Veprat e Rudit, xhiro nëpër botë

Porosia e një vepre të re që iu kërkua një muaj më parë kompozitores kosovare Donika Rudi nga institucioni Miso Music në Lisbonë të Portugalisë po ecën mirë. Lajmet më të reja janë se Miso Music në bashkëpunim me autorët portugezë, janë në përgatitje të përrallës e cila shumë shpejt do të sonorizohet e të punohet nga kompozitorja Donika Rudi.
“Miso Music më ka bërë ftesë të shkruaj një vepër (Përrallë akusmatike), të cilën do të mundohem që përpos realizimit në Portugali ta sjelli edhe në Kosovë, projekt ky në bashkëpunim me Miso Music dhe një aktor/e portugeze, bazuar në përrallë portugeze”, u shpreh Rudi.
‘Përrallat akusmatike’ janë projekte që u dedikohen fëmijëve. Rudi tregon se deri më tash janë porositur rreth katër vepra nga Miso Music, në Gjermani, Suedi, Portugali dhe në Kosovë. Projekti pritet të realizohet para majit të vitit të ardhshëm. Sipas informatave që ajo ka, me këtë rast do të botohet CD-ja nga Miso Music.
Rudi tregon se në mars të vitit të ardhshëm do të paraqitet para publikut belg, në koncertin vjetor ‘ElectroBelge’, me veprën ‘Emotion Machine’.
Këtë koncert prestigjioz, i cili ka karakter tradicional, e organizon asociacioni më i njohur në Belgjikë (dhe ndër asociacionet më me renome në Europë) i cili promovon zhvillimin e muzikës elektroakustike dhe më konkretisht, atë të muzikës akusmatike. Në këtë koncert do të luhen 13 vepra të kompozitorëve belgë. Njëra ndër to është zgjedhur pikërisht kjo e kompozitores kosovare.
Përpos kësaj, interpretimi (spacializimi) i veprës së Donikës, “Emotion Machine”, do të realizohet përmes 77 altoparlantëve, kurse difuzimin do ta bëjë vetë autorja.
Në veprën ‘Emotion Machine’ si vetëm tingullor në vepër është zëri i njeriut që flet, qan, bërtet, këndon. Krizë emocionale, shpërthim, zemërim, befasi, tension. Imazhe të ndryshme që vijnë e shkojnë, afrohen, largohen, deformohen e transformohen, shpejt dhe shkurt.
“Secili imazh tregon, shpreh një emocion por që në fund të gjitha janë të lidhura, nganjëherë edhe paralele përcjellë nga një masë, mori shtresash, kujtimesh, nga e kaluara në të tashmen, të tashmen në të ardhmen. Skizofreni. Histeri. Ç’thurje. Frikë. Është makinë, që prodhon emocion, mekanizëm në shkatërrim”, u shpreh Rudi për veprën e saj.
Shumë shpejt kjo vepër e cila u luajt në Festivalin Musica Viva, Portugali, Radio Circulo, Madrid e Barcelonë dhe e cila është luajtur pak kohë më parë në Bruksel, do të transmetohet edhe në dy radio shumë të rëndësishme të muzikës klasike: në Francë (France Musique) dhe në Holandë ( Dutch National Radio).
“Po të më kishte thënë dikush, që kjo vepër e imja do ta ketë këtë sukses dhe që për një kohë kaq të shkurtë të luhet, transmetohet, dëgjohet në gjithë këto vende evropiane, nuk e kisha besuar. Festivali ‘Musica Viva’ në Lisbonë më hapi dyert”, thekson ajo e entuziazmuar.
Rrethi i kompozitorëve të muzikës akusmatike në botë është jo shumë i madh e Donika Rudi ka vite që përcjell çdo festival e koncert të kësaj fushe si dëgjuese e rregullt, e pastaj vite me radhe si njohëse e saj, deri sot si kompozitore e specializuar për këtë fushe (e vetme në Kosovë) kaq të ndjeshme e interesante sa është kjo muzikë dhe mënyra unike e krijimit të saj.
“Të kompozosh këtë muzikë është e bukur, e gjerë, e pafund. Përmes saj arrin të skulpturosh. Ne jemi skulptorë tingulli. Ne i japim ngjyrën dhe hapësirën, deformojmë, ngjyrosim, i japim kuptim, jetë dhe e bëjmë të dukshëm një tingull që nuk shihet e rrallë edhe dëgjohet me veshët tanë”, u shpreh Rudi.
Vepra ‘Emotion Machine’ është zgjedhur si një prej katër veprave më të mira (përmes një konkursi internacional), me ç’rast kësaj vepre i është dhënë hapësira në Radion Circulo - UNDÆ! të transmetohet.
Edhe një vepër tjetër e Rudit do të prezantohet jashtë vendit. Vepra ‘Ensueno’ është kompozuar enkas për një koncert në Bogota të Kolumbisë përmes një konkursi të hapur internacional, duke përdor tinguj nga incizimet e gazetares Christine Renaudin të bëra në Kolumbi, me ç’rast përpos koncertit të mbajtur ditë më pare, kjo vepër do të luhet në Festivalin ‘En tiempo real. Nuevos encuentros sonoros’ në vitin 2013.