E Martë, 3 Nëntor 2026

Vetëvrasja e 41-vjeçares, policia zbërthen telefonin e bashkëshortit. Vihet në kërkim të autorit që hapi profilin në Tik-Tok

Hetimet mbi vetëvrasjen e 41-vjeçares, Bedrie Loka nga Sukthi i Durrësit vijojnë për të zbuluar rrethanat dhe shkaqet që e çuan atë të ndërmarrë aktin ekstrem.

Burime policore shpjegojnë se ngjarjen po e hetojnë specialistët e  krimeve kibernetike të cilët po këqyrin telefonin e bashkëshortit të saj, Xhemal Loka.

Deri tani bëhet e ditur se në telefonin e tij është gjetur një video kërcënuese me gjuhë ofenduese. Videoja është regjistruar gjatë ditëve të fundit te vitit, pak para vetëvrasjes, ndërkohë që dyshohet se ajo mund të jetë filmuar nga njeri prej fëmijëve.

Duke marrë shkas nga kjo video, ekspertët e krimeve kibernetike po merren me rikthimin e të gjitha videove të tjera që ka telefoni i Xhemal Lokës.

Gjithashtu, po punohet edhe për gjetjen e autorit ose autores që ka hapur profilin fals në Tik-Tok, pasi policia nuk ka pranuar se pas këtij postimi është një e afërme e viktimës që jeton në Itali.

Specialistët po mundohen të gjejnë me anë të IP-së (aipi) autorin/autoren që hapi profilin dhe vendndodhjen e tij.

Ndërkaq, ditën e djeshme policia arrestoi 45 vjeçarin Xhemal Loka nën akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes dhe armëmbajtje pa leje. Tashmë 45 vjeçari është në pritje të zhvillimit të seancës për vlerësimin e masës së sigurisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›