SHBA – Trump kërkon zgjerimin e marrëdhënieve diplomatike mes Izraelit dhe vendeve të rajonit

UASHINGTON, 25 maj /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump bëri thirrje sot për afrimin diplomatik mes disa vendeve dhe Izraelit, duke kërkuar zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit, ndërsa negociatat e SHBA-së me Iranin për përfundimin e luftës vazhdojnë.
Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, presidenti amerikan, Trump u bëri thirrje Arabisë Saudite, Katarit, Pakistanit, Turqisë, Egjiptit dhe Jordanisë, që t’i bashkohen këtyre marrëveshjeve, sipas të cilave shtetet angazhohen për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin.
Ai deklaroi se Arabia Saudite dhe Katari duhet të jenë të parat që nënshkruajnë një marrëveshje të tillë, ndërsa vendet e tjera duhet ta ndjekin më pas.
Trump sugjeroi gjithashtu se edhe Irani mund të bëhet pjesë e Marrëveshjeve të Abrahamit.
Sipas tij, nëse Teherani arrin një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të ishte një nder që edhe ata të bëhen pjesë e këtij koalicioni të pashembullt botëror.
Marrëveshjet e Abrahamit, të iniciuara nga Trump në vitin 2020, gjatë mandatit të tij të parë presidencial, u konsideruan një progres historik në Lindjen e Mesme.
Marrëveshja mban emrin e figurës biblike Abraham, simbol i lidhjes mes feve botërore, dhe synon të nxisë sigurinë, prosperitetin dhe paqen në rajon.
Pas këtyre marrëveshjeve, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Maroku dhe Sudani kanë normalizuar marrëdhëniet me Izraelin.
Më vonë, edhe Kazakistani iu bashkua marrëveshjes, megjithëse ky hap u vlerësua kryesisht simbolik, pasi ky shtet ish-sovjetik ka pasur prej kohësh marrëdhënie diplomatike me Izraelin.
Vëzhguesit e konsiderojnë propozimin e Trump për zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit, si pjesë të strategjisë së tij, të presionit maksimal në negociatat me Iranin, duke vlerësuar se mundësitë janë të pakta, që këto vende t’i bashkohen aktualisht marrëveshjes.
Arabia Saudite ka normalizuar marrëdheniet me Izraelin me hapa të pakthyeshëm, drejt krijimit të një shteti palestinez, ndërsa Katari pozicionohet si ndërmjetës neutral në nivel ndërkombëtar, duke e bërë anëtarësimin e tij, politikisht të pamundur.
Doha gjithashtu mban marrëdhënie me grupin islamik palestinez Hamas dhe e paraqet veten si mbështetëse të çështjes palestineze.
Ideja që Irani t’i bashkohet marrëveshjes konsiderohet plotësisht e paarritshme, duke qenë se doktrina shtetërore e Republikës Islamike bazohet në armiqësi ndaj Izraelit. //a.i/