Vëzhgimi/ Turpi i propozimit edvinist për Traktatin e Miqësisë me Kosovën
Kryeministri në ardhje me vizitën në Kosovë si duket po feston 100 vjetorin e ndarjes së Shqipërisë, 1913-2013, duke folur për një traktat miqësie me Kosovën. Edhe dje në parlamentin e Kosovës ka përmendur lidhjen e një Traktati Miqësie mes dy Vendeve. Mirëpo si duket Edi Rama i konsideron shqiptarët e Kosovës si të huaj, jo shqiptarë, por si rumunë, bullgarë, turq apo grekë, me të cilët mund të lidhet një traktat miqësie. Edi Rama e tha në parlamentin e Kosovës se me shqiptarët e Kosovës duhet një traktat miqësie. “ta bëjmë realitet edhe Traktatin e Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë mes Shqipërisë dhe Kosovës”, deklaroi Edi Rama në mes të Prishtinës. Është e pakuptueshme të mendohet sesi dy vende vëllezër të një kombi, një gjuhë dhe një gjaku mund të lidhin një traktat miqësie. Vetëm Edi Rama mund ta bënte këtë gafë të pashoq. Ne nuk jemi grekë as serbë që të lidhim një traktat miqësie me Kosovën, por nëse Rama e konsideron veten si grekë dhe i duket vetja si Papandreu mund ta lidhë një traktat miqësie. Grekët lidhin traktate miqësie me ish-armiqtë, ndërsa shqiptarët nuk kanë për të lidhur traktate mes vëllezërve të një gjaku, të një gjuhe, të një kombi. Padyshim në një familje të madhe shqiptarët, pavarësisht se kanë gardhe të ndryshme juridike, bashkëpunojnë dhe jetojnë pa traktate miqësie. Gafat e Edi Ramës në vizitën e parë zyrtare në Kosovë dëftejnë për karikaturën e dobët kombëtare të tij. Ai ndoshta shkoi në Kosovë për të takuar bashkëshorten e tij, Linda Rama që punon në Prishtinë, se për bashkimi kombëtar nuk bëhet kështu. Sigurisht Edi Rama ka nevojë publike për t’u dukur i pranueshëm për të gjithë shqiptarët kudo që janë dhe kjo sinjalizon një farë shenje inferioriteti që lind nga komplekset e tij. Me këtë mendje që ka dhe fjalë që thotë e nuk thotë, nëse do të rikthehej në kohë, më saktë në momentin e ngjizjes së tij do kish dëshiruar dhe lobuar të mos ishte me gjak shqiptari. Me pak fantazi mund të ishte një grek i mirë si Jorgos Papandreu, një rumun i mirë si Adrian Nastase apo një bullgar i mirë si Sergei Stanishev.
Sidoqoftë nuk duhet një traktat miqësie për të bashkëpunuar sepse shqiptarë e Shqipërisë dhe Kosovës po bashkëpunojnë të në të gjitha fushat dhe jo si fqinjë, por si vëllezër. Por gafat e Edi Ramës janë një tregues i karakterit të tij jo patriotik, që zhytet në mitet e kozmopolizimit metropolitan. Në Prishtinë Edi Rama nuk kishte asnjë element bashkimi të kombit, ajo që ra në sy ishte dëshira për të përçarë shqiptarët.