Vetëm tre vatra aktive zjarri në vend, gjashtë të tjera janë nën monitorim nga forcat zjarrfikëse

Shqipëria vazhdon të përballet me zjarret në disa zona të territorit, edhe pse situata ka njohur përmirësim orët e fundit për shkak të reshjeve të shiut.
Ministria e Mbrojtjes raporton se janë evidentuar 28 vatra, nga të cilat 3 vatra janë aktive dhe 6 janë në monitorim.
Aktualisht po punohet me intensitet në fshatin Tërnovë të Bashkisë Bulqizë, ku zjarri vazhdon të përhapet në një kurorë me pyje të dendura, nga qafa e malit në drejtim të qytetit të vjetër të Bulqizës.
Në Xeth të Fushë-Arrëzit po ashtu vijon puna për izolimin e zjarrit, me angazhimin e 60 forcave operacionale, të ndihmuara nga 80 forca ushtarake dhe 1 helikopter.
Në Velë të Bashkisë së Mirditës është djegur një masiv me pisha, në një sipërfaqe rreth 6.5 hektarë.
Një pjesë e vatrave, kryesisht në fshatrat rreth kryeqytetit si Mali i Bërzhitës, Ibë, Damjan-Fortuzaj, Ferraj dhe Zall-Herr, po mbahen në monitorim.
Pranë Parkut Natyror të Gërmenjës vijon prej tre ditësh koordinimi me palën greke për monitorimin e vatrave aktive, pasi situata mbetet ende problematike.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 52 automjete zjarrfikëse dhe 740 forca operacionale, të ndihmuara nga 323 forca ushtarake, 7 automjete zjarrfikëse dhe 1 helikopter. Gjithashtu, morën pjesë 4 helikopterë çekë dhe sllovakë, si dhe 1 avion nga Italia.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë punën për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme.
/vizionplus.tv