Xhaçka takohet me ambasadoren e SHBA në OKB: Bashkëpunimi në Këshillin e Sigurimit, forcoi partneritetin strategjik

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, ka zhvilluar një takim me ambasadoren e SHBA-së në OKB, Linda Thomas Greenfield, në kuadër të aktivitetit për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë” që u mbajt në Tiranë. Në fjalën e saj, Xhaçka u ndal te bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe SHBA-ve në Këshillin e Sigurimit në OKB, duke e konsideruar si kontribut në thellimin e konsolidimit të mëtejshëm të partneritetit strategjik mes dy vendeve.
Sipas Xhaçkës, bashkëpunimi në Këshillin e Sigurimit ishte edhe më i gjerë se lufta në Ukrainë, duke u fokusuar dhe në një sërë fushash e situatash të tjera, njëra prej të cilave është edhe agjenda “Gratë, Paqja dhe Siguria”.
“Falënderoj Ambasadoren edhe publikisht për të gjithë bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur dhe për të gjithë mbështetjen që kemi gjetur tek ajo dhe tek ekipi i saj. Unë besoj fort, që ky bashkëpunim i shkëlqyer në Këshillin e Sigurimit, ka dhënë një kontribut vërtet të qenësishëm në thellimin e konsolidimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik të vendit tonë me Shtetet e Bashkuara, në këtë 100 vjetor të vendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike. Partneritet mes nesh bazohet mbi vlera të përbashkëta por edhe interesa të përbashkëta që informojnë pastaj punën tonë. Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara janë bashkëpenëmbajtës në dosjen e Ukrainës në Këshillin e Sigurimit, por pavarësisht se kjo dosje për arsye të kuptueshme ka marrë vëmendjen më të madhe, bashkëpunimi mes nesh në Këshill ka qenë i shkëlqyer edhe në një sërë fushash e situatash të tjera, njëra prej të cilave është edhe agjenda “Gratë, Paqja dhe Siguria”, e cila padyshim përbën një nga temat më dinamike dhe më tërheqëse brenda dhe jashtë OKB-së”, tha Xhaçka.
Ambasadorja Greenfield, gjatë fjalës së saj, u ndal te roli i gruas në botë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Ajoi theksoi se të gjitha vendet duhet të bëjnë gjithçka munden, për të çuar para agjendën e paqes dhe sigurisë.
“Konfliktet e armatosura kanë një ndikim të shpërpjesëtuar mbi gratë dhe vajzat. Në Afganistan, Talebanët kanë vendosur kufizime arkaike për punësimin, arsimimin dhe lëvizjen e grave. Në Ukrainë kemi parë tmerret ruse mbi gratë dhe vajzat. Mos u gaboni, kjo është një strategji ushtarake, mjet ushtarak, forcat ruse po përdorin përdhunimin si armë lufte. Çdo paqe e qëndrueshme kërkon drejtësi për viktimat. Por pavarësisht këtyre sfidave, gratë nuk janë viktima pasive, janë të mbijetuara, janë të guximshme dhe janë në vijën e parë të të çuarit përpara të paqes dhe drejtësisë. Gratë iraniane kanë frymëzuar botën me guximin dhe forcën e tyre. Në të gjithë botën, gratë po çmontojnë status-quo-n dhe po çojnë para proceset e paqes. Paqja është sinonim i parandalimit të agresioni. Ndaj duhet të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë, për të çuar para agjendën e paqes dhe sigurisë. Ne i nxisim të gjitha kombet të ndjekin këtë shembull, siç po bën Shqipëria. Në mënyrë që gratë të çojnë para vendimmarrjen për paqen dhe sigurinë”, u shpreh ambasadorja.
/rtsh.al/