Vengu: Modernizim i infrastrukturës së ushtrisë me standardet e NATO-s

TIRANË, 14 janar /ATSH/ Modernizimi i infrastrukturës për ta bërë Forcën e Armatosur një aset sa më profesional dhe në përputhje me standardet e Aleancës, është synimi i projektit ambicioz të Ministrisë së Mbrojtjes, u shpreh sot ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu.
Nënkoloneli Eduard Avdaj, pjesë e Komandës Mbështetëse që tashmë ka një shtëpi të re, është një nga qindra ushtarakët që do të punojnë në kushte më të mira dhe më komode në ambientet e reja.
Projekti zhvillimor përfshin ndërtimin e objekteve dhe ambienteve funksionale, nënvizoi Vengu.
Momentalisht, dy godina janë përfunduar dhe janë bërë funksionale; Godina e Komandës dhe Shtabit të Komandës Mbështetëse, e cila ofron kushte të përshtatshme për menaxhimin dhe koordinimin e operacioneve si dhe objekti i Kompanisë së Parë Operacionale, i ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore, duke siguruar kushte optimale për stafin ushtarak, theksoi Vengu.
Punimet fokusohen në një godinë për Kompaninë e Dytë Operacionale dhe një objekt për Kompaninë e Shtabit të Komandës Mbështetëse, shtoi Vengu.
Ministri theksoi se, këto investime kontribuojnë në rritjen e efikasitetit dhe funksionimit të strukturave ushtarake, duke e përgatitur Forcën e Armatosur🇦🇱 për sfidat e së ardhmes.
Nënkolonel Eduard Avdaj shprehet se, “Komanda Mbështetëse është e fokusuar në dy drejtime kryesore, në mbështetje të emergjencave civile në popullsinë civile dhe në mbështetje të Forcave të Armatosura”.
“Aktualisht Komanda Mbështetëse vitet e fundit ka pësuar ndryshime rrënjësore si në modernizim, dhe në infrastrukturë”, theksoi Avdaj.
Ai theksoi se “në Komandën Mbështetëse është dislokuar shtabi i Komandës Mbështetëse për të kryer detyrat dhe misionet e tij dhe për të menaxhuar aktivitetin e reparteve dhe nënreparteve që ka pjesë të Komandës Mbështetëse”.
“Kjo godinë ku ndodhemi plotëson të gjitha kushtet dhe kapacitetet e sigurisë dhe të mbarëvajtjes sa më të mirë të punës dhe të aktivitetit të shtabit të Komandës Mbështetëse për të realizuar qëllimin, misionin dhe detyrat që i ngarkojmë në përballim të emergjencave civile dhe në mbështetje të FA”, u shpreh nënkolonel Eduard Avdaj.
1 nga 2/j.p/r.e/