Vështrim strabist mbi Manaqët
Dokumentari i Petrit Rukës Homerët e filmit ballkanik, 2011, 32 është e para vepër e plotë dokumentare që realizon Shqipëria për vëllezërit Manaqi, kinematografë pionierë të Rajonit. Qeveria Shqiptare nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, e financoi si shumë ngjarje kulturore për jubileun e 100 të pavarësisë së vendit. Nënkuptohet kështu si palë pretenduese e origjinës së Manaqëve, krahas Maqedonisë e cila trashëgon arkivin e vëllezërve, Greqisë, e krahas kulturës arumune që po e ngre zërin përherë e më lart për të drejtat e mohuara.
Dokumentari është shfaqur dy herë deri tani, me pak publik, në Festivalin e Filmit në Durrës dhe në fund të shtatorit në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.
Pikënisja është biografia. Ruka, dokumentarist me vite përvojë, ka shkruar skenarin pa pasur ndonjë dëshmi autentike mbi origjinën shqiptare të Manaqëve. Niset nga vendi i rrënjëve të tyre, Avdela, fshat që ndodhet sot në Republikën e Greqisë, ndërmjet Konicës, Meçovës e Grebenesë, treva që populloheshin kryesisht nga shqiptarë të cilët jetonin në harmoni të plotë me grekët dhe arumunët.
Ekipi i xhirimit ka marrë mundimin e ka shkuar deri në Avdelë, fshati i boshatisur ku njerëzit kthehen në muajt e verës. Pranë një çezme janë statujat në bronz të vëllezërve Manaqi. Në lagjen ku janë lindur, një tabelë tregon pronat e tyre të paprekura, ca livadhe në rrëzë të pyllit. Këtu filmuan Manaqët bashkëfshatarët e tyre më 1905, filmim që Ruka e ka përfshirë në dokumentarin e tij. Projektimi i materialeve arkivore filmike e fotografike është me cilësi të ulët.
Në këtë fshat, Dhimitër Manaqit i lindi djali i madh Janaqi (1878-1954) dhe Miltoja (1882-1964). Autori informon se nuk ka të dhëna se si rrodhi fëminia e tyre, por baza e jetës në këto anë prej shekujsh ka qenë blegtoria: Peizazhet përreth janë me një bukuri tronditëse. Pyje shekullorë, kope të mëdha që shtegtojnë për kullota. Mjafton të shohim fotot e tyre të rralla për ta përfytyruar deri në detaje jetën e kësaj zone. Mendohej që ata të rrëmbenin kërrabat, gunën e tiu hipnin mushkave për të vazhduar traditën e moçme. Por nuk ndodhi.
Janaqi largohet për në Janinë ku shkollohet e merr zanat, mësues vizatimi, dhe hap studion fotografike. Duke dashur të japë një kontekst shqiptar të Janinës në tetëqindën, autori i dokumentarit ikën nga historia e hidhet në legjendë, te Ali Pashë Tepelena, një yll i madh që kishte kthyer shqiptarët dhe grekët drejt historisë moderne. Ai i kishte bashkuar tërë racat e Ballkanit grekët, shqiptarët, arumunët, çifutët në një harmoni absolute. Kishte sunduar trimërisht gjysmë shekulli me ëndrrën kokëshkretë që ti shkëputej nga thonjtë superfuqisë më të madhe të Euro-Azisë e pastaj kishte vdekur si një luan i plagosur me armë në dorë brenda një manastiri.
Kjo është Janina, çerdhe e madhe e dijes.
Është kapërcyer pa dëshmi lindja, fëminia, rinia e hershme, shkollimi i Manaqëve. Kështu që profili i tyre tani rrëshqet nëpër hamendësime. Duhet të kenë qenë me qindra shqiptarët e grekët që pozuan para objektivit të tyre, thotë autori. Duhet të jenë takuar në këto rrugë me anglezët e Charles Urban Company që xhironin nëpër Ballkan
e që i patën Manaqët si përkthyes. Duhet të ketë qenë marramendëse tronditja e tyre kur iu panë anglezëve kamera për herë të parë. Këtej e tutje duhet të kenë ëndërruar një kamera Bioscope 300.
Vendosen në Manastir dhe hapin një studio fotografike.
Po përse këta Manaqët nuk u vendosën në qytete të mëdha si Athina apo Selaniku, pyet Ruka? Sepse nuk i duket e rastit që vëllezërit zgjedhin një qytet ku dominojnë shqiptarët. Deri në fund të jetës ata do të jetojnë mes shqiptarësh. Mbase këtë rrugë e përcaktoi kumbari i tyre Nikollë Durrësi i cili i preu flokët Janaqit që kur ishte motak në djep. Nikolla ishte mik i babait të tyre, Dhimitër Manaqi.
