Vendimi i Kolegjit, 5-0 kundër PS

Tom Ndreca, kreu i trupit gjykues ne ceshtjen e fundit ne Kolegj
Lajmin e bënë të ditur për gazetën burime konfidenciale pranë trupës së gjyqtarëve që shqyrtuan kërkesë-padinë e PS-së. Megjithëse gjatë seancës, për disa momente u vu në dyshim vendimmarrja pas insistimit të dy gjyqtarëve, Astrit Kalaja dhe Sashenka Jonuzi, për të kërkuar tabelat e KZAZ-ve, sipas të cilave Rama dilte fitues me 10 vota, duket se në tri orë e gjysmë që gjyqtarët kanë marrë vendimin, kanë dalë në një mendje. Asnjëri prej trupës së gjyqtarëve nuk ka qenë kundër argumenteve që ka sjellë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Partia Demokratike për ligjshmërinë e vendimit që i hapi rrugë numërimit të votave të hedhura në kutinë e gabuar.
ZBARDHJA E VENDIMIT
Ndonëse sipas socialistëve, Kolegji Zgjedhor duhet të zbardhte brenda orës 21:00 të ditës së djeshme vendimin e marrë të premten, për anëtarët e trupit gjykues kjo përllogaritje është e gabuar. Në një prononcim për “Panorama”, relatori i kësaj çështjeje, Tom Ndreca, u shpreh se “ka ende kohë që Kolegji Zgjedhor të dalë me një vendim. Ne po punojmë me kapacitete të plota që të mundësojmë argumente të plota dhe të qarta për publikun. Vendimi do të publikohet sa më shpejt”. Sipas tij, pas vendimmarrjes së ditës së premte nuk llogariten si ditë pune e shtuna dhe e diela. Në këtë mënyrë, zyrtarisht Kolegji ka afat deri të mërkurën në orën 21:00 për t’i dorëzuar Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vendimin e plotë dhe me arsyetimin e të gjithë anëtarëve, në të cilin ka rezultuar se të gjithë kanë qenë pro.
REAGIMI PËR PS
Relatori i kërkesë-padisë së Partisë Socialiste për Vendimin 709 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Tom Ndreca, iu përgjigj dje edhe akuzave të ardhura nga selia rozë për vendimin e ditës së premte. Ndonëse gjyqtarët e kanë të ndalur të flasin në media për vendimmarrjen e tyre, Ndreca ka thyer heshtjen duke argumentuar përse kërkesa e Partisë Socialiste u rrëzua. Sipas tij, argumenti i socialistëve që vendimi i KQZsë ishte një akt normativ dhe, si i tillë, duhet të kishte marrë pesë vota pro, nuk qëndron, pasi i shtrin efektet vetëm në Tiranë. “Situata zgjedhore pëson ndryshime dhe lindin fenomene që kërkojnë zgjidhje. Kolegji Zgjedhor bëri një zgjidhje profesionale dhe të mbështetur në legjislacionin e Shqipërisë kur rrëzoi kërkesën ankimore të PS. Kjo pasi Kolegji Zgjedhor gjykoi që akti normativ i KQZ-së nuk kishte të bënte më gjithë territorin e Shqipërisë, por vetëm me një njësi zgjedhore, atë të Tiranës dhe, si i tillë, nuk krijonte një normë për gjithë vendin”, tha Ndreca në një intervistë për Dojçe Velen. Arsyeja e dytë e rrëzimit të kërkesës së PS-së për relatorin e çështjes, është se akti nuk ishte përfundimtar, por vetëm korrigjoi shifrat e tabelave të KZAZ-ve. “Akti normativ i KQZ-së për numërimin e votave të kontestuara nuk ishte përfundimtar, pasi ai bëri vetëm korrigjimin e tabelave të KZAZve të Tiranës”, shtoi më tej Ndreca. Sipas tij, “procesi i numërimit po stonon, po zgjatet. Grupet e numërimit dhe nivelet e administrimit të këtij procesi nuk duhet të jenë partiake, duhet gjetur një formë tjetër, jo partiake, ndofta forma elektronike, si e kanë vendet e BE-së”.
TIRANA, PS NUK FITOI ASNJË ÇËSHTJE NË KOLEGJ
Në periudhën paszgjedhore, kur KQZ hapi kutitë e 117 qendrave të votimit dhe nxori një rezultat me 81 vota në favor të
kandidatit të PD-së, Lulzim Basha, Partia Socialiste i është drejtuar tri herë Kolegjit Zgjedhor. Instanca e fundit ligjore
për procesin zgjedhor nuk ka dhënë asnjë vendim në favor të PSsë. Fillimisht selia rozë u ankua në Kolegj ku kërkoi që të detyrohej KQZ-ja të nxirrte rezultatin për Tiranën. Por çështja u shqyrtua në një periudhë kur KQZ-ja e kishte marrë vendimin dhe si e tillë ajo u pushua. Kërkesa e dytë kishte të bënte me vendimin në parim që kishte marrë KQZ-ja më
datë 18 maj për të hapur kutitë ku ishin votat e gabuara. PS-ja u tërhoq nga kjo kërkesë pasi Kolegji nuk pranoi ta bashkonte me padinë që ishte bërë për vendimin e 23 majit, që e nxirrte sërish Bashën fitues. Ndërsa kërkesa e tretë ku
PS-ja u rrëzua ishte ajo e së premtes.
ADI SHKEMBI