Vengu: Industria e mbrojtjes do të mbështetet nga teknologjitë inteligjente

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka prezantuar hapat e radhës në strategjinë afatgjatë për modernizimin e sistemit të mbrojtjes, të njohur si MBROJTJA2030.
Gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Qendrën e Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ai theksoi se inovacioni është në qendër të vizionit për transformimin e gjithë konstelacionit të mbrojtjes në një mekanizëm inteligjent dhe promotor të modernizimit.
“Inovacioni është në qendër të vizionit tonë për transformimin e gjithë konstelacionit të mbrojtjes në një mekanizëm inteligjent dhe promotor të modernizimit,” u shpreh ministri Vengu, duke nënvizuar se ky vizion nuk është vetëm konceptual, por i lidhur ngushtë me hapa konkretë që po ndërmerren.
Strategjia MBROJTJA2030 parashikon një qasje të integruar, ku teknologjia dhe inteligjenca artificiale luajnë rol kyç.
Sipas ministrit, një nga hapat e parë është implementimi i Inteligjencës Artificiale (IA) si instrument për sintetizimin e informacionit dhe përmirësimin e vendimmarrjes në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Po ashtu, ai theksoi rëndësinë e zhvillimit teknologjik të Forcave të Armatosura në nivel kapilar, duke synuar që çdo hallkë e sistemit të mbrojtjes të jetë e pajisur dhe e përgatitur për të operuar në një mjedis të avancuar teknologjik.
/rtsh.al/