E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi: Dondollaku dënohet me 25 vjet burg

Krahu i djathtë i Aldo Bares i shpëton burgimit të përjetshëm, akuzohet për pesë vrasje. Anëtari i bandës së Lushnjes kërkoi gjykim të shkurtuar. 

TIRANE-Enver Dondollaku, i cilësuar si numri dy i bandës famëkeqe të Lushnjës, i shpëton përfundimisht dënimit me burgim të përjetshëm. Pas dy muajsh shqyrtim gjyqësor, Gjykata e Krimeve të Rënda tha dje fjalën e saj të fundit për Dondollakun, që njihet si krahu i djathtë i Aldo Bare alias Alfred Shkurti, i cili krijoi organizatën kriminale më të tmerrshme që ka vepruar ndonjëherë në Shqipëri. Pesëshja gjykuese e dënoi Dondollakun me burgim të përjetshëm, por për shkak të gjykimit me procedurë të shkurtuar, një prej emrave më të njohur të botës së krimit në vend, do të vuajë vetëm 25 vjet heqje lirie. Gjatë seancës që zgjati vetëm 45 minuta, trupi gjykues mundi të dëgjojë konkluzionet e akuzës e mbrojtjes dhe të shpallë vendimin përfundimtar. Dondollaku u cilësua fajtor për vrasjen në bashkëpunim të shqiptaro-maqedonasit Xhevat Demiri, Nimet Zenelit, Masar Aliut; vrasjen e mbetur në tentative të Gramoz Selmanit, si dhe disa krime të tjera. Sipas gjykatës, Dondollaku është fajtor dhe për masakrimin e Artur Dajës, armikut të përbetuar të Aldo Bares, të cilin pasi e vranë më 21 tetor 1998, i prenë kokën dhe e shëtitën përmes qytetit të Lushnjës, ndërsa trupin ia shpërthyen me eksploziv. Sipas gjykatës, si shkak për krijimin e bandës kriminale ka shërbyer vrasja e Ramadan Shkurtit, vëllait të Aldo Bares, në korrik të vitit 1997, nga killeri Artur Daja. Në shenjë hakmarrjeje, Bare rekrutoi mjaft të rinj lushnjarë dhe vendosi të ekzekutojë të gjithë të afërmit e Dajës, si dhe miqtë e tij. Ndaj, brenda një harku të shkurtër kohor, e ashtuquajtura "banda e Lushnjës" ekzekutoi dhjetëra persona, dogji pronat e tyre, si dhe masakroi armikun e përbetuar të Bares, Artur Dajën. Bashkëpunëtor në të gjitha krimet makabre ka qenë dhe Dondollaku. Madje sipas gjykatës, ai ka pasur një rol mjaft aktiv në organizatë, pasi në mungesë të Aldo Bares, ishte ai që jepte urdhra. Dondollaku, aktualisht ndodhet në Itali duke vuajtur një dënim për trafik ndërkombëtar droge. Eksponenti më i rrezikshëm i bandës së Lushnjës ka refuzuar ekstradimin në Shqipëri, me pretendimin se i rrezikohet jeta. Ndërsa kapo i bandës, Aldo Bare gjendet në Turqi, në pritje të një vendimi për ekstradimin ose jo drejt Shqipërisë.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›