E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vështrim/Hapja eventuale e dosjeve në Kosovë do të ndikonte në reformimin e sistemit

02-09-2012 / Nga Skënder MULLIQI

Kosova është ndër vendet e pakta të  rajonit e cila ende nuk i ka hapur dosjet. Hapja e dosjeve është mënyra më e mirë që  të sqarohet e kaluara  komuniste e secilit. Shumë kush deri me sot dha mendime të ndryshme së a do të duhej të hapën dosjet, ose ato të lihen për një kohë më të “përshtatshme”. Me hapjen e dosjeve do të shpërfaqeshin  të gjitha ata të cilët në një mënyrë ose tjetër bashkëpunuan me regjimin serbosllav duke i dëmtuar kështu shumë familje, shumë persona dhe mbarë kombin. Hapja e dosjeve do të mundësonte reforma përmbajtjesore në mbarë sistemin. Të gjithë ata që inkuadrohen në  strukturat më të larta të shtetit do të duhej të jenë me biografi të pastër si loti. Kështu së paku vepron sot çdo shtet demokratik në botë. Shqiptarët e Kosovës për shumë kohë  ishin të sunduar nga një regjim i huaj krejtësisht i dehumanizuar. Prandaj, edhe trysnia mbi shqiptarët bëhej në format më të vrazhda të saj. Për këtë arsye edhe hapja e dosjeve në Kosovë është çështje shumë me komplekse së sa në vendet tjera të rajonit. Hapja e dosjeve herët a vonë do të ndodhë si proces i pandalshëm që është. Tito, Rankoviqi dhe së fundi Millosheviqi ishin personat të cilët bënë tortura çnjerëzore mbi shqiptarët e pambrojtur në tokën e vet. Dhe, të gjithë ata shqiptarë të cilët u bënë argat i serbit nuk  e kanë as justifikimin më të vogël për mëkatet e mëdha që u rëndojnë mbi supe. Është e pafalshme që eksponentët e tillë të gjinden të inkuadruar në strukturat e shtetit. Dihet fortë mirë së çfarë të këqijash të mëdha i solli popullit shqiptarë sistemi komunist në të dyja anët e kufirit. Pikërisht ky sistem  ka  ndikuar edhe në copëtimin e trojeve etnike nga grabitqarët serbosllavë. Masakrat që i bëri klika famëkeqe komuniste mbi kundërshtarët politik është vështirë të harrohen. Neokomunistët e rinj janë po aq të rrezikshëm sa edhe baballarët e tyre edhe pse tani nuk korrespondojnë as kohë dhe as në hapësirë. Hapja e dosjeve do të ishte edhe një justifikim sa do i vogël për të gjithë familjet të cilët nga dora e zezë komuniste i kanë humbur më të dashurit e tyre. Në Bullgari hapja e dosjeve bëri që    shumë njerëz të politikës , diplomatë, njerëz të  predikimit fetarë  ishin  njerëz të besueshëm të ish sistemit. Edhe pse në Kosovë janë rrethanat krejt të tjera, hapja e dosjeve duhet të behët me shumë kujdes dhe në mënyrë shumë të detajuar pa spekulime. Kur të vijë koha sigurisht së njeri prej kushteve të inkuadrimit të Kosovës në strukturat BE-së, do të jetë edhe hapja e dosjeve ende të fshehta. Ky kusht vlen për të gjitha  shtetet e rajonit të cilat ende nuk i kanë hapur dosjet.  Vetëm pa bartjen e hipotekave nga kaluara, mund të hapërojmë të sigurtë përpara si shtet dhe si komb …

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›