E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvritet polici i rendit nga depresioni

Silvana Muça

Flasin komshinjtë dhe kolegët: Refail Shehaj, asnjë shenjë në komunitet dhe punë

Silvana Muça

Një punonjës policie i Komisariatit Nr. 3 në Tiranë, Refail Shehaj, 47 vjeç, i ka dhënë fund jetës së tij, me armën e shërbimit. Shehaj është vetëvrarë në banesën e tij, e cila ndodhet mbrapa Fakultetit të Mjekësisë, Tiranë, në katin e 7 të një pallati të ri. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së mërkurës dhe askush në pallat apo në lagje nuk e ka dëgjuar krismën e armës. Shkak për vetëvrasjen, duket se është bërë gjendja depresive e agjentit të policisë, e cila nuk dihet se nga çfarë është provokuar. Miqtë e viktimës thonë se Refail Shehaj në asnjë moment nuk kishte shfaqur shenja depresioni dhe se gjendja ekonomike e familjes, ishte mesatare, pasi të dy bashkëshortët ishin në marrëdhënie pune. Madje, ai njihej si një person i qetë dhe mjaft i respektueshëm me të gjithë. Fqinjët thonë se në fundjavë, ata janë takuar dhe kanë pirë kafe me njëri-tjetrin. Që prej të shtunës, ata nuk e kanë parë më Shehajn, por asnjëherë nuk kanë dyshuar për gjendjen e rënduar psikologjike të të ndjerit. Prej vitesh, 47-vjeçari nga Fieri punonte në radhët e Policisë së Shtetit. Kohë më parë ai kishte punuar në sallën operative dhe më pas është transferuar si inspektor krimesh, pranë Komisariatit Nr.3. Mësohet se 47-vjeçari nuk kishte shfaqur shenja të tilla as në ambientin e punës, madje shkonte rregullisht. Ndërsa një ditë para krimit, mëngjesin e së martës, ai i ka komunikuar bashkëshortes, Lumturi Shehaj, 42 vjeç, se nuk do të shkonte më në punë. Kjo e fundit e kishte kuptuar gjendjen e rëndë depresive të bashkëshortit, por nuk ka munduar që ta ndalë, sepse ai nuk i kishte lënë të kuptohej se do të kryente një veprim të tillë. Mëngjesin e se mërkurës, ajo niset në punë, ndërsa tre fëmijët e viktimës, dy vajza dhe djali shkojnë në shkollë. Duke shfrytëzuar vetminë në banesë, gjë të cilën e ka ditur dhe e ka pritur, rreth orës 9:00 të mëngjesit të së mërkurës, oficeri i policisë ka vrarë veten. Në këtë kohë, 42-vjeçarja ka tentuar që të lidhet në telefon me bashkëshortin, sepse ishte në dijeni të situatës, por ky i fundit nuk i është përgjigjur. Kështu Lumturia, e shkëput nga mësimi vajzën e saj më të madhe, Reljanën, për ta dërguar në shtëpi, sepse diçka nuk po shkonte. Në kohën që 18-vjeçarja hyn në banesë, në dhomën e gjumit të çiftit, e gjen të atit të mbuluar me gjak. Ai kishte gjetur vdekjen e menjëhershme, si pasojë e plumbit që kishte marrë në kokë. Në dorë, viktima kishte edhe armën e krimit, tip pistoletë. Vajza e të ndjerit, është shokuar nga ngjarja tragjike e të atit dhe ka kërkuar ndihmën e një bashkëmoshatari, të cilin e ka pasur fqinj prej 10 vjetësh. Ajo ndodhet në gjendje shoku dhe e ka shumë të vështirë që të harrojë skenën e krimit, ku gjeti pa shenja jete, trupin e të atit. Ka qenë shoku i fëmijërisë, ai që ka njoftuar edhe policinë. Uniformat blu kanë shkuar në vendin e ngjarjes për të nisur hetimet për zbardhjen e plotë dhe rrethanat në të cilën dyshohet se ai ka vrarë edhe veten. Paraprakisht dyshohet se, Refail Shehaj është vetëvrarë me armën e krimit, në kushtet e depresionit. Gjithsesi, grupi hetimor ka mbledhur të gjitha provat e mundshme dhe ka sekuestruar armën e krimit, për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Vetëvritet polici i rendit nga depresioni burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›