Veresie politike për PD-në*
Imer Mushkolaj
-Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, do të ishte ndër personat e fundit që do të duhej t’iu vinte ndërmend zyrtarëve komunalë të Prishtinës për ta shpallur “qytetar nderi”.
Por, ja që ata kanë vendosur që pikërisht ai të nderohet me këtë titull. Sipas Komunës së Prishtinës, propozimi që Basha të shpallet “qytetar nderi” është një gjest i respektimit të punës dhe vlerave të tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe të një personaliteti, i cili në të gjitha pozitat politike, të cilat i ushtroi dha kontribut të pakursyer për Kosovën dhe Prishtinën. Po sipas Komunës, Basha ka reflektuar përkushtim dhe përkrahje të pareshtur gjatë procesit të pavarësisë dhe ndërtimit demokratik të Kosovës, “sidomos në periudhën e pasluftës, kur ai qëndroi dhe punoi një kohë të gjatë në Kosovë dhe në Prishtinë”. “Ka qenë dhe është përkrahës i integrimeve europiane të Kosovës dhe i njohjes së saj nga shumë shtete në Europë dhe në botë”, arsyeton udhëheqja komunale.
Arsyetohet, po ashtu, se Basha ka reflektuar interesim të veçantë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës, në fusha të ndryshme me interes të përbashkët. Fraza komplet të thata, asosh çfarë dinë t’i thurin vetëm njerëzit e LDK-së e cila, merreni me mend, në vargun e gjatë të personaliteteve edhe botërore që pa fije dyshimi meritojnë të shpallen qytetarë nderi të Prishtinës për kontributet e tyre të jashtëzakonshme, ka gjetur ta nderojë Bashën. Një person fort kontravers dhe aspak të denjë për t’ia bërë një nder të tillë. Aq më pak, por jo rastësisht, në prag të zgjedhjeve në Shqipëri. Para se të lëshohet në arsyetime të tilla bajate, zotërinjtë e Komunës së Prishtinës do të duhej të shpjegonin (po që se e dinë dhe besoj që e dinë) se cili ka qenë kontributi konkret i Bashës gjatë kohës sa ka punuar në UNMIK.
Po ashtu, do të bënin mirë të sqaronin se cilat janë rezultatet konkrete të përkushtimit të tij për pavarësinë dhe rrugën europiane të Kosovës dhe çfarë, konkretisht, paska bërë për bashkëpunimin ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës. Kur më 11 qershor Basha do të shpallet “Qytetar Nderi” i Prishtinës, kryeqytetit kosovar nuk do t’i shtohet një vlerë, as një qytetar i përgjegjshëm dhe i merituar. Askush nuk ka pse të krenohet me kanakarin e Sali Berishës. Sepse, ai nuk e ka merituar me asgjë nderin e prishtinasve. Në këtë rast, nderimi i tij nuk është asgjë më shumë se lojë politike e LDK-së, në një garë pa kuptim me parti rivale se kush po nderon më shumë aleatë të supozuar politikë andej kufirit. Shumë, sa shumë njerëz në Shqipëri e meritojnë nderin që i bëhet Lulit.
Njerëz që kanë ndihmuar kosovarët në kohë të vështira, atëherë kur Luli dhe shefi i tij kishin të tjera prioritete. Përveç Lulzim Bashës, edhe një tjetër emër i PD-së ka shanse të nderohet me titull nderi në Kosovë – Jozefina Topalli. Qëllojani me propozim të kujt? Të LDK-së, natyrisht, respektivisht këshilltarëve komunalë të kësaj partie në Malishevë. Vetëm dreqi mund ta dijë se deri kur do të vazhdojnë marrëzitë dhe paturpësitë e tilla dhe a ka kush që t'i ndalë ato. Para se të bëhemi gazi i botës, nëse deri tash s’jemi bërë të tillë.
*Titulli është redaksional