Vendoret/ PD shtyn deri më 12 nëntor afatin për kandidimin në Primare! Përjashtohen 16 degët e Bashkisë Tiranë

Është shtyrë deri në datën 12 nëntor afati për kandidimin për Primare, që do të organizohen nga Sali Berisha në të gjitha degët e PD-së, për zgjedhjet vendore të 14 majit. Nëpërmjet një njoftimi, PD bën me dije se nga ky vendim përjashtohen 16 degët e Bashkisë Tiranë.
Sipas tyre, ky vendim është marrë pasi Degët e PD kanë kërkuar shtyrjen e afatit për shkak të kohës së pamjaftueshme për organizimin e mbledhjeve në çdo nivel organizativ dhe marrjen e propozimeve apo vetë-propozimeve nga struktura partiake në territorin që ata mbulojnë.
“Në mbledhjen e datës 7.11.2022, KOKOE shqyrtoi dokumentacionin e ardhur nga degët e PDSH. Pothuajse të gjitha degët e PDSH kanë bërë kërkesë për shtyrje afati për shkak të kohës së pamjaftueshme për organizimin e mbledhjeve në cdo nivel organizativ dhe marrjen e propozimeve apo vetë-propozimeve nga struktura partiake në territorin që ata mbulojnë. Duke e konsideruar këtë proces shumë të rëndësishëm, me qëllim dëgjimin e mendimeve dhe marrjen e propozimeve nga e gjithë anëtarësia e PDSH, KOKOE Vendosi: Shtyrjen e afatit për vetëkandidim dhe kandidim për Primare në të gjitha degët deri në 12 nëntor 2022. Nga ky vendim përjashtohen vetëm 16 degët e Bashkisë Tiranë. Kryesitë e Degëve të marrin masa për përcjelljen e këtij Vendimi”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/