E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vesa Luma i këndon “Pasojave” të dashurisë. A është një përgjigje ndaj thashethemeve?

Këngëtarja Vesa Luma sapo ka publikuar këngën e saj më të re “Pasoja”.

E ftuar në emisionin “Në radio” të Andri Xhahut, artistja flet për rikthimin në muzikë pas shumë vitesh. “Kjo këngë dhe kjo video është bërë sepse kemi ardhur në një kohë ku duhet të jemi patjetër viziv. Jo se nuk doja, madje jam duke përgatitur një EP (minialbum) që është pothuajse gati. Ndoshta më ka penalizuar ndjenja që kam pasur deri para shtatë vitesh kur realizonim këngë dhe i shijonim, ndërsa sot është ndryshe: Ok, ke bërë një këngë dhe kaq! Një lloj rutine, e cila nuk më pëlqente. Deri sa kuptova që nuk duhet të analizoj shumë por duhet të lançoj këngë. Nga kjo këngë kuptova që njerëzit kishin pritur që të isha më aktive në muzikë.”

E lodhur nga mendimi se cilën këngë duhet të publikojë dhe sesi do të pritet ajo, Vesa këtë herë e la në dorë të bashkëpunëtorit në muzikë dhe partnerit në jetë, Gerald Xharit (Big Basta). “Ishte ideja e Gerit. I kërkova të mendonte së çfarë mund të ishte diçka që mund ta lançoja pa menduar. Zakonisht në studio, jam pak e keqe sepse shoh çdo gjë në detaje. Është i vetmi moment kur zihemi të dy. Këtë herë në studio isha e qetë. Kënga doli. Më pas donim një videoklip interesant dhe Bledi (krijues i videoklipit) më tha që do ta kallim. U bë një atmosferë e mirë dhe një nxehje përpara lançimit të këngëve të reja që do të vijnë shumë shpejt.”

Kënga është muzikuar nga një emër i ri, Aldo Marku. “Ai kishte shumë dëshirë që këngën ta këndonte Geri ose unë. Kam dëshirë të promovoj artistë të rinj që nuk janë promovuar deri tani. Nuk jam nga ato këngëtare që zgjedhin vetëm emra të njohur, patjetër dhe ata kanë vendin e tyre. Gjithçka erdhi natyrshëm, edhe Ervini (Ervin Qerimi në duet), një djalë i ri me zë shumë të pjekur. Edhe teksti u bë për pesë minuta. O bëhet për pesë minuta, o hiç! (qesh)”

View this post on Instagram

A post shared by Radio Tirana (@radiotirana_)

Vesa Luma tregon se kënga flet për pasojat që vijnë nga dashuria. Por a e ka shfrytëzuar ajo tymnajën që u ngrit pak kohë më parë në medie për një ndarje mes saj dhe Big Bastës kur ky i fundit ishte pjesë e një reality-show? “Të kisha dashur ta shfrytëzoj, siç mbase do kishin bërë disa artistë të tjerë, normalisht kënga do të kishte dalë gjatë kohës së Fermës. Ato fjalë më zunë edhe mua të papërgatitur. U tejkaluan për fat, sado të shpjegosh që nuk është ashtu siç shihet. Realisht, po të ishte e qëllimshme e të doja ta shfrytëzoja, kjo do të ishte kënga ideale.”

Duket se çifti i artistëve ka krijuar imunitet ndaj thashethemeve, por në familjen e tyre ka të lënduar. “Djali po rritet, lexon dhe kupton, shkon në shkollë dhe ka kontakte me fëmijë e prindër që nuk e përtojnë ndonjë koment. Përveç djalit janë edhe prindërit. Ngarkesa jonë është si t’i bëjmë ata të ndihen mirë me këto lloj thashethemesh. Unë dhe Geri jemi imunë, se janë dhe qesharake.”

Vesa tregon se në planet e saj është albumi muzikor, ndërkohë që po mendon edhe për një stacion tjetër të recitalit “Pik’ Vese”, që pas Tiranës dhe Prishtinës, të mbërrijë edhe në Shkup.

Për më shumë, dëgjoni intervistën e plotë në kanalin zyrtar të RTSH në Youtube.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›