E Shtunë, 31 Tetor 2026

Venezuelë, Çavez rikthen ambasadorin në Kolumbi

Kritik i ashpër i SHBA-së, Çavez tërhoqi ambasadorin e tij nga Bogota më 28 korrik në shenjë proteste kundër planeve kolumbiane për pranimin e më tepër trupave amerikane në shtatë baza ushtarake dhe pas irritimeve nga akuzat e Bogotas, sipas të cilave Venezuela po furnizonte me armë rebelët marksistë përtej kufirit, në territorin kolumbian.
    
Por përmes një deklarate të papritur pas një takimi të vonë, realizuar mbrëmë për rreth një orë, Çavez plotësoi një kërkesë të një grupi të majtë kolumbian që ka ndërmarrë një fushatë paqeje, duke rishikuar vendimin e tij për ambasadorin.
    
"Nikolas, ambasadori ynë Gustavo të ka dorëzuar të gjithë raportet që duhej të të dorëzonte, le të kthehet në Bogota. Kthehu në Bogota Gustavo," iu shpreh Çavez ministrit të tij të Jashtëm, Nikolas Maduro dhe ambasadorit venezuelian në Kolumbi, Gustavo Markuez, të pranishëm gjatë deklaratës.
    
Kolumbia ka deklaruar se nevojiten më tepër trupa amerikane në vend për të ndihmuar në luftën kundër karteleve të trafikimit të drogës, por Çavez e sheh këtë shtim trupash si kërcënim për Venezuelën.
    
Ai ka deklaruar më parë se këto plane mund të shkaktojnë një luftë në Amerikën e Jugut.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›