Vendimi/ Nga 1 janari automjetet me targa RKS qarkullojnë lirisht në Serbi

Qeveria e Serbisë ka marrë vendim për lejimin e lëvizjes së lirë për të gjitha automjetet me targa të Kosovës. Vendimi hyn në zbatim nga 1 janari 2024.
Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka sqaruar se lejimi i qarkullimit në Serbi të të gjitha automjeteve nga Kosova bëhet për arsye praktike, me qëllim mundësimin e lirisë së tyre të lëvizjes.
“Kjo nuk mund të interpretohet si njohje e shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga të drejtat e garantuara me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, u shpreh ai.
Vendimi, sipas tij, hyn në fuqi për zbatim nga 1 janari 2024.
“Ky vendim në fakt ishte detyrim i yni nga marrëveshja e vitit 2011 për lirinë e lëvizjes e nënshkruar nga Borko Stefanoviq, e cila u referohet targave RKS dhe letërnjoftimeve të Kosovës, lejimin e patentëshoferëve të Kosovës”, ka thënë Petkoviq.
Ky i fundit është shprehur se është marrë edhe një vendim tjetër detyrues siç specifikon ”që të mos kalohen vija të kuqe në dialog” me Kosovën.
/rtsh.al/