Vendimi i gjyqtarit Balliu mbi pallatin e sekuestruar, Rama: Skandal kundër interesit publik. Durim heroik derisa drejtësia të zgjohet nga gjumi

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj vendimit të gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Tiranës, Hazbi Balliu, i cili pezulloi kalimin në përdorim të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) të një pallati të sekuestruar në vitin 2022.
Bëhet fjalë për një objekt të ndërtuar pa leje, të konfiskuar nga shteti, që Komisioni i Objekteve të Konfiskuara kishte vendosur t’i jepej përkohësisht ASHK-së, pas dëmtimeve të rënda që pësoi godina e vjetër e këtij institucioni nga tërmeti i vitit 2019.
Në vendimin e tij, gjyqtari Balliu argumenton se “nuk cenohet rëndë interesi publik nëse pezullohet zbatimi i vendimit” dhe se “ASHK ka funksionuar për katër vite rresht në të njëjtën godinë, ndaj nuk provohet se shërbimi nuk mund të vazhdojë edhe në kushtet ekzistuese”.
Po ashtu, sipas gjykatësit, nuk ka prova se objekti i sekuestruar është i vetmi ku mund të sistemohet ASHK, duke lënë të kuptohet se shteti mund të përdorë edhe godina të tjera të konfiskuara.
Për këtë vendim pati një reagim të fortë edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi “skandaloz” dhe kundër interesave të vendit.
Rama theksoi se një vendim i tillë përbën hapur një mbrojtje të interesave të ndërtuesve të paligjshëm, duke paralajmëruar se kjo sjellje e gjyqësorit mund të rrezikojë vetë besueshmërinë e reformës në drejtësi.
“Më në fund gjykatësi Balliu e nxori arsyetimin e shkruar të vendimit të tij skandaloz për të marrë në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar totalisht pa leje dhe të konfiskuar në Tiranë, ku u sistemua Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e cila prej disa vitesh e vazhdonte punën në një objekt të vjetër e të dëmtuar seriozisht nga tërmeti.
Se si mund të angazhohen prokurorë a gjykatës të republikës në favor të ndërtuesve të paligjshëm, kjo kërkon të kesh akses në trurin e prokurore Gjelit dhe të gjykatës Balliut, por se si mund të shkruajë një gjykatës se ASHK-ja nuk ka prova që nuk mund të vazhdojë të rrijë në një godinë ku bien tavanet e muret, kjo kërkon një durim heroik në pritje që me ndihmën e të madhit Zot organet e kontrollit e të qeverisjes së gjyqësorit të zgjohen nga gjumi i tyre, i cili po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm edhe për fatet e vetë Reformës në Drejtësi”
Në foto keni (mos)arsyetimin e gjykatës Balliut si edhe situatën e godinës së vjetër të ASHK-së, e cila mesa duket për Balliun është një vend normal pune për sa kohë nuk ka viktima”, shkruan Rama.
Çfarë thuhet në vendimin e gjykatësit Balliu?
Lidhur me reagimin e kryeministrit Rama publikohet edhe vendimi i arsyetuar i gjykatësit Hazbi Balliu lidhur me pallatin e konfiskuar në 2022.
“Gjykata vlerëson se përkundër prapësimeve të palëve të treta në rastin konkret nuk cenohet rëndë interesi publik nëse pezullohet zbatimi i vendimit nr.6 datë 18.06.2025 të Komisionit të Objekteve të Konfiskuara dhe ndalohen palët e treta të ndryshojnë destinacionin e objektit. Gjykata vlerëson se ASHK ka funksionuar edhe pas vitit 2021 për 4 vite rresht në të njëjtën godinë dhe nuk ka prova që ky shërbim nuk mund të vazhdojë në kushtet ekzistuese. Pavarësisht se punonjësit e ASHK-së mund të mos jenë në hapësira komode në ushtrimin e detyrave tyre, kjo situatë nuk mund të vlerësohet se përbën cenim të rëndë interesit publik që paralizon veprimtarinë e ASHK-së nëse pezullohet zbatimi i vendimit nr.6 datë 18.06.2025 të Komisionit të Objekteve të Konfiskuara. Sakaq, ASHK nuk është një institucion i ri i sapokrijuar dhe mos akomodimi i menjëhershëm në objektin e konfiskuar të kërkuesit do të cenonte menjëherë ushtrimin e funksioneve të tij në dhënien e shërbimit për publikun. Ndërkohë, palët e treta nuk paraqiten prova se objekti i konfiskuar i kërkuesit është i vetmi objekt në dispozicion ku ASHK duhet të akomodohet, sepse fakti që ligjvënësi ka miratuar VKM-në nr. 589, datë 07.09.2022 dhe ligjin nr.66/2023 do të thotë se ky është një fenomen, e cili lë dukshëm kuptohet se mund të ketë edhe objekte të tjera të konfiskuara në të cilat ASHK mund të sistemohet”, thuhet ndër të tjera në vendimin e gjykatës.
/rtsh.al/