Ekipi i xhirimit ka shkuar në Manastir, ka kapur godinën ku ndodhej studioja e vëllezërve, ballkonin e saj nga filmuan ngjarje historike. Manastiri mbetet limani i tyre, me gjithë udhëtimet nga Stambolli në Beograd, duke filmuar nga barinjtë te mbretërit e sulltanët. Nga të gjitha miqësitë e tyre Ruka ndalet te ajo me mbretin Karol të Rumanisë, sepse me ndihmën e këtij mbreti u porosit dhe u ble kamera e parë e tyre historike nga Charles Urban Company e modelit Bioscope 300. Fakti që për blerjen e kësaj kamere ndërmjetësoi vetë mbreti, flet qartë për emrin e tyre, thotë autori.
Më 1905 ata kthehen në fshatin e lindjes dhe xhirojnë Tjerrëset, filmi i parë ballkanik. Në mesin e grave është gjyshja e tyre 114-vjeçare.
Më 1906, Milto Manaqi arrin një sukses personal në Bukuresht, fitues i Medaljes së Artë në ekspozitën ndërkombëtare me fotografinë Gruaja me foshnjën nga Këlcyra. Nëse fotoja është bërë në Këlcyrë të Përmetit, vende ku dëshmohet qartë se ata kanë qenë, supozon autori, mbetet që historianët tanë të hulumtojnë se kush ishte kjo grua.
Viti 1908 ka shumë për të thënë për lidhjet e Manaqëve me shqiptarët. Gjatë Kongresit të Manastirit sepse e dinë që në këto dhjetë ditë po lindte gjuha e shkruar shqipe, kryethemeli i një kombi e i një shteti, fotografojnë Gjergj Fishtën, Bajo e Çerçiz Topullin, Hil Mosin, Shahin Kolonjën, Themistokli Gërmenjin, Mithat Frashërin si dhe 60 delegatë të tjerë. E kishin filluar duke xhiruar shembjen e një perandorie, sulltanin e fundit tek binte, dhe Ata Turkun tek ngjitej, si një yll në Turqinë moderne. Kishin filmuar rilindjen e Shqipërisë tek bënte shkronjat e saj të gjuhës së lashtë pellazgjike dhe Kongresin e Dibrës një vit më vonë.
Më 1911 filmojnë Sulltanin turk Mehmet Rashid V në Manastir. Ishin të zakonshme për ta kronikat nga luftërat dhe dasmat, nga paradat e tubimet. Ruhen filmime të tyre në arkivat filmike të Bullgarisë e Rumanisë, vende ku udhëtuan deri në fund të Luftës së Parë Botërore. Viti 1921 i gjen sërish në Manastir ku veç studios kinematografike kanë hapur Kino-Manaqi, me 300 vende.
E vetmja dëshmi për origjinën e tyre shqiptare është gojore. Është një fragment interviste që ka dhënë për Televizionin Publik Shqiptare Irfan Tërshana. Ai thotë se i ka takuar Manaqët në Manastir më 1935, sepse donte të dinte a ishin ata që i kishin fotografuar të atin në Kongresin e Dibrës. Tërshana thotë se Manaqët me gjithë familjarët flisnin shqip, shqipen e jugut.
Ruka pohon se një vit para vdekjes së Milto Manaqit, arkivi i tyre u mor prej shtetit dhe u arkivua në Kinotekën Maqedone ku ruhen mbi 17 mijë negativë dhe qindra mijë metër film. Kushedi çpret që të dalë në dritë dhe të zbulojë historinë shqiptare! Me këtë shpresë mbyllet dhe dokumentari Homerët e filmit Ballkanik. Është Prodhim i Grishaj Film Production; Dr. Fotografie: Anton Grishaj, Montazhi: Eliodor Markja.
Petrit Ruka: Blerjet nga arkivat e huaja nuk llogariten kurrë
Zoti Ruka çfarë mundësish patët për të shfrytëzuar arkivin e Manaqëve në Kinotekën Maqedone?
Unë kam parë vetëm indekset, sepse ata nuk të lënë të futesh. Aty është skeduar gjithçka që kanë lënë trashëgim Vëllezërit Manaqi, gjithë xhirimet apo fotografimet në Shqipëri, në Korçë, Pogradec, Leskovik, Përmet, Këlcyrë, Elbasan etj., që do duhej të vizionesh, e ti blesh.
Pse nuk tentuat?
Në buxhetin e filmit blerjet nga arkivat e huaja nuk llogariten kurrë, sepse kushtojnë. Edhe në arkivat tonë kushton 100 dollarë minuta.
Pastaj ky është një kapitull studiuesish e jo kineastësh. Kineastët me dhjetë ditë xhirim nuk mund të bëjnë hulumtime. Ne synuam të nxjerrim diçka nga Shqipëria dhe ata na dhënë vetëm, indekset. Nuk ësh
