Vetëvendosja për Fitou: Tejkaloi gjuhën diplomatike, të largohet nga Kosova

Deklaratat e fundit të Ambasadorit të Francës në Kosovë, Jean Francois Fitou, kanë nxitur jo pak reagime në radhët e partive politike , në mënyrë të veçantë tek lëvizja Vetëvendosja. Drejtuesit e kësaj të fundit ditë më parë prezantuan në Kuvend një mocion për kthimin e reciprocitetit me Serbinë, ndërsa ambasadori Fitou i quajti këto veprime fëmijërore. Pas kësaj deklarate drejtuesit e Vetëvendosjes kanë reaguar duke kërkuar largimin e tij nga Kosova pas sipas tyre ai ka ka tejkaluar çdo masë të gjuhës diplomatike.
I fundit që ka folur rreth kësaj çështje është nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.
Gjatë një interviste dhënë për një nga mediat kosovare ai ka thënë se ambasadori ka tejkaluar gjuhën diplomatike dhe Franca duhet ta tërheqë atë nga Kosova.
“E kam lexuar një letër të cilën ia kishte dërguar ambasadorit Fitou një njohës i çështjeve ekonomike, i cili shumë mirë kishte argumentuar se politika kryesore ekonomike franceze të cilën e promovon Qeveria që e ka emëruar ambasadorin Fitou në Kosovë, është vetë reciprociteti. Me vjen keq se si një ambasador që vjen nga një shtet i cili e ka shpikur konceptin e qytetarit dhe të drejtave politike kolektive të popullit, vjen në një shtet të vogël dhe të dobët dhe sillet me një arrogancë kolonizatore. Një ambasador i cili vjen nga një vend i cili ka prodhuar deklaratën e të drejtave të njeriut dhe të qytetarit. Ambasadori Fitou ka tejkaluar gjuhën diplomatike dhe mendoj që Republika e Francës duhet ta tërheqë ambasadorin Fitou nga Kosova”, ka thënë Konjufca.