E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vendimi i qeverisë për të shpallur “Ansambël Arkitektonik Urban” një zonë në Konispol, cilat janë rregullat për ndërtimet dhe çfarë vlerësohet si ndërhyrje e ndaluar

Këshilli i Ministrave miratoi pak ditë ma parë vendimin, me të cilin shpallet pasuri kulturore e paluajtshme një zonë në qytetin e Konispolit, e përcaktuar si “Ansambël Arkitektonik Urban”. Ky vendim synon mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit të kësaj zone, duke përcaktuar rregulla strikte për ndërhyrjet e ardhshme.

Çfarë përfshin vendimi?

Vendimi i qeverisë ndahet në disa pika kyçe, duke përcaktuar:

Deklarimin e ansamblit- Një zonë e caktuar në qytetin e Konispolit, me vlera të rëndësishme urbanistiko-arkitekturore, shpallet pasuri kulturore. Kufijtë e saj janë përcaktuar me koordinata gjeodezike të sakta.

Zona mbrojtëse- Përreth ansamblit arkitektonik është përcaktuar një zonë mbrojtëse, e cila ka për qëllim ruajtjen e vlerave kulturore dhe krijimin e një kalimi gradual drejt pjesëve të tjera të qytetit.

Plani i administrimit- Vendimi miraton gjithashtu një plan të detajuar për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre dy zonave. Ky plan përcakton rregullat, procedurat dhe institucionet përgjegjëse.

Rregulla të detajuara për ndërtimet

Plani i miratuar përcakton me saktësi llojet e ndërhyrjeve që lejohen ose ndalohen në këto zona.

Ndërhyrjet në “Ansamblin Arkitektonik Urban”:

Lejohen ndërhyrje mirëmbajtëse, konservuese, restauruese dhe rijetëzuese.

Ndërtimet e reja dhe rikonstruksionet duhet të integrohen në mënyrë harmonike me ansamblin, duke respektuar stilin, kompozimin dhe lartësinë maksimale prej 10.5 metra (2-3 kate).

Çatitë duhet të jenë katër ujëse, me pjerrësi 25-30 gradë, të mbuluara me tjegulla tradicionale të kuqe. Janë të ndaluara materialet si llamarina apo tjegullat me ngjyra të tjera.

Ndërhyrjet në zonën mbrojtëse:

Lejohen ndërtime të reja dhe rikonstruksione, por me kusht që të jenë në harmoni me karakterin arkitektonik të zonës.

Lartësia maksimale e ndërtimeve të reja nuk duhet t’i kalojë 12.5 metra (3-4 kate).

Ruhet rrjeti rrugor tradicional, por lejohen rikonstruksione për përmirësimin e infrastrukturës, me kushtin që të përdoren materiale dhe teknika tradicionale.

Ndërhyrjet e ndaluara

Në të dyja zonat, janë rreptësisht të ndaluara instalimet e rrezikshme, depot, terrenet e kampingut dhe strukturat industriale. Për ndërtimet pa leje brenda këtyre zonave do të ndiqet një procedurë e veçantë legalizimi, me kushtin e marrjes së mendimit nga autoritetet e trashëgimisë kulturore.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Bashkia Konispol, ndërsa Agjencia e Kadastrës dhe Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor do të jenë përgjegjës për regjistrimin dhe publikimin e hartave përkatëse.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›