshmërinë 20 vjeçare, ku drejtësia të bëhet rregull loje” ” tha Veliaj. Përsa i përket tryezës së dy ditëve më parë mes kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të opozitës Edi Rama, Veliaj tha se tryeza ishte në kohën e duhur dhe produktive deri diku. Sipas tij, ishte koha që Berishës t’i thuhej në sy që është i pabesë dhe i padrejtë sepse shkeli ligjin. Me të njëjtin qëndrim u shfaq edhe aleati i djathtë Nard Ndoka i Partisë Demokristiane i cili tha se është rënë dakort që të caktohet në një mbledhje të dytë data e nisjes së protestave. Sipas tij, opozita nuk ka një listë kërkesash ndaj mazhorancës sikurse pretendon Berisha por kërkon vetëm transparencën e zgjedhjeve, për të cilën tha se është një e drejtë kushtetuese. Ndoka përmendi faktin se kryeministri Berisha nuk ka qëndruar korrekt ndaj forcës së tij politike. “Zoti Berisha kishte firmosur një marrëveshje me aleatët e partive të djathta, ku përfshihej Partia Demokristiane, për ndryshimet në kodin zgjedhor, një marrëveshje e cila u shkel nga zoti Berisha në mënyrë të njëanshme, të pajustifikuar prej tij, pra ishte pabesia e parë që bënte me aleatët e vet” tha Ndoka. Ai bëri me dije se në takimin e djeshëm pati debate për datën e protestës nga ana e njërit aleat megjithatë u vendos që fillimisht të përfundojë njëherë tryeza e negociatave në mënyrë që të mos provokohet. Në rast se negociatat do të dështojnë duke mos prodhuar rezultat brenda 2 javëve, atëhere opozita do t’i rikthehet protestave popullore për ta detyruar kryeministrin Berisha që të negociojë në rrugë.
Meta: Kemi besim se kriza do të zgjidhet
Zëvëndëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta deklaroi dje nga Sllovenia se qeveria ka qenë gjithnjë e hapur për mundësitë ndaj opozitës për kthimin e saj në parlament por këto mundësi janë gjithnjë në respekt të vendimit të gjykatave. Meta tha se bojkoti i opozitës është i pajustifikuar por shprehu besimin se kriza politike do të zgjidhet pa dalë mbi vendimet e gjykatave. Numri dy i qeverisë i bëri apel opozitës që të heqë dorë nga kërkesat që cenojnë pavarësinë e gjykatave. “Natyrisht, ne na vjen keq që ka një bojkot të pajustifikuar të opozitës, ashtu sikurse kemi besim se kjo çështje do të zgjidhet për arsye se qeveria dhe mazhoranca kanë qenë dhe janë të hapura që të ofrojnë të gjitha mundësitë opozitës që të luajë rolin e saj në parlament, që të çojë përpara të gjithë pretendimet e saj . E vetmja gjë që ne nuk mund të bëjmë është të dalim mbi vendimin e gjykatave”tha Meta. Sipas tij, një shtet që nuk respekton vendimet e gjykatave nuk mund të quhet një shtet demokratik që ecën seriozisht në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kjo deklaratë e Metës ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Partisë Socialiste e cila përmes deputetes Ermonela Felaj saktësoi se kërkesa për hapjen e kutive të votimit nuk ka të bëjë me vendimet e gjykatave. “Ilir Meta ishte ai që lëshoi ulërimën me të madhe pas zgjedhjeve për vjedhjet e Saliut dhe pastaj u bë pulë sa u fut në kotecin e qeverisë. S’ka asgjë më qesharake që po kjo pulë e majmur ndjeshëm nga shitja e votave opozitare për një karrige, të bëjë edhe gjelin duke kënduar maj karriges refrenin e Saliut për moslejimin e transparencës” tha Felaj. Sipas saj një parlament që nuk kurajo të respektojë këtë të drejtë kushtetuese duhet të shpërndahet.
PD: Opozita duhej të shpalltë dashuri e jo protesta
Partia Demokratike ka reaguar dje pas vendimit të tryezës së opozitës për t’i kërkuar presidentit Bamir Topi të luajë rolin kushtetues për hapjen e kutive të votimit dhe pas paralajmërimit për organizimin e protestave popullore. Përmes zëdhënëses Erla Mëhilli, Partia Demokratike tha se opozita zgjodhi një ditë të papërshtatshme për të shpallur protestat popullore. Sipas selisë blu, dita e Shën Valentinit duhej të ishte një ditë ku opozita të shpallte dashuri për njerëzit dhe jo për të paralajmëruar protesta popullore. “Këtë ditë na duhet të shprehim keqardhjen se drejtuesit e opozitës shqiptare në vend që t’ia kushtonin të dashurave dhe të dashurve të tyre sërish ja kushtuan kryetarit të Partisë Demokratike dhe në vend të dashurisë së njeriut për njeriun zgjodhën Shën Valentinin për të shpallur protestat. Jam këtu në emër të Kryetarit të Partisë Demokratike, për t’u uruar drejtuesve të opozitës shqiptare më shumë dashuri për njëri tjetrin, për të dashurat dhe të dashurit e tyre” tha Mëhilli.