“Vetëvendosje”, kërkon seancë të jashtëzakonshme për bisedimet

Lëvizja “Vetëvendosje” ka paraqitur sot pranë Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për të premten nw datwn 4 mars, në të cilën do të diskutohen bisedimet me Serbinë.
Në një njoftim të kësaj lëvizjeje thuhet se qeveria e Kosovës e ka marrë me ngut çështjen e bisedimeve me Serbinë.
“Zëvendës kryeministrja znj. Edita Tahiri është emëruar udhëheqësja e ekipit negociator dhe i ka filluar takimet e para të saj me kryendërmjetësin Robert Cooper. Koordinatori i strategjisë së qeverisë së Kosovës për veriun Ylber Hysa vizitoi Beogradin javën e kaluar. Këto bisedime filluan prapa shpinës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku është e domosdoshme të diskutohet së pari nëse negociatat duhet të ndodhin në parim, dhe së dyti nëse ato duhet të ndodhin në këtë mënyrë”, thuhet në një deklarate të “Vetëvendosjes”, ndërkohë shtohet se kjo edhe është arsyeja pse kërkojnë një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për të diskutuar për këto bisedime.
“Vetëvendosje” konsideron se bisedimet me Serbinë janë tejet të dëmshme dhe të rrezikshme për Kosovën që të trajtohen vetëm si njëra prej pikave në një seancë të zakonshme plenare të Kuvendit.
“Nuk ka asgjë të zakonshme në bisedimet që ato të trajtohen me këtë zakonshmëri. Prandaj kërkuam që ta kemi një seancë të jashtëzakonshme e cila do t`i kushtohej tërësisht këtyre bisedimeve. Ne synojmë që përmes kësaj seance ta miratojmë një rezolutë që i paraqet kushtet të cilat duhen plotësuar paraprakisht nga Serbia, në mënyrë që të mund të bisedojmë me të si dy shtete”, thuhet më tej.