E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëzhgimi/Me cilin institucion të sigurisë u këshillua Rama për Shkëlzen Maliqin?

30-08-2013 / Gazeta 55

Kryeministri i mundshëm i së majtës në shtator, Edi Rama lajmëroi dje nëpërmjet një rrjeti social se një nga këshilltarët e tij për çështje të rajonit do të jetë Shkëlzen Mehmet Maliqi. Ky veprim i kandidatit për kryeministër pikësëpari ishte rrjedhë e veprimeve sesa pak e njeh ai shtetin dhe së dyti ishte si një respekt i thellë ndaj lidhjeve të vjetra me Serbinë.
Shteti shqiptar ka institucione të sigurisë që verifikojnë të kaluarën e zyrtarëve të rëndësishëm.
Rama ka vepruar me teorinë e faktit të kryer.
Shkëzen Maliqi ka jetuar aktivisht në Beograd në vitet 1966 – 1982. Por edhe pas largimit ai ka qenë i pranishëm në kryeqytetin e Serbisë “si bashkëpunëtor i Fondacionit Soros”.
Me një jetë të tillë në një vend i cili në platformat e sigurisë së shtetit shqiptar është në vëmendje verifikuese e gjendje vigjilence, emri i Shkëlzen Maliqit do të ishte i kursyer për t’u pasur këshilltar nga cilido kryeministër i Shqipërisë. Edhe vetë origjina e Shkëlzen Maliqit si biri i xhelatit të punëve të brendshme mbi shqiptarët e Kosovës na bën të mendojmë se emri i tij është më shumë se një herë peng të vendin e dikurshëm kufitar me Shqipërinë.
Jo më kot ai ka pohuar më parë: “Në të vërtetë, edhe babai im ishte një ushtar i spikatur i revolucionit dhe shef i policisë kosovare në vitet pesëdhjetë, kur edhe në Kosovë zhvillohej lufta klasore kundër “reaksionit borgjez” dhe të tjerëve, çka nënkuptonte burgosje dhe tortura për kundërshtarët e regjimit, dhe pastaj për të dytën herë, që nga viti 1981 gjer më 1984, kur u burgosën në masë dhe iu nënshtruan torturave me mijëra “kundërrevolucionarë” kosovarë, “irredentistë” dhe “nacionalistë” shqiptarë”.
Tanimë Rama na ka sjellë një person me probleme në të kaluarën e vet me shtetin e Serbisë, por po kaq jo normale janë marrëdhëniet e zotit Maliqi me shqiptarët e Kosovës të cilët mundet nuk i kanë harruar efektet e dhunës së përhershme që ka ushtruar Serbia mbi Kosovën. Çfarë politike rajonale do të bëjë z.Maliqi kur ai nuk ka mundur të integrojë e paqtojë të pari bashkëqytetarët e vet. Veprimet më të fundit të Ramës, në raport me Serbinë, ftesat e pavenda të ambasadorit të këtij shteti në aktivitetet e tij, tregojnë një papjekuri politike të dëmshme për interesat e vendit.
Institucionet e sigurisë së Shqipërisë mund të kenë të dhëna operative të nivelit të parë për këshilltarin e ardhshëm të sigurisë të Edi Ramës. Çfarë do të bëjë pas kësaj Rama? Do shkarkojë institucionet e sigurisë apo do largojë Shkëlzen Maliqin?

Prill 2013, Shkëlzen Maliqi: Edi Rama, arrogant dhe kokëfortë!

Këshilltari më i ri për çështjet e rajonit i Edi Ramës do të jetë Shkëlzen Maliqi. Ky emër rezulton dhe një nga kritikët më të mëdhenj të Ramës dhe aleatit të tij bashkëqeverisës, Ilir Meta. Ja një editorial i botuar nga Shkëlzen Maliqi në një prej të përditshmeve kosovare.
Shkrimi është botuar me titullin “Meta-Rama”, në gazetën “Express” të Kosovës, më 2 prill të vitit 2013. “Kokëfortësia dhe arroganca në politikë zakonisht paguhen shtrenjtë. Në zgjedhjet e vitit 2005, një leksion për arrogancën e tij e pat marrë Fatos Nano, pasi që e pat nënçmuar shkëputjen e Ilir Metës dhe grupit që formoji partinë Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila ia shkëputi PS-së një pjesë të elektoratit të majtë. LSI u bë shkak kryesor pse e majta humbi pushtetin. Pas dështimit në vitin 2015, Nano u detyrua që të japë dorëheqje nga kreu i PS-së, dhe nuk arriti që të kthehet në politikë aktive, edhe pse bëri disa përpjekje. Me pasojat e kokëfortësisë dhe arrogancës do të ballafaqohet edhe zëvendësuesi i Nanos në PS, Edi Rama. Paradoksalisht, Rama ka qenë politikani i cili gjatë fushatës parazgjedhore të vitit 2005 ishte distancuar nga miopia e Nanos në qasjen ndaj LSI-së dhe Metës, duke parashikuar se kjo do të ketë si pasojë humbjen e zgjedhjeve. Për të dëshmuar se e majta pa unitet nuk mund të ketë sukses, në zgjedhjet lokale të vitit 2007 Rama bëri koalicion me Metën dhe partitë tjera të së majtës për t’i fituar ato bindshëm. Por, pas suksesit të vitit 2007, kur Rama siguroi edhe mandatin e tretë si kryebashkiak i Tiranës, Rama do të bëjë gabimin e Nanos, duke ushqyer bindjen se mund të bëhet lider i vetëm i së majtës edhe pa LSI-në. Ai besoji se ligji i ri zgjedhor që e akordoi me Sali Berishën, do të favorizojë PS-në, si partinë individualisht më të madhe në Shqipëri, si dhe lidershipin e tij, karshi rivalitetit që u shfaq në raport me Ilir Metën, i cili ishte kundër ligjit të ri zgjedhor...”

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›