Mblidhet KKIE, Çano: Shqipëria kryeson në rajon për progresin e reformave

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian (KKIE) organizoi sot një takim ndërgjegjësues në bashkëpunim me Institutin për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI).
Gjatë takimit u diskutua progresi i arritur nga Shqipëria për periudhën 2024-2025 në realizimin e reformave të planifikuara në kuadër të Agjendës Kombëtare të Reformave 2024–2027.
Takimi u drejtua nga Taulant Balla, Nënkryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian (KKIE), i cili theksoi se faza aktuale e procesit të negociatave të Shqipërisë me BE e bën të qartë nevojën për ngushtimin e hendekut të konvergjencës socio-ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së.
Duke folur për drejtësinë, Balla u shpreh se, objektivi ka qenë ndërtimi i një sistemi funksional dhe të besueshëm, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.
“Një drejtësi patjetër e pavarur, por pa harruar një drejtësi që të jetë edhe profesionale, e bazuar në parimet e shtetit të së drejtës dhe të ndarjes së pushteteve, në përputhje me standardet më të mira të vendeve anëtare të BE-së”, u shpreh Balla.
Ai shtoi se forcimi i sundimit të ligjit dhe thellimi i reformave mbeten jetike, gjë që kërkon intensifikim të luftës kundër krimit të organizuar, përmirësim të kuadrit ligjor dhe parandalim të çdo forme korrupsioni.
Sa i takon anës ekonomike, Balla tha se një nga prioritetet kryesore është përmirësimi i konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare, e cila mund të arrihet përmes rritjes së produktivitetit në sektorë kyç si: bujqësia, industria, turizmi i qëndrueshëm, shërbimet dhe teknologjia e informacionit, inovacioni, ekonomia e gjelbër, etj.
Sipas Ballës, Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian luajnë një rol vendimtar në sigurimin e transparencës, llogaridhënies dhe efektivitetit në fazën e zbatimit të instrumenteve financiare të Bashkimit Evropian, si dhe shprehu angazhimin e Kuvendit, për të monitoruar dhe miratuar akte ligjore të rëndësishme për zbatimin e Agjendës Kombëtare të Reformave, rritjen e transparencës dhe ndërgjegjësimit publik mbi procesin e reformave.
Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, në fjalën e saj theksoi rëndësinë e transparencës dhe gjithëpërfshirjes në procesin e zbatimit të reformave dhe vlerësoi rolin e KKIE si një aktor kyç në mbështetje të këtij procesi.
Ajo theksoi angazhimin e Zvicrës për të mbështetur Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian, duke ndihmuar në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe mbikëqyrjen e progresit të reformave.
Në fjalën e saj, Krisela Haçkaj, Drejtore Ekzekutive e Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim, theksoi se procesi i transparencës dhe mbikëqyrjes parlamentare është thelbësor për të siguruar që reformat të jenë në përputhje me angazhimet e Shqipërisë ndaj BE.
Haçkaj vlerësoi se përfshirja efektive parlamentare është thelbësore për të maksimizuar ndikimin e reformave dhe për të mbikëqyrur shpenzimin e fondeve të BE-së dhe shprehu mbështetjen e CDI ndaj Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, për tu bërë platforma që lehtëson debatin publik dhe informimin e gjerë.
Haçkaj theksoi rëndësinë e institucionalizimit të seancave dëgjimore dhe mekanizmave të raportimit për të forcuar transparencën dhe llogaridhënien.
Eridana Çano, Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore për Planifikimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës (SASPAC), si dhe Koordinatore Kombëtare për Planin e Rritjes, informoi për progresin e arritur në zbatimin e Agjendës Kombëtare të Reformave 2024-2027.
Ajo theksoi se, qeveria shqiptare, përmes SASPAC, Ministrisë së Financave dhe ministrive të linjës, ka vendosur themelet për një arkitekturë të re koordinimi për fondet e BE-së. Kjo ka mundësuar që raportimi dhe monitorimi i masave të mos perceptoheshin më si një proces administrativ, por si një mekanizëm llogaridhënieje dhe ushtrim profesional i institucioneve.
Në aspektin financiar, Çano informoi se Komisioni Europian ka konfirmuar përmbushjen e 21 hapave nga 41 të raportuar për periudhën dhjetor 2024 – qershor 2025, me një shkallë përmbushjeje prej 51%.
“Ky progres e rendit Shqipërinë në vend të parë ndër vendet e Ballkanit Perëndimor për sa i përket numrit dhe përqindjes së hapave të realizuar, si dhe shumës së fondeve të disbursuara, që arrin në 99,3 milionë euro. Po ashtu, Shqipëria ka përfituar 163,87 milionë euro duke përfshirë edhe fondet e parafinancimit”, u shpreh ajo.
Çano vazhdoi me detaje mbi disa nga rezultatet konkrete të reformave të zbatueshme gjatë këtij viti: strategjinë e të Ardhurave Afatmesme; miratimin e hartës së parë të digjitalizimit të sistemit të kadastrës, implementimin e një programi të ri që synon mbështetjen e punëkërkuesve vulnerabël; miratimin dhe implementimin e Strategjisë së Specializimit SMART (S3); implementimin me sukses te rrjetit 5G, arritjet në Sektorin e Energjisë, etj.
Në fund, Çano theksoi se hapat e mëtejshëm do të përfshijnë përmirësimin e klimës së biznesit, përpjekjet për forcimin e institucioneve të drejtësisë, promovimin e energjive të rinovueshme, dhe përmirësimin e efikasitetit energjetik.
Aktiviteti vijoi me pyetje dhe diskutime të hapura mes pjesëmarrësve ku morën fjalën Agim Rrapaj, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar dhe Ismail Varoshi, Këshilli i Organizatave të Punëdhënësve të Shqipërisë.
1 nga 16/gj.m/