E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veprat për terrorin serb mbi shqiptarët promovohen në ShBA e Australi

Rrugëtimi maratonik i promovimit të veprave të Nusret Pllanës, projekt ky i cili pasqyron krimet e bëra mbi popullin shqiptar, është duke vazhduar.

Ai që deri më tani ka arritur të promovohet në 27 qendra evropiane dhe botërore, do të ketë një “ekspeditë” edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Australi. Stacioni i parë do të jetë New Yorku, ku veprat e Pllanës do të ndalen më 8 shtator, për të vazhduar në Washington, Chicago dhe Detroit.

“Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët” dhe “Intervenimi i NATO-s në Kosovë”, janë dy veprat publicistike dhe dokumentare të cilat janë të përkthyera edhe në disa gjuhë të botës. Përmbyllja e këtij projekti do të jetë në fund të muajit nëntor, në Melburn të Australisë.

Promovimin e radhës të projektit, që ai e ka quajtur kombëtar, e ka cilësuar të një rëndësie të veçantë, pasi që ai po organizohet nga shoqata panshqiptare “Vatra” e ShBA-së.

Libri “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët”, i cili përmban një faktografi mbi krimet serbe të kryera në Kosovë për më shumë se një shekull, ka arritur të futet në internet në shumicën e qendrave evropiane. Është përkthyer në 5 gjuhë të botës: në shqip, anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe turqisht, ndërsa përkthimi në gjuhën suedeze dhe në atë ruse presin botimin. Libri pritet të përkthehet edhe në gjuhët serbe, kineze, greke, arabe dhe spanjolle.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›