Vendoset në Pukë shtatorja e Nënë Terezës, mirënjohje për kontributin e misionit të saj në gjithë zonën

Në përkujtim të 16 gushtit 1992, 33-vjetorit të vizitës së Nënë Terezës në qytetin e Pukës, Fondacioni “Në Udhën e Nënë Terezës” dhe Bashkia e këtij qyteti organizuan Ditën e Bamirësisë, që bëri bashkë Pukën dhe Fushë-Arrëzin, si dhe drejtues të besimeve fetare, pushtetit vendor, qytetarë, intelektualë e krijues të ardhur nga qytete të tjera të vendit e diaspora.
Për të nderuar këtë figurë të madhe të humanizmit shqiptar dhe kontributin e saj në Pukë, në ndihmë të shtresave në nevojë, në sheshin para Turizmit, aktivitetet e kësaj dite nisën me çeljen e një ekspozite me foto nga veprimtaria humanitare e Nënë Terezës. Vendosur në këtë shesh, më pas u bë edhe zbulimi i shtatores së Nënë Terezës, vepër e skulptorit të talentuar Leonard Leka.
“Të gjithë ne sot, përpara kësaj vepre jemi më të bashkuar, më të pasur shpirtërisht dhe më krenarë për rrënjët tona shqiptare,” u shpreh kryebashkiaku i Pukës, Rrok Dodaj.
Për kontributin e dhënë në organizimin e këtij eventi dhe vendosjen e shtatores së Nënë Terezës, kryebashkiaku Rrok Dodaj nderoi me mirënjohjen e Bashkisë Pukë biznesmenin Ded Malutaj. Ndërkohë, të ftuar dhe drejtues të besimeve fetare sollën vlerësimet e tyre për humanisten e madhe, nobelisten shqiptare, Shenjtën Nëna Jonë Terezë.
“Nga institucioni ynë, që përfaqëson besimtarët myslimanë të rrethit Pukë, morëm vendim që sot të jemi të pranishëm në përurimin e shtatores së nënë Terezës. Kjo, në respekt të veçantë të Kishës Katolike dhe të vëllezërve e motrave tona të besimit katolik,” tha imami i Pukës, Gëzim Kopani.
“Uroj që kjo ditë dhe kjo figurë e rëndësishme e kombit tonë shqipfolës të na ndihmojë të reflektojmë mbi misterin e dashurisë dhe përkushtisë për paqen dhe mirësinë,” deklaroi dom Zef Marku, famullitar i Pukës.
Veprimtaritë e kësaj dite kushtuar Nënë Terezës u mbyllën me konkursin e pikturës për fëmijë, me temë “Bamirësia”.
Përgatiti: Rrrok Lelçaj
/rtsh.al/