E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendosen kamerat e sigurisë në rrugët kryesore të Pejës

Nga Express më 07 shtator 2011 në ora 12:48

Në Pejë ka nisur implementimi i projektit për vendosjen e kamerave të sigurisë në rrugët më të frekuentuara të këtij qyteti. Kjo nismë njëherish e ka bërë Pejën qytetin e parë në Kosovë, i cili do të monitorohet 24 orë - online, nga kamerat që do të vendosen në 23 pika kryesore të rrugëve.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Abdyl Lajqi, i cili udhëheq implementimin e projektit, e ka cilësuar këtë ngjarje si shumë të rëndësishme për qytetin.

“Ne kemi filluar vendosjen e kamerave nëpër rrugët kryesore të qytetit
dhe në rrugët me katër korsi. Brenda kësaj jave përfundon vendosja e
kamerave dhe mendoj se kamerat do të rritin dukshëm nivelin e sigurisë në qytet”, u shpreh Lajqi.

Sipas Lajqit, vendosja e kamerave do të shërbejë njëkohësisht në shumë sektorë dhe pritet të ndikojë rritjen e sigurisë.

“Vetë fakti i mendimit se je duke u monitoruar nga dikush do të rrisë
dukshëm përgjegjësinë e tërë qytetarëve, po ashtu kamerat do të ndihmojnë edhe në punën e policisë, do të ndihmojnë drejtorinë e Inspeksionit, Drejtorinë e Urbanizmit, thënë me një fjalë të gjithë sektorët”, ëhstë shprehur ai.

Nga ana tjetër edhe qytetarët kanë mirëpritur vendosjen e kamerave. Ata mendojnë se mund të monitorohen më mirë rastet e shumta të ngatërresave në mes të personave të ndryshëm, madje plagosjet dhe vrasjet dhe ngjarje tjera negative.

“Peja është dashur më herët të merr vendim për t’i vendosur kamerat, sepse ka qenë qyteti numër një për probleme dhe ngatërresa, andaj shpresojmë që kjo sadopak të ndikojë në ngritjen e shkallës së përgjegjësisë tek të gjithë banorët”, shprehet një qytetar nga Peja.

Ndërkaq ata që i janë gëzuar më së shumti vendosjes së kamerave të sigurisë është Policia e Pejës. Sipas zëdhënësit rajonal të policisë, Zeqir Kelmendi vendosja e kamerave është një lehtësi e madhe për Policinë, ngase në radhë të parë e ka efektin e parandalimit dhe të preventivës.

“Thyerjet e lokaleve, objekteve afariste dhe private, vjedhjet e natës, tejkalimet e shpejtësisë, parkimet e ndaluara, dëmtimi i pronës publike, rrahjet si dhe konfliktet me armë, me aplikimin e kamerave shtojnë mundësinë e efikasitetit të punës së Policisë, që është shumë e rëndësishme për ruajtjen e rendit”, ka thënë Kelmendi.

Ndryshe, ky projekt kap vlerën prej 67 mijë eurosh e që po implementohet nga buxheti vetanak i komunës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›