Vëzhgimi/ Me parazëvendësimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Rama konsumon një shkelje flagrante të Ligjit të Nëpunësit Civil
Revanshi i mazhorancës së re është një frymë e pakompromis me ligjin dhe kushtetutën. Që në ditët e para pas zgjedhjeve të 23 qershorit, Edi Rama dhe çeta e tij e besnikëve kërcënuan me radhë krerët e institucioneve kushtetuese, duke mos kursyer as Presidentin e Republikës. E njëjta frymë kërcënimi u lëshua edhe mbi punonjësit e administratës, duke i kërcënuar ata haptazi për “fshesën” e shtatorit. Krahas revanshit të shpallur, Edi Rama nxitoi me “mbledhjet e qeverive”, duke e nisur nga Vlora ku edhe shpalli Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave të qeverisë së pas shtatorit, në një kohë kur Këshilli i Ministrave ka ende në detyrë Sekretarin e Përgjithshëm, Gjergj Lezhja, të emëruar në detyrë sipas përcaktimeve të “Statusit të nëpunësit civil”. Kjo është një shkelje e hapur e ligjit me vetëdije, ose një injorancë e theksuar e atyre që ia këshillojnë shkeljen e ligjit me të dyja këmbët. Por çfarë parashikon ligji për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave? Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave është subjekt i nëpunësit civil dhe emërohet në detyrë përmes konkurrimit të hapur publik. Konkretisht, neni 8, i Ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave” thekson se “Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit te Ministrave është nëpunësi më i lartë civil i Këshillit të Ministrave. Ai emërohet në detyre sipas procedurave të parashikuara në nenin 13 të ligjit nr. 8549, date 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”. Kur largohet ose lirohet nga detyra Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave? Ligji flet qartë edhe këtu. Sekretari i Përgjithshëm lirohet ose largohet nga detyra sipas përcaktimeve të parashikuara në nenet 21, 24 dhe 25 të ligjit nr. 8549, date 11. 11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”. Neni 13 i Statusit, i cili referohet përcakton se “pranimi në shërbimin civil kryhet nëpërmjet konkurrimit të hapur, bazuar në meritat”, kurse nenet e largimit lidhen me dorëheqjen, pensionin, masat disiplinore ose lëvizjen në një detyrë tjetër. Të njëjtat praktika janë përfshirë edhe në ligjin e ri mbi nëpunësin civil, miratuar me konsensus PD-PS me 30 maj 2013. Por, revanshi e shtyn Edi Ramën të nxjerrë nga dritarja e institucioneve këdo që është në detyrë, në poste të ndryshme të institucioneve, por që nuk është sekser i Edi Ramës. Ata nëpunës që kërkon t’i çojë në përndjekje Edi Rama nuk janë rastësisht në ato poste, por kanë ardhur aty sipas ligjit të Nëpunësit Civil. Pra, Gjergj Lezhja ka shkuar në atë detyrë sipas përcaktimeve ligjore të lartpërmendura. Ende pa shkelë në derën e Kryeministrisë, Rama e do të “pastër” godinën, jo vetëm nga pozicionet politike, por edhe ato të nëpunësit civil, siç është Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Parazëvendësimi që tenton të bëjë Edi Rama është shkelje e rëndë ligjore dhe njëherazi një precedent i rrezikshëm në sfidën që i bëhet ligjit të Nëpunësit Civil të cilin Edi Rama e ka miratuar me konsensus. Kësisoj, bie poshtë edhe premtimi i tij për administratë të pavarur, cilësore dhe profesionale. E gjitha do të jetë një administratë e zënë nga sekserët.