E Shtunë, 31 Tetor 2026

Receta e suksesit

Vendosja e lojtarëve të rinj në fushë dhe mosndryshimet e shpeshta në ekipe kanë qenë receta e suksesit për kampionët e pesë ligave më të forta evropiane. Kampioni gjerman Borussia Dortmundi kishte një mesatare të lojtarëve prej 24,5 vjetësh. Kampionët e këtyre ligave nuk kanë angazhuar më shumë se 25 lojtarë gjatë tërë sezonit. Kurse, mesatarja e katër mbrojtësve të njëjtë të përdorur nga këto ekipe ishte gjithnjë më e lartë se 78 për qind.

Klubet që fitojnë në Evropë janë ato që llogarisin më së shumti tek të rinjtë. Ky është raporti i shtatë i nxjerrë nga Cies Football Observatory i Neuchatel në Zvicër për skuadrat që luajnë në pesë kampionatet më të forta evropiane si ai spanjoll, anglez, italian, gjerman dhe francez.

Në të gjitha kampionatet e sezonit 2011-12, viti mesatar i lojtarëve të vendosur në fushë në klubet kampione ishte më i vogël në krahasim me atë të klubeve rivale. Të gjithë fituesit e titujve janë ndër 10 klubet më të reja në ligat përkatëse.

Kampionët kombëtarë me lojtarët më të rinj janë gjermanët e Borussia Dortmund (mesatarja 24,5 vjet), kurse më të vjetrit janë ata italianë të Juventusit (mesatarja 28 vjet). Ndër klubet kampione kombëtare, përpos Juventusit, përqindja më e madhe e minutave të luajtur është në avantazh të lojtarëve në mes moshës 22 e 26 vjeç.

Kujdes i veçantë të rinjve iu dha sidomos në Angli dhe Gjermani, ku edhe klubet tjera që luftuan për titull u përbënë nga lojtarë të rinj. Për shembull, Manchester United ka angazhuar lojtarë U-22, që luajtën 25 për qind të minutave, derisa Bayern Munich, 22 për qind.

Klubet me mesataren më të ulët të moshës ishin Toulouse (24.02), Rennes (24.19), Hoffenheim e Espanyol (24.25), kurse klubet me mesataren më të lartë të moshës ishin Levante (30.45), Inter (29.74) e Fulham (29.72).

Një fakt tjetër interesant ka të bëjë me pushimin e lojtarëve. Më pak lojtarë që angazhohen arrijnë rezultate më të mira. Asnjëra nga skuadrat ‘mbretëresha’ në pesë ligat më të forta evropiane (përpos Manchester Cityt) në sezonin 2011/12 nuk ka angazhuar më shumë se 25 lojtarë gjatë tërë sezonit (Real Madridi e Juventusi nga 25, Borussia Dortmund e Montpellier nga 23).

Katër klubet kampione figurojnë ndër pesë klubet e kampionateve respektive që kanë angazhuar më së paku lojtarë. Pushimi i kufizuar i lojtarëve ka rezultuar i rëndësishëm për ekipet, duke pasur parasysh se përqindja e mesatares së minutave të luajtur nga katër mbrojtësit më të përdorur nga klubi kampion ka qenë gjithnjë më e lartë se 78 për qind.

Për shembull, Montpellier, me 89,8 për qind, ka një mesatare shumë më të lartë në krahasim me 28 përqindëshin e Paris St-Germain, i dyti në renditje në Francë. Kurse Juventusi i përdori katër mbrojtës të njëjtë gjatë 90,6 për qind të kohës, +19 për qind më shumë se nënkampioni Milan.

Klubet që kishin numrin më të vogël të lojtarëve të njëjtë në mbrojtje gjatë sezonit janë Bayern Munich (21 për qind), Athletic Bilbao (22), Montpellier e Borussia Dortmund (23). Ndërkaq, ata që kanë përdorur numrin më të madh të lojtarëve për një sezon ishin Wolfsburg (36), Queens Park Rangers (35) e Cesena (34).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›