Vendosja e POS-eve, Shoqata e Transportit: Pagesa me kartë mund ta çojë biletën urbane në 70 lekë

TIRANË, 25 maj/ATSH/ Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas ka ngritur shqetësime lidhur me detyrimin për instalimin e terminaleve POS/POI në sektorin e transportit publik urban, duke paralajmëruar se pagesa e biletës me kartë bankare mund të rrisë ndjeshëm koston për qytetarët.
Sipas shoqatës, nëse nga 1 qershori operatorët do të zbatojnë sistemin e pagesave elektronike, bileta urbane nuk do të mbetet më 40 lekë për qytetarët që zgjedhin të paguajnë me kartë, por mund të arrijë deri në 70 lekë për shkak të tarifave bankare që aplikohen për çdo transaksion.
Shoqata sqaron se vetëm tarifa fikse për një pagesë me POS arrin në 30 lekë, pa përfshirë komisionet shtesë për kartat VISA/MasterCard dhe kostot operative të terminaleve.
Në një letër drejtuar Ministrisë së Financave, Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Bashkisë Tiranë dhe Drejtorisë së Transportit Rrugor, operatorët kërkojnë sqarime mbi mënyrën e zbatimit të sistemit dhe mbulimin e kostove.
Sipas Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, tarifat e komunikuara nga bankat për përdorimin e terminaleve POS/POI përfshijnë komisione deri në 2,70% për kartat kombëtare VISA/MasterCard, deri në 3,20% për kartat ndërkombëtare, tarifë fikse 30 lekë për çdo transaksion, komision instalimi prej 5 mijë lekësh, tarifë mirëmbajtjeje mujore 1 mijë lekë, kosto terminali deri në 50 mijë lekë në raste kontraktuale, si dhe komision “chargeback” prej 500 lekësh për rast.
Shoqata thekson se, duke qenë se bileta urbane kushton vetëm 40 lekë, tarifa fikse prej 30 lekësh e bën ekonomikisht të vështirë përdorimin e pagesave me kartë në autobusët urbanë.
Operatorët kërkojnë gjithashtu sqarime nëse instalimi i POS-it do të jetë i detyrueshëm në çdo autobus, nëse kostot do të mbulohen nga shteti, operatorët apo qytetarët, nëse do të ketë subvencionim apo periudhë tranzitore dhe nëse do të krijohet një sistem i unifikuar elektronik për transportin publik, si karta qytetare, QR apo aplikacione celulare.
Shoqata vlerëson nismat për formalizim dhe modernizim të pagesave, por kërkon analizë të veçantë ekonomike dhe teknike për sektorin e transportit urban, për shkak të tarifave të ulëta dhe numrit të lartë të transaksioneve ditore.
/r.e//a.g/