E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Vidhte nëpër banesa bizhuteri të çmuara, policia e Durrësit prangos 42- vjeçarin

Policia e Durrësit ka arritur të vendosë në pranga një 42- vjeçar, mbi të cilin rëndojnë akuzat për një serial vjedhjesh nëpër banesa. Vetëm gjatë muajit korrik, J. I., 42 vjeç, banues në Durrës, ka kryer vjedhje në 4 banesa të ndryshme në qytetin e madh bregdetar.

Subjekt i vjedhjeve të kryera prej tij ishin kryesisht bizhuteritë e çmuara.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas denoncimeve të marra nga qytetarët, për raste të vjedhjeve në banesa, kanë identifikuar, kapur dhe arrestuar shtetasin J. I., 42 vjeç, banues në Durrës.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 42-vjeçari, gjatë muajit korrik 2023, ka vjedhur sende dhe bizhuteri me vlerë, në 4 banesa të ndryshme. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 ora dore, një unazë floriri, 2 celularë dhe një automjet.“- thuhet në njoftimin e policisë.

Uniformat blu të Durrësit informojnë se vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e vjedhjeve të tjera, që mund të jenë kryer nga ky shtetas.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›