Vidhet "Lulëkuqet", tabloja e njohur e Van Gohg
"Lulëkuqet", tabloja e njohur e Van Gohg është zhdukur të shtunën nga muret e muzeut "Mahmud Khalil" në Kajro. Lajmi ka bërë xhiron e botës, ndërkohë që policia deri më tani nuk ka gjetur asnjë gjurmë të pikturës. Mediat bëjnë të ditur se në muze ka pasur një grup vizitorësh rusë, një grup vizitorësh spanjollë dhe një çift italian. Meqenëse dy grupet e turistëve janë kontrolluar në muze pa dhënë asnjë rezultat, dyshimet janë hedhur mbi çiftin italian, të cilët, sipas raportimit të mediave italiane janë ndaluar në aeroport e më pas janë lënë të lirë. Ndonëse lajmet që vijnë janë kontradiktore, pasi është vënë re se piktura nuk ndodhej më në muze, policia egjiptiane ka vendosur kontrolle në pikat kufitare për të mos lejuar që piktura të dalë jashtë vendit. Sipas të dhënave, piktura ishte prerë e pastaj ishte shkëputur nga korniza pas hapjes së muzeut. Policia nuk ka arritur të marrë asnjë pamje nga kamerat e sigurisë, pasi sistemi i vëzhgimit ashtu si edhe sistemi i alarmit ishin jashtë funksionit prej disa kohësh si pasojë e mungesës së pjesëve teknike. Bëhet e ditur se tabloja ishte ekspozuar afër veprave të impresionistëve të tjerë në muzeun "Mahmoud Khalil", selia e një prej koleksioneve më të rëndësishme të artit europian të shek XIX-XX. Sipas një funksionari të policisë, tabloja ka një vlerë prej 50 milionë dollarësh ose rreth 39 milionë euro). E njëjta tablo është vjedhur edhe më parë më 1977. Në këtë rast u deshën 10 vjet që piktura të kthehej në rrethana të paqarta në muze.