Vengu: Ndërtimi dhe mirëmbajtja e anijeve në Pashaliman, autonomi reale

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Forca Detare shqiptare festoi sot 100-vjetorin e krijimit të saj.
Në ceremoninë e organizuar në Portin e Durrësit ishte i pranishëm, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu.
Në fjalën e tij vengu deklaroi se, përpjekja e parë për organizimin e një marine ushtarake ka datën 25 dhjetor 1925, kur parlamenti shqiptar miratoi buxhetin për blerjen e dy anijeve ushtarake nga Italia, “Shqipnia” dhe “Skënderbeg.
“Për një kohë të gjatë kemi menduar më ngushtë, kemi investuar më pak dhe kemi vepruar më ngadalë sesa kërkonte realiteti ynë detar”, u shpreh Vengu.
Ai theksoi se strategjia ‘Mbrojtja 2030’ përbën një korrigjim të këtij gabimi strategjik, duke u mbështetur në pesë shtylla kryesore.
“Së pari, njerëzit. Mbrojtja nuk mbahet me dokumente dhe doktrina, por me ekuipazhe, me profesionistë të trajnuar, të motivuar, të respektuar dhe të mirëpaguar”, tha ministri.
“Së dyti, sovraniteti industrial. Ndërtimi dhe mirëmbajtja e anijeve në Pashaliman do të thotë kontroll, aftësi dhe autonomi reale”, vijoi ai.
“Së treti, aftësia operacionale – jo pamje, jo fasadë, por kapacitet real për të vepruar”, nënvizoi Vengu.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e infrastrukturës kritike, duke vënë në dukje simbolikën e zhvillimit të ceremonisë në Durrës.
“Së katërti, infrastruktura kritike. Ka një domethënie të veçantë që jemi sot në Durrës, aty ku është zemra historike dhe reale e detarisë shqiptare, aty ku është pikënisja e Korridorit VIII. Ndërkohë, po ndërmarrim hapa të mëtejshëm për projektet në Porto-Romano, ku synojmë të ndërtojmë jo thjesht një port, por një nyje sigurie, një nyje ekonomike dhe një nyje të Aleancës”, deklaroi ai.
“Së pesti, qëndrueshmëria kombëtare. Rojet bregdetare moderne janë linja e parë e mbrojtjes kundër presioneve që nuk shpallin luftë, por gërryejnë sovranitetin”, përfundoi ministri i Mbrojtjes. Pas viteve ’90, Forca Detare, ashtu si gjithë Forcat e Armatosura, iu nënshtrua një procesi reformimi dhe modernizimi, duke u përshtatur me standardet e NATO për përmbushjen e misionit të saj kushtetues.
Sot, Forca Detare po vijon modernizimin e flotës me anije të reja luftarake, mjete multifunksionale dhe kapacitete për luftën kundër minave dhe gjurmimin nënujor.
Prej më shumë se gjashtë vitesh, ajo ka qenë një pjesëmarrëse e vlerësuar në misionin e NATO në detin Egje me një anije patrulluese.
Ruajtja e sovranitetit të hapësirës detare të Republikës së Shqipërisë në bashkëveprim me strukturat e tjera të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe NATO si edhe zbatimi i ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar në det janë detyrat e kësaj force që vijojnë të zbatohen me profesionalizëm dhe krenari në këto 100 vite.
/gj.m/a.f